Bashkëpunimi ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri
Shkruar nga Ylber Vokshi - Ylli
Ndoshta mundem të jam paksa emotiv apo subjektiv, por fillimi i realizimit të projektit për funksionalizimin e bashkëpunimi ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri, është e arritura ma e madhe profesionale e Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e Planifikimit Hapësinorë në dekadat e fundit, me një rëndësie të veçantë për të dy shtetet.
Para dhjetë (10) vite, në vlugun e përgatitjeve për përpilimin e Dokumenteve Hapësinore të Komunës së Gjakovës, iu kisha sugjeruar vendimmarrësve komunal të atëhershëm kthimin e lidhjeve ekonomike me Malësinë e Gjakovës, gjegjësisht me Shqipërinë, si mundësi reale për zhvillimin ma intensiv të territorit të dy shteteve.
Asgjë konkrete nuk ndodhi këto vite, edhe se kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare tërësisht kishin ndryshuar.
Evropa e bashkuar synim kryesor edhe sot e ka zhdukjenapo shkrirjene kufijve ndërshtetëror, që në të ardhmen nuk duhet të jenë barriera të bashkëpunimit ndërkufitar në mes shteteve.
Këto lëvizje pozitive duhet shfrytëzuar në maksimum populli ynë, këtë mundësi duhet funksionalizuar për me ia kthye namin e dikurshëm që historikisht e ka pasur Malësia e Gjakovës.
Isha i ri kur nga të vjetrit dëgjoja ndodhi të shumta se si ka funksionuar Malësia e Gjakovës dhe Malësia e Madhe me Shkodren, si një tërësi hapësinore kompakte me shekuj, e cila dhunshëm u ndërpre me vendimet fuqive të mëdha botërore në shekullin e kaluar.
Qyteti i Gjakovës ekskluzivisht zhvillimin e vetë ekonomik dhe shpirtëror e ka pasur të ndërlidhur me Malësinë e saj dhe atë të Shkodrës.
Dalja në det ka qenë një favor i madh për tërë rajonin dikur, pasi mundësitë furnizuese të lidhnin me tërë botën nëpër mes detit, liqenit dhe lumit Buna ishin të hapura.
Sot gjeneratat e reja vetëm kanë filluar ti përjetojnë favoret që i mundëson kjo lidhje territoriale vetëm në fushën e turizmit, e ku janë mundësitë tjera ekonomike që ende nuk kanë filluar të shfrytëzohen.
Të dy qytetet kryesore të saj Shkodra dhe Gjakova kanë funksionuar si një tërësi në të gjitha fushat e jetës urbane të identifikuara me Çarshinë e Madhe të Gjakovës dhe Qendrën historike, administrative dhe kulturore të Shkodrës , që kanë influencuar në të gjithë territoret Shqiptare në shekujt e kaluar.
Malësia e Gjakovës ka funksionuar si një tërësi me shekuj në të gjitha aspektet, pasi ky bashkëpunimi ka të bëjë me rrënjët historike, me traditën, zakonet, kulturën, tregtinë etj.
E pa shpjegueshme ishte se si u veprua me këto territore në shekullin e kaluar nga aspekti hapësinor, por kjo ka ndodhur shpesh në Ballkan. Riaktivizimi i lidhjeve ekonomike dhe tregtare, do të ishte një rizgjim natyrore në mes të saj me Malësinë e Madhe të Shkodrës.
Një zgjerim i një tregu të përbashkët i cili ka funksionuar perfekt dikur, natyrisht përshtatja me rregullat e reja të ekonomisë së tregut është e domosdoshme.
Parapërgatitjet për këto iniciativa filluan që në vitin 2014. Punët intensive për përgatitjen e kornizës strategjike \"Zhvillimi social-ekonomik i zonës Gjakovë Has Tropojë\" vazhduan në Tiranë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit në mars 2015, për tu aprovuar si dokument strategjik në takimet e kaluara të radhës së dy Qeverive, Shqipëri dhe Kosovë.
Qëllimi parësorë ishte për të nisur sa më parë me iniciativa konkrete bashkëpunimi. E rëndësishme ishte se ishte tejkaluar ajo barriera psikologjike e ngulitur në kokat e njerëzve, si pasojë e ndarjes mbi njëshekullore të ati territori në shekullin e kaluar.
