Azem Hajdari, histori jete dhe vdekjeje
Shkruar nga Gani Qarri
(1963-1998)
Azem Shpend Hajdari u lind më 11 mars të vitit 1963,në Tropojë dhe vdiqmë 12 shtator të vitit 1998,i vrarë në një atentat të organizuar,paraselisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë,në Tiranë.
Heroi i Demokracisë,sikur dora e krimit të tregohej më e mëshirshme dhe të mos e ndante nga jeta, para kohe,ai në marsin e këtij viti do të festonte 50-vjetorin e lindjes, si bashkëshort,prind dhe baba i të paktën tre fëmijëve që la, dy djem e një vajzë, Kirjaldi, Rudina, dhe Azemi i vogël, i cili u lind katër muaj,pas vrasjes së të atit, dhe trashëgoi emrin e tij.
Aktiviteti dhe shkollimi i heroit
Pas mbarimit të Gjimnazit në Vendlindje, Azemi më 1987,do vendosej në kryeqytet për regjistrimin e studimeve në fakultetin e shkencave politiko-juridike për të diplomuar fillimisht më 1993,në filozofi, kurse më 1995, edhe në fakultetin juridik,pranë Universitetit të Tiranës.
Krahas studimeve të juridikut,ai në vitet 1993-1994, ndoqi edhe mësimet e gjuhës angleze dhe ato pasuniversitare për filozofi,në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1996,mbaron kurset kualifikuese, për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, të organizuara nga NATO, pranë Qendrës studimore, George C. Marshall, në qytetin Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë.
Në Universitetin e Tiranës, Azemi jo vetëm se do të binte në sy si njëri ndër studentët më të dalluar për guxim dhe vendosmëri, por që nga fillimi i organizimeve politike ,në dhjetorin e vitit 1990,ai do të zgjidhej udhëheqës i Lëvizjes Studentore për të hy krenar dhe ballëhapur në historinë më të re të kombit shqiptar, si një nga figurat kryesore dhe më serioze e të gjitha ndryshimeve demokratike,në Shqipërinë e viteve të 90-ta.
Kjo Lëvizje, nën udhëheqjen e përkushtuar të Azem Hajdarit, çoi në përmbysjen e shpejt dhe të pakthyeshme të diktaturës komuniste,vendosjen e demokracisë dhe sistemit pluralist në Shqipëri,duke përfunduar një herë e përgjithmonë, periudhën mese gjysmë shekullore,të mbylljes dhe izolimit hermetik të vendit.
Në krye të saj,ai do të qëndronte nga dhjetori i vitit 1990,deri në shkurt të vitit 1991,i cili pas përfundimit me sukses të misionit të shenjt studentor, do të zgjidhej kryetar i komisionit nismëtar për formimin e partisë së parë pluraliste në vend- të njohur si Partia Demokratike e Shqipërisë,të cilën edhe do ta kryesonte për disa muaj.
Nga shkurti i vitit 1991,Azemi ishte deputet i kësaj partie në parlament, i cili pas rënies së diktaturës,për katër vite me radhë,do të zgjidhej edhe kryetar i komisionit parlamentar, për siguri dhe shërbimin informativ të vendit- SHIK.
Ai, falë korrektesës dhe vendosmërisë së tij,ato vite u bë aq i dashur, sa që çdo klub,bashkim apo organizatë kërkonte me ngulmë të identifikohej me frymëzimet e heroit të demokracisë, sikur në këtë mënyrë arritjet dhe sukseset që ato dëshironin, të shënonin tempin e përmasave mitike që atë kohë, kishte marrë Emri i tij.
Ndaj,si klubi sportiv, \"Vllaznia\" e Shkodrës,Federata Shqiptare e Arteve Marciale, në vitin 1995,ashtu dhe bashkimi i sindikatave të vendit,ekzistencën dhe veprimin e të cilave përveç tij, pak kush e dëshironte,në vitin 1996,kishin zgjedhur Azem Hajdarin,për kryetar të tyre.
Nga muaji nëntor i vitit 1996, do të zgjidhej president i Unionit të Pavarur Tregtar,ndërsa nga janari i vitit 1997, Kryetar i Komisionit Parlamentar të mbrojtjes.
Megjithatë, përkundër të gjitha shërbimeve që ai i bëri atdheut dhe kontributit të jashtëzakonshëm për demokratizimin e vendit të tij, për dallim nga të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e ditëve të para, vetëm heroi i Demokracisë,asnjëherë nuk u zgjodh në asnjë pozitë shtetërore apo post ministror, qoftë edhe për një mandat të vetëm.
