Baca Curr si kryesues-kryetar kuvendi
Milazim Krasniqi
Baca Curr do të ishte zgjidhje ideale për kryesues të Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri (sepse askush nuk do të mund ta ndërronte, pasi i ka nëntëdhjetë e katër vjet), ndoshta edhe për kryetar të vërtetë të Kuvendit!
Ai do ta merrte me vete pushkën e Rankoviqit dhe askush sdo të guxonte ta prishte rendin, ta thyente Rregulloren e Punës së Kuvendit, aq më pak të thërriste mbledhje pa izën e tij
Tregimi i plakut nëntëdhjetë e katërvjeçar, Curr Nikqit, na ka mbushur të gjithëve me krenari kombëtare, në këto ditë të zymta të paralizës mentale, politike dhe ekonomike të shtetit tonë. Baca Curr i tregoi në besë një televizionit tonë, se ai paskësh qenë shenjëtar i shkëlqyer, që paskësh zënë vendin e parë në gjithë ish-federatën e Jugosllavisë.
Baca Curr paskësh marrë si shpërblim edhe një pushkë, të cilën e mban edhe sot si kujtim të çmuar. Jo çfarëdo pushke, nga ato që janë prodhuar në mënyrë serike në fabrikën e armëve të Kragujevcit. Pushka që e mbaka si kujtim plaku shenjëtar, qenkësh e dhuruar, madje e firmosur nga Aleksandër Rankoviqi, dora vetë.
Derisa e tregonte ngjarjen, plaku ndihej krenar që kishte qenë shenjëtar aq i mirë. Por, unë nuk mund tu besoj plotësisht fjalëve të tij, sado që dukej i sinqertë në atë që thoshte. Do ti besoja plotësisht vetëm po ta kishte provuar atë aftësi të tijën, duke e marrë në shenjë vetë dhuruesin e asaj pushke.
Atëherë jo vetëm do ti besoja, por edhe do ta shkruaja një tekst kënge për lavdinë e bacës Curr dhe do ti lusja vëllezërit Bajra, ta këndonin me plot frymëzim atë këngë trimërie, siç e këndojnë këngën e Dan Retisë.
Pse thua ti, vëllezërit Bajra? Për dy arsye. E para, sepse kurrkush më mirë sesa ata nuk e këndon këngën e Dan Retisë, që ia tregon vendin pushtuesit dhe, e dyta, sepse ata kanë kënduar një kallaballëk këngë edhe për shumë nga politikanët e sotëm, që nga atdhedashuria e madhe tashmë e kanë paralizuar shtetin tonë. Pra, dëm i madh që nuk ka hyrë në këngë edhe baca Curr, ndërsa ka mundur të hynte veç me një të qëlluar në lule të ballit të kriminelit Rankoviq.
Por, ndoshta plaku e di më mirë arsyen pse nuk e ka marrë në shenjë dhuruesin e pushkës së vet, Rankoviqin.
Ne deri tash e dinim se Rankoviqi ishte ideatori dhe zbatuesi i aksionit të mbledhjes së armëve nga shqiptarët në vitet 1954-55, ku ka lënë me mijëra burra të sakatosur dhe invalidë nga dhuna fizike që është ushtruar mbi ta. Ne e dinim se me mijëra familje janë detyruar të shpërngulen në Turqi nga zullumi i Rankoviqit dhe i Titos.
Ai Rankoviq vërtet e ka pasur hak plumbin në ballë.
Por, ja që paskësh pasur edhe një Rankoviq të mirë, që paskësh vlerësuar trimat shqiptarë, që na paskëshin qëlluar shenjëtarë të shkëlqyer. Dihet, po ashtu, se ky Rankoviqi i mirë ka marrë pjesë në ahengje me shqiptarë, ku është argëtuar me këngë e me këngëtare shqiptare.
Dihet, po ashtu, se po ky Rankoviq i mirë ka pasur besim të plotë në fshatarë shqiptarë, që me porosi të udhëheqjes krahinore të Kosmetit dilnin maleve e lehnin si qentë, që ta trembnin gjahun për ti shkuar në tytë Rankoviqit.
Kjo do të jetë arsyeja pse baca Curr nuk e ka shikuar Rankoviqin vetëm me njërin sy, duke mbetur edhe pa hyrë në këngë. Megjithëse, ka edhe shumë persona që kanë hyrë në këngë dhe e dëgjojnë këngën e vet, ndonëse nuk kanë bërë trimëri as sa ky plaku rugovas.
Sidoqoftë, tregimi i plakut Curr na e zbulon një realitet që shtiremi se e kemi harruar: një shkallë integrimi të shqiptarëve në ish federatën jugosllave dhe në sistemin komunist. Një herë e një kohë shumë shqiptarë mburreshin se e kishin Titon kumbarë të fëmijëve të tyre. Të tjerë mburreshin se në armatë kishin kaluar shumë mirë dhe kishin qenë shembull i mbrojtjes së atdheut, duke marrë lloj-lloj medaljesh.
Fotografitë me uniforma ushtarake jugosllave shumë shqiptarë i kanë mbajtur të kacavarura nëpër muret e odave e edhe të dhomave të gjumit. Ka që kanë treguar lloj-lloj legjendash për gratë e kapitenëve e të majorëve, të cilave ua kanë bartur mobilet e edhe ua kanë copëtuar drutë për dimër.