Me të drejtë potencoi kryetarja e Komunë së Gjakovës, z. Mimoza Kusari-Lila se: Është koha të korrigjojmë padrejtësitë historike lidhur me krijimin e mundësive për zhvillim të ndërsjellë në komunat këndej e andej kufirit.
Duhet punuar në jetësimin e procesit të zhvillimit të qëndrueshëm në të dy anët e kufirit, sepse në këtë formë do të ngrihet mirëqenia e banorëve të Gjakovës, Hasit dhe Tropojës. Këtë ajo e deklaroi në Prill 2015 në një takim pune në Gjakovë, me zyrtarët e pushteteve lokale dhe biznesmenëve gjakovarë, hasjanë e tropojanë për të zhvilluar ekonomikisht këto zona.
Theksi parësorë u potencua në mundësitë e mëdha të angazhimit gjithëpërfshirës, pasi ka potencialet reale që duhen shfrytëzuar, për zhvillimin socio-ekonomik të zonës ndërkufitare, u hodhën ide për projekte të përbashkëta në fushën e bujqësisë, pemëtarisë, energjetikës, turizmit, artizanateve etj.
Ishte inkurajues përzgjedhja dhe prezantimi publik i projekteve fituese në konkurs, që u bë në Gjakovë këtyre ditëve të fundit të muajit Maj (28).
Përfituesit e këtij konkursi do të jenë banorët e hapësirës rajonale Shqipëri-Kosovë, projekt idetë do të përdoren si shtytëse, për zhvillimin dhe promovimin e rajonit.
Është kjo përpjekje konkrete për zhvillimin e integruar të këtyre zonave. Kjo u zyrtarizua në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë më 3 Qershor në Prishtinë, me nënshkrimin e Marrëveshjes për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar.
Pa dyshim kjo hapë rrugën për përpilimin e projekteve të shumta realiste dhe konkurrimin në fonde shtetërore të dy Qeverive, si dhe thithjen e mjeteve të shumta që ofrojnë donatorët vendor, e posaçërisht ata ndërkombëtarë, si është Bashkimi Evropian, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) etj.
Faza e parë e projektit u përmbyll me sukses falë angazhimit të paparë të strukturave komunale të qytetit të Gjakovës, në krye me kryetaren energjike z. Mimoza Kusari-Lila. Kontributi i ambasadorit Minxhozi dhe strukturave udhëheqëse të komunave të përfshira në projekt nga ana e Shqipërisë, janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e projektit. Nga aspekti operativ kjo ishte faza ma e rëndësishme ku definohet strategjia e mëtutjeshme për zbërthimin e projektit, ku ne si shoqëri gjithnjë kemi çaluar.
Fazat tjera operative po ashtu janë të rëndësishme dhe uroi që ky projekt, i një rëndësie të veçantë për të dy shtetet të realizohet, në tërësi me etapa dhe afate kohore realiste.
Jam i vetëdijshëm se ndarja e një tërësie funksionale territoriale mbi një shekull, nuk mundet të korrigjohet me shkop magjik, por rifillimi i bashkëpunimit ndërkufitar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, posaçërisht në zonat Gjakovë-Tropojë-Has dhe Prizren-Kukës, që dikur ishin shumë aktive, do të ndikon pozitivisht në zhvillimin e tyre në të gjitha aspektet, në të dy anët e kufirit Shqiptaro-Shqiptar drejt integrimeve Evropiane.
Jemi të vetëdijshëm se të dy shtetet për momentin nuk kanë ndonjë projekte madhor të rëndësishme për zbatim, ka shumë vështirësi operative, se pari duhet ndryshuar mentalitetin provincial e besa edhe korruptim, e pastaj duhet punuar shumë me profesionalizëm të lartë për të arritur caqet e synuara, çka nuk ka ndodhur përpara.
Me punë të përkushtuar profesionale, bashkëpunim të ndërsjellë, të vetëdijshëm se posedojmë resurse të mëdha natyrore, si mbi tokë ashtu edhe në nëntokë, jam i bindur se do të joshim investitorë serioz vendor dhe të huaj, dhe do të kemi mbështetje financiare nga institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare në të ardhmen.
/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/