Trazirat e vitit 1997
Për fat të keq, pas një demokracie të brishtë e cila më tepër ekzistonte si shprehje e dëshiruar sesa vepër që gjente shtrirje të vërtetë në terren,gjendja politike në vend, assesi të dilte nga telashet e njëpasnjëshme të cilat pas mbirjes së \"piramidave\"të cilat me mashtrime,shkatërruan edhe atë pak pasuri të shqiptarëve, u përshkallëzuan aq keq dhe deri në atë masë sa që në pranverën e vitit 1997, do të rrëshqiste drejt një lufte civile,shkak i së cilës përveç fajeve të brendshme,u bënë edhe shërbimet e fshehta greke dhe serbe, që për vite të tëra, kishin gjet hapësirë dhe mundësi të pakufizuara veprimi, kudo në Shqipëri.
Në atë kohë,nga ajo sa kemi parë përmes ekraneve televizive,dëgjuar nga radiot dhe lexuar në shumë shkrime gazetash të ilustruara me fotografi, nga \"vendi i ngjarjes\", arsyetimet për kryengritje dhe shpjegimet për shkaqet e saj, nga disa kapo-banda në jugun e Shqipërisë, si për inat të shqiptarëve - bëheshin në gjuhën greke, kurse përshëndetjet të cilat duhej të paraqisnin \"idealin e kryengritësve\" ishin tre gishtërinj të ngritur në mënyrën serbe.
Trazirat e atij viti, quan në vrasje e shkatërrime të mëdha dhe ndërrimin jo tërësisht paqësor të pushtetit, kur udhëheqjen do ta merrnin socialistët, në mesin e të cilëve kishte edhe pjesëtar të nomenklaturës së vjetër komuniste.
Megjithatë, për fat të keq, edhe pas ndryshimeve në pushtet, vendi nuk gjeti qetësinë e nevojshme, gjendje e cila dëshmonte se në Shqipëri nuk luftohej për liri, demokraci dhe mirëqenie të popullit siç ishte deklaruar, premtuar dhe bërë \"shkak\" i luftës, por për mbisundim dhe pushtet të pakufi të partisë sunduese, si në kohën e diktaturës.
Ndaj në shënjestër të të gjitha sulmeve do të vihej, pikërisht Heroi i Demokracisë.
Nga atentatet deri te vrasja:
Që nga qershori i vitit 1997, deri në shtatorin e vitit 1998, kundër udhëheqësit të jetës pluraliste dhe udhërrëfyesit të demokracisë në vend, Azem Hajdarit, u organizuan mëse gjashtë atentate të njëpasnjëshme të cilat përgatitën një fund të pamerituar për Heroin dhe vrasjen përfundimtare të tij.
Sulmi i parë ndodhi vetëm pak kohë pas trazirave dhe ndryshimeve në pushtet, që në qershorin e vitit 1997, me ç`rast në vendin e quajtur Shkallnuer ,pranë qytetit të Durrësit do të hidhej një bombe kundër tij.
Atentati i dytë, pasoi rreth dy muaj më vonë nga një pritë e organizuar në vendin e quajtur Qafa e Buallit, afër Sarandës.
Atentati i tretë,ndodhi mu në korridorin e Parlamentit shqiptar më 18 shtator të vitit 1997,në vendin ku do duhej të ipej shembull për mbar kombin sesi dëshmohet demokracia dhe çmohet jeta e njeriut,para altarit të fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe,në Kuvend, Azem Hajdari,do të plagosej rëndë me pesë plumba, nga deputeti socialist, Gafurr Mazreku.
Atentati i katërt, u organizua në Milot më 14 shkurt të vitit 1998,derisa ai udhëtonte me të birin atëherë-14 vjeçar, Kirjaldin,me ç`rast makina e blinduar e Azemit , do të sulmohej me breshëri automatiku.
Atentati i pestë dhe i parafundit, para se ai definitivisht të vritej,ndodhi më 3 qershor të vitit 1998, në vendlindjen e tij në Tropojë,me ç`rast, Azemi edhe kësaj radhe do të shpëtonte, por do të plagosej, drejtori i atëhershëm i RTSH-s.
