Bashkimi bënë fuqinë
Shkruar nga Gani Qarri
Majkëll O`Rell, ish avokati i Haradinaj, me rastin e ftesës së dytë për rigjykim në Gjykatën e Hagës, përmes një komunikate, pati deklaruar se ndjehej jashtëzakonisht i befasuar, pas vendimit unanim të 3 prillit të vitit 2008 nga po e njëjta gjykatë, për lirimin e Ramush Haradinajt, si të pafajshëm.
Ndaj, vendimi për rigjykim i Dhomës së Apelit, ishte i bazuar në motive politike, pati deklaruar mbrojtja e tij, që atëherë.
Megjithatë, diplomat dhe analist vendorë e ndërkombëtar, vazhdojnë me porosit e njohura për shqiptarët, që përkundër mijëra vrasjeve, dhjetëra mijëra përdhunimeve, masakrave mbi popullsinë civile, shtypjes së paparë dhe vuajtjeve biblike nga okupatori serb, ne të mos mbajnë kokën \"prapa\" duke shikuar në të kaluarën se çfarë tragjedish përjetuam, që nga dita e okupimit deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga Serbia.
Por, askush nuk na thotë se si të veprojmë ne, derisa përndjekja për shqiptarët as sot nuk pushon. Ndjekja e shtrigave ndaj tyre ende vazhdon.
Ata ndalen e gjykohen pa faj, në gjykatat evropiane e ndërkombëtare, ani pse kurrë nuk pushtuan vende a popuj të tjerë, as u shkelën të drejtat dhe liritë e tyre, por luftuan vetëm për çlirimin e vendit të vet!
Si mundë jenë vetëm shqiptarët fajtor kujdestar dhe të përndjekur të përhershëm?!
Vendimi i gjyqësisë franceze për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt, është rast sinjifikant për reflektim kombëtar dhe intensifikim të përpjekjeve gjithëshqiptare politiko-diplomatike të të dy shteteve tona, në mënyrë që përfundimisht të bëhet zhvlerësimin i listës serbe me emra shqiptarësh, deponuar në Interpol e organizatat tjera ndërkombëtare për linçim dhe përndjekje të paskrupullt, ndaj personaliteteve aktualisht më të vlerësuara politike dhe kombëtare si Haradinaj.
Ndalimi i tij edhe pas shpalljes - Dy Herë - të pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë,dhe përndjekja politike sipas tekeve të Serbisë, siç e paska cekë para gjykatës franceze,edhe vet z.Haradinaj, me siguri, është akt i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe abuzim me lirinë e tij personale e njerëzore.
Kurse për shumicën e shqiptarëve, dhe për mua personalisht, shkelje e të drejtës njerëzore ndaj Ramush Haradinajt, siç e dëshmoi që atëherë edhe avokati i tij, z. M. O`Rell, ndodhi, qysh me rastin e ftesës së dytë, më 17 gusht të vitit 2011, akt i padrejtë që ai në mënyrë të përsëritur, sërish të vendosej para drejtësisë ndërkombëtare ,në Gjykatën e Hagës.
Kurse kjo që, para pak ditësh ndodhi, me ndaljen e papritur të tij, nga organet franceze, bazuar në kërkesën absurde politike të urdhër-arresteve të Serbisë, vërtetë është përçmim i rëndë për të gjithë shqiptarët dhe abuzimi më flagrant me lirinë dhe të drejtat njerëzore të Ramush Haradinajt, e cila nëse nuk ndërmerren masat e duhura nga organet përkatëse shtetërore të Kosovës, por dhe të Shqipërisë që të ndihmoj atje ku ende nuk mund të arrijë zëri i Kosovës, akte të tilla do të përsëriten në vazhdimësi edhe ndaj politikanëve të tjerë, në të ardhmen.
Ky rast i paprecedent, prodhoi edhe një sinjal shembullor, siç ishte ai i bashkimit të shqiptarëve kudo, të cilët dëshmuan se në raste të prekshme për kombin, që nga Tirana, ish kryeqyteti i Kosovës - Shkupi dhe Prishtina e sotme,ata dinë të bashkohen si një dhe veprojnë unik, siç u dëshmua me protestat masive që ndodhën kudo,në Iliridë, Kosovë e Shqipëri dhe gjithë diasporën tonë, që nga Evropa deri në Amerikë.
Pra, ishte ngritja e zërit dhe kundërshtimi unik i tyre, kundër vendimit abuzues të Serbisë-karshi keqpërdorimit të lirisë personale të z. Haradinaj dhe të drejtës njerëzore për lëvizje të lirë të tij, edhe si një personalitet i njohur politik që përfaqëson shqiptarët, si veprimi më shembullor dhe unik, me kërkesën e koordinuar vendosmërisht dhe kudo bashkë, për lirimin e tij, e cila, siç duket pati efekt më të madh, se sa vet përpjekjet e brishta diplomatike nga Kosova.
Kurse shfaqja e fatkeqësisë deri në turpërim,u dëshmua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët u treguan aq fëmijnor dhe të papjekur politikisht për funksionet që mbajnë, sa që nuk arritën të unifikohet as për një rezolutë të vetme në Parlament.
Nuk thuhet më kot që nga kohët më të vjetra se Bashkimi bënë Fuqinë, e kjo u dëshmua më së miri me kërkesën unike të gjitë popullit shqiptar, për lirimin e Ramush Haradinajt, fakt për të cilin vet z. Haradinaj, AAK dhe Kosova në tërësi, duhet tu falënderohen të gjithë bashkëkombësve me shumë përzemërsi.
Secili personalitetet me ndikim, duke marrë shembull edhe nga rasti i z. Haradinaj, duhet tu bëjnë thirrjen më të sinqertë shqiptarëve kudo, që të mbeten të njësuar kombëtarisht në të gjitha kohët, sepse vetë përvoja tregon, se vetëm të bashkuar dhe unik,ne aktualisht mund të mbrojmë me sukses të drejtat tona gjithëkombëtare, ato shtetërore e politike, si dhe të krijojmë histori ngadhënjyese të veprimit unik kombëtar edhe për të ardhmen shqiptare.