Barrikadimi politik dhe alternativa e zgjidhjes
Shkruar nga Bahri Bivolaku
Politikës në Kosovë nuk i duhet politikë që në realitetin e pavolitshëm, fillimisht ngre hundën drejt qiellit dhe, rrëzohet mbi hundë kur u dalin pengesat.
Si duket dikujt moti i është ndalur ora dhe tani në vend se ta kurdisë dhe ta rregullojë me saktësinë e ditës së sotme, po synon të gjithëve të na kthejë në kohën kur i ishte ndalur ora.
Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku njerëzor, thonë mendimtarët. Ahmakia dhe trimëria kanë një vijë të hollë në mes. Këshilltarët mbase duhet t’i tregojnë kur vet nuk e kupton.
Barrikadimi politik për momentin krijon përshtypjen se në Kosovë mungon alternativa e zgjidhjes dhe se ka krizë të bashkëjetesës me mendimin tjetër, krizë idealesh të përkufizuara apo edhe krizë të etikës. Për dashurinë e trëndafilit duhet të durosh edhe gjembat e tij, andaj për të kapërcyer gjendjen dhe dalë përtej vetës duhet t’i durojmë ca gjemba dhe duhet thithur aromën e trëndafilit.
Politikës në Kosovë nuk i duhet politikë që në realitetin e pavolitshëm, fillimisht ngre hundën drejt qiellit dhe, rrëzohet mbi hundë kur u dalin pengesat.
A po ndikon politika e BE-së në iracionalitetin politik në Kosovë?
Europë, ne po të flasim me gjuhën e Skënderbeut, gjuhën e Nënës Terezë, gjuhën e Adem Jasharit........., gjuhën e Majlinda Kelmendit, të Rita Orës, të Era Istrefit, Dua Lipës, Granitit e Xherdanit........ e ju po vazhdoni të na flisni me gjuhën e djemve politikë të kryekriminelit Slobodan Millosheviçit dhe antidemokratit Vladimir Putinit. Ne, këtë gjuhë vështirë e kuptojmë. Gjuha e tillë ushqen radikalizmin politik por edhe atë të ngjyrave tjera.
Për ne që jetojmë në Kosovë është e pakuptueshme se si politika e BE-së ua ka hapur dyert e saj qytetarëve të Serbisë, e cila është shkaktare e të gjitha luftërave dhe trazirave në Ballkanin Perëndimor, ndërsa qytetarëve tonë, viktimë e këtij agresioni, ua mbyll dyert.
Ndërkaq sa i përket politikës në Kosovë konsideroj se egot politike që jetojnë e veprojnë në gjendje frike nuk mund ta projektojnë mendjen e veprimin politik për të ardhmen. Hyni në proces. Qëndrimet dhe pozicionet e deritanishme duhet kuptuar sikur deklaratat e trajnerëve para ndeshjes e loja zhvillohet në fushë.. Dështimi i finalizimit të bisedimeve me fajin tonë do jetë fatal për vendin. Kosova nuk bënë të sillet sikurse Serbia në Rambuje. Reciprociteti si pozicion duhet parë si mundësi që paralizon kërkesat e Serbisë dhe mundëson që të dështojnë bisedimet tani me fajin e Serbisë. Konsideroj se është koha për t’i përfunduar problemet e dilemat me Serbinë, tani e jo t’ua lëmë brezave këtë barrë. Pas përfundimit të këtij kapitulli,. Vendin dhe shoqërinë e pret një objektivë tjetër e që ndërlidhet me ngritjen e cilësisë së jetës të secilit nga ne.
Qytetarët e Kosovës presin me padurim atë dritë dhe atë politikë të karakterit, e cila shpreh energji konstante të vullnetit për të hapur kapitullin e ri të saj. Rruga e tillë na obligon të i bëjmë zgjedhje dilemës; Si të ndërtojmë politikë drejtë këtij qëllimi? Si të strukturojmë subjekte që me veprimet e tyre e fitojnë paqen? Jemi të etur të dëgjojmë një ide të mirë, një shpresë të re, një perspektivë të re, e cila do të shënonte një fillim të kësaj faze. Mbase tani duhet vendosur kufirin ndarës mes të mirës e të keqes dhe, këtu është baza e reformës dhe fillimi i kapitullit të ri.