30 Dhjetor 2024

Ballkani dhe arratisja nga identiteti ballkanik

Erhan TÜRBEDAR –

Përse disa popuj ballkanas nuk kanë dëshirë as sot të identifikohen me këtë fjalë?!

Gjatë historisë Ballkani dihet si zona më problematike e kontinentit evropian dhe përmendet si “fuçi baruti”. Në vetëdijen e vendeve perëndimore Ballkani në përgjithësi ekziston si një rajon me përleshje, dhunë dhe vrazhdësi.

Gjithashtu fjala Ballkan megjithëse është emërtim i një rajoni gjeografik, kjo fjalë përdoret sikur i referohet një identiteti të ndryshëm politik dhe kulturor.

Ndërsa vendet e Ballkanit refuzojnë ekzistencën e një identiteti të ndarë dhe mundohen që vetën ta paraqesin veten e tyre si një pjesë e pandashme të botës dhe qytetërimit perëndimor.

Deri në fillim të shekullit të 19-të hapësira gjeografike e Ballkanit nuk kishte një emër të përbashkët dhe është përmendur me emra të ndryshëm. Për herë të parë rajonin me këtë emër e ka emërtuar në vitin 1809 gjeografi gjerman August Johan Cojne (August Johann Zeune) duke u frymëzuar nga emri i Maleve Ballkan, që e ndajnë Bullgarinë horizontalisht në dy pjesë. Më pas fjala Ballkan filloi të përdoret gjerësisht si emër i një rajoni.

Por megjithatë çështja e kufijve të Ballkanit nuk është qartësuar madje as në ditët e sotme. E shprehur ndryshe nuk ka konsensus mes autorëve të ndryshëm se cilat vende duhen të përfshijë koncepti Ballkan. Por paqartësia e kufijve të Ballkanit (si rajon) nuk përbën problem.

Problemi qëndron tek paragjykimet që i ngarkohen fjalës Ballkan, duke iu referuar një identiteti të ndryshëm politik dhe kulturor. Perceptimi i Ballkanit tek vendet perëndimore përmban mjaft elementë negativë. Para së gjithash është mjaft i përhapur paragjykimi se Ballkani nuk është pjesë e civilizimit perëndimor.

Jo vetëm osmanlinjtë, por edhe bizantinët për shkak të elementeve kulturore dhe fetare perceptoheshin si “të tjerët” e Evropës. Udhëtarët perëndimorë që kanë shëtitur Ballkanin në shekullin e 19-të, në udhëpërshkrimet e tyre rajonin në përgjithësi e kanë përshkruar si të ndryshëm, të çuditshëm dhe tepër të pacivilizuar.

Në anën tjetër një pjesë e rëndësishme e literaturës në lidhje me Ballkanin në vendet perëndimore u zhvillua gjatë periudhave kur rajoni vuante nga krizat. Për këtë arsye perëndimorët vazhdojnë që ta rikujtojnë Ballkanin si një rajon, ku urrejtja etnike është përherë e freskët, gjithashtu si një rajon që ka mbetur prapa nga pikëpamja ekonomike, kulturore dhe politike, një rajon i cili kërcënon sigurinë e Evropës.

Madje edhe në romanet dhe filmat perëndimore Ballkani paraqitet si një element kërcënues. Vetë fjala “ballkanizim”, e cila u shpik së bashku me luftërat ballkanike të viteve 1912-1913, tregon se rajoni i Ballkanit perceptohet si një problem.

Ndërsa gjatë Luftës së Ftohtë Ballkani, me ndikimin edhe të perceptimeve ideologjike, u pa si një rajon totalitar dhe komunist që rezistoi përballë Perëndimit demokratik dhe kapitalist. Ndërkaq luftërat që ndodhën në territoret e ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta e popullarizuan sërish fjalën “ballkanizim” dhe u bënë shkak për rigjallërimin e paragjykimeve në lidhje me rajonin.

 Sipas historianes ballkanase, Marija Todorova, kuptimi i ri i fjalës ballkanizim ishte copëtim, gjë që e kishin theksuar edhe fuqitë e mëdha, nënkuptonte një mënyrë jetese të bazuar në prapambetje, primitivizëm dhe barbarizëm.

Përveç paragjykimeve negative që ekzistonin në lidhje me rajonin e Ballkanit, në vitet 1990-të, kur vazhdonte procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian në drejtim të Evropës Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk zinin vend as në fund të radhës së gjatë të anëtarësimit në Union.

Si konkluzion të gjitha këto si të thuash nxitën një ‘arratisje’ nga identiteti ballkanik. U veprua me një konceptim sikur brenda BE-së nuk kishte vend për ata që mbanin mbi shpatulla identitetin ballkanik.

Ana më interesante e kësaj ishte se disa vende të rajonit ndërkohë që nënvizonin “evropianizmin” e tyre, vazhdonin të akuzonin vendet fqinje si “ballkanike”. Për shembull, Sllovenia ndërsa mundohej të siguronte një vend për veten e saj brenda Bashkimit Evropian, jepte mesazhin se “shikoni unë jam evropiane, kurse Kroacia nuk është”. Retorika të ngjashme Kroacia i ka zhvilluar ndaj Serbisë, ndërsa kjo e fundit ndaj Bosnjës.

Edhe pse Kroacia sot është anëtare e BE-së, ajo ende vazhdon të mbrojë qëndrimin se nuk është një vend ballkanik duke e arsyetuar këtë me fakte kulturore dhe historike. Në të njëjtën linjë refuzojnë të identifikohen si një vend ballkanik dhe Rumania me Slloveninë.

Ndërsa disa popuj ballkanas për të shpëtuar nga identiteti ballkanik pas viteve të 90-ta kanë zhvilluan një historiografi të re. Në kuadër të kësaj historia në lidhje me zhvillimin e identitetit kombëtar është munduar të trajtohet e ndarë nga zhvillimi historik i identitetit të fqinjit që tregohet si një ballkanas.

Kur bëhet fjalë për turqit, shkrimi i historisë në Ballkan merr trajta edhe më problematike.

Për arsye se shtet e Ballkanit e kanë fituar pavarësinë pas kryengritjeve kundër Shtetit Osman, identitetet e tyre kombëtare i kanë zhvilluar në atë mënyrë që të përmbajnë gjykime negative kundër Shtetit Osman dhe vlerave të tij.

Për këtë arsye nacionalistët në vendet e Ballkanit janë të prirur madje edhe sot për të akuzuar periudhën otomane për të gjitha gabimet dhe fatkeqësitë që kanë ndodhur në vendin e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)