Ka pasur edhe jo pak politikanë e intelektualë shqiptarë, që kanë marrë medalje e dekorata të shumta dhe i kanë mbajtur me vite në ballë të salloneve të ndejës. Ndërsa, këngë si ajo Marshall Tita nkali të bardhë, që janë kënduar nëpër dasma e syneti, kanë zgjuar emocione të forta të shumë burrave shqiptarë ndër decenie.
Por, gjithë këto bëma e gjithë ato dekorata, në një çast i kanë fshehur të gjithë, si të mos kishin ekzistuar kurrë. U fshinë nga kujtesa si me gomë. Të gjithë u bënë atdhetarë dhe bashkëvuajtës në burgun e popujve të quajtur Jugosllavi.
Të gjithë bënë hyxhym mbi tortën e shqiptarisë (si në atë tortën e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë!) duke e ndrangur e duke e ndyrë si mos me keq.
U desh që një plak si ky baca Curri, të dilte e të na e kujtonte se janë me mijëra persona që i mbajnë të fshehura dekoratat, medaljet, shpërblimet dhe mirënjohjet e ish regjimit komunist jugosllav. Bile besoj se ka edhe persona që ende janë në majat e politikës, por që me siguri kanë ndonjë medalje a mirënjohje jugosllave të skutuar diku në shtëpi. Për çdo rast! Ernest Koliqi do ti quante tregtar flamujsh, por këta janë më shumë flamuj tregtie.
Sidoqoftë, të lumtë baca Curr! Vërtet nuk kemi pse ti fshehim me kaq frikë gjërat që kanë ndodhur në një kohë tjetër, në një shtet tjetër dhe në një regjim tjetër. Krejt çka kemi nevojë, është hapja e një debati të gjerë dhe kritik për atë periudhë.
Sikundër që kemi nevojë që sot të mos e urrejmë njëri tjetrin, siç na ka urryer Rankoviqi. Fjala vjen, e pashë hapjen e një konference për drejtësinë, të organizuar nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk ia dhanë fare dorën njëri -tjetrit, E pra, pas pak ditësh Edi Rama do të shkojë për vizitë në Beograd dhe me siguri atje do të përqafohet me Aleksandër Vuqiqin dhe me gjithë sorollopin e vuqiqëve të atjeshëm.
Njeriu naiv pyet: kur përqafohet me Vuqiqin, pse nuk ia shtrëngon dorën Lulzim Bashës?! Por, nuk është njësoj, burrani! Fjala e urtë që thotë: Vëllau si shkau, tash mund të lexohet edhe kështu: Shkau si vëllau. Pikërisht kështu po lexohet edhe në Kosovën tonë.
Vliderët e partive politike shqiptare takohen e përqafohen me liderët e listës Sërpska, si ti kishin vëllezër të vërtetë nga nëna e nga babai, i thërrasin me telefon, u dërgojnë mesazhe, u dërgojnë ndërmjetës, u japin premtime, se do të përmbushin kërkesat e tyre. Ndërsa me liderët e partive rivale, nuk pranojnë as të takohen.
More edhe kur këta shprehin gatishmëri tu bëjnë lëshime të mëdha, nuk duan të dëgjojnë. Madje as te presidentja e shtetit nuk pranojnë të shkojnë bashkë, sepse kanë frikë mos po u ringjallet ndonjë ndjenjë nostalgjie e të kaluarës, kur si vëllezër kanë luftuar bashkë kundër armikut të përbashkët, kundër shkaut, si quhej atëherë.
Por, mund të mos jetë ky shkaku e shmangies së takimeve vlanore. Shkaku mund të jetë frika nga vlabola përkatësisht nga ebola. Dikush nga vuqiqët do tu ketë thënë vlanve se vëllezërit e tyre, rivalët politikë, e kanë shikuar ndonjë dokumentar për Afrikën dhe ashtu mund të jenë infektuar me virusin e ebolës.
Pra, ky mund të jetë shkaku i vërtetë pse nuk pranojnë vlanët as të takohen me vëllezërit e vet politikë shqiptarë. Në fund të fundit, ata e kanë fajin nëse kanë shikuar filma dokumentarë për Afrikën.
E fundit: baca Curr do të ishte zgjidhje ideale për kryesues të Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri (sepse askush nuk do të mund ta ndërronte, pasi që i ka nëntëdhjetë e katër vjet) e ndoshta edhe për kryetar të vërtetë të Kuvendit.
Ai do ta merrte me vete pushkën e Rankoviqit dhe askush sdo të guxonte ta prishte rendin, të thyente rregulloren e punës së Kuvendit e aq më pak të thërriste mbledhje pa izën e tij. Por, tash shansin e kemi të humbur.
Ndaj i kemi punët llugë. Krejt çka mund të behet tash për tash është që vëllezërit Bajra ta hartojnë vetë një këngë edhe për bacën Curr, siç kanë hartuar këngë për ata trima, që e kanë paralizuar tashmë jetën shtetërore të këtij vendi.
Dëmi që po i shkaktojnë vendit këta trimat e kënduar është shumëfish më i madh se sa i plakut që e ka ruajtur si kujtim një pushkë, qoftë dhe të dhuruar nga një antishqiptar si Aleksandër Rankoviqi.(Epoka e re)