Vrasja tragjike, ndodhi më 12 shtator, të vitit 1998, në atentatin e gjashtë me radhë, të organizuar brenda pak më tepër se një viti kundër tij,ngado që ai mund të lëvizte, ane e këndë Shqipërisë, duke vrarë Azem Hajdarin, në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Për realizimin e aktit makaber, atë mbrëmje të errët me të reshura shiu,derisa mbahej një tubim i Partisë Demokratike, Azemin do ta thërrisnin bashkëpartiakët dhe bodigardët e Berishës,të dilte para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, shkurt dhe vetëm për pak minuta për tu vrarë përfundimisht në \"besë\", Heroi i Demokracisë, në mënyrë ende të pa sqaruar sa dhe si duhet.
Likuidim politik
Sipas të gjitha gjasave dhe shpjegimeve të deritanishme, Azem Hajdarin,disa njerëz e deshën me çdo kusht te vdekur,ngase eliminimi i tij fizik, u shërbente atyre për forcim pozitash dhe ngritje në karrierë!
Është shumë interesant se si me ndihmën e 52 deputetëve komunistë, ish-shërbëtor të PPSH, lojën kundër Heroit të Demokracisë, i pari do ta niste Sali Berisha i cili qysh në seancën parlamentare të 28 shtatorit të vitit 1992: inskenoi heqjen e imunitetit,me tendencë- dënimin e mundshëm dhe largimin qoftë të përkohshëm apo edhe përfundimtar të Azem Hajdarit ,nga politika.
Azemi, ndoshta duke parandjerë atë që e priste,ai qysh në vitin 1992, para deputetëve të kuvendit, përafërsisht kështu do të shprehej:
Unë di shumë gjëra dhe njeriu që di, duhet të zhduket
Në kohën kur unë mora vendim që të jepja jetën, fëmijët dhe familjen, nuk e dija që ju do të më çnderonit, në këtë mënyrë.
Megjithëse jam i shqetësuar me zhvillimet politike,unë nuk i kërkoj asnjërit mëshirë. Asnjëherë Nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj as sot,ndaj,le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature të re.
Isha udhëheqës i Lëvizjes Studentore,për disa muaj kryetar i Partisë Demokratike dhe nënkryetar i saj. Domethënë problemi është politik, unë di shumë, dhe njeriu që di duhet të zhduket.
Por unë nuk largohem nga Shqipëria, as unë as fëmija im.
Tentimi i dytë për largimin e tij nga PD.
Tendencat për mënjanimin politik të tij,asnjë herë nuk pushuan edhe brenda partisë që i takonte. Ndaj më 9 janar të vitit 1997,kryetari i \"demokratëve\" me ndonjë bashkëmendimtar, përmes një shkrimi në faqet e para të gazetës partiake,Rilindja Demokratike,për herë të dytë brenda pesë vitesh, bënte thirrje për përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi parlamentar i PD-s!
Duke qenë i sulmuar nga çdo anë,përfshi edhe PD-n, nismëtar i formimit të së cilës ishte vet Azem Hajdari, sipas shumë shkrimeve në një numër të madh mediash,motivet e vrasjes së tij konsiderohen politike, ndërsa organizator të mundshëm të atentatit, përflitet të kenë qenë bodigardët e vitit 1997 të Sali Berishës, për hesape të politikës.
Dyshimet,forcohen edhe më tepër, bazuar në mënyrën e nxjerrjes përjashta të Azem Hajdarit nga mbledhja e PD-s,e cila natën e 12 shtatorit 1998, ende vazhdonte punimet,në kohën kur ai u vra bashkë me truprojën e tij, aty afër dhe mu para zyrave të selisë së PD-s, në mes të Tiranës.
Një variant paraprijës i cili edhe një herë më tepër përmend truprojat e Berishës,për involvim në përgatitjen e vrasjes së Heroit të Demokracisë, e jep edhe Prokurori i dosjes \"Nr.106\" të Azem Hajdarit, Violent Çaniku,nga Gramshi, i cili në një intervistë të dhënë kohëve të fundit për \"sot news\" thekson se atentati u përgatit me ndihmën e SHISH-it, vetëm pak muaj, para aktit tragjik, të vrasjes.
Sipas kujtimeve të tij,më 17 korrik të vitit 1998,së pari do të arrestoheshin truproja e Berishës, Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj, në Gramsh \"për trafikim armësh\",me ç`rast do të përhapej qëllimshëm një lajm i rrejshëm, kinse arrestimi i tyre ishte bërë me porosi të Azem Hajdarit.
Madje, për tu përshkallëzuar gjendja edhe më keq,atë kohë nga SHISH, ishte përpiluar edhe një dokument i nënshkruar nga Fatos Klosi,ku thuhej se burgosja e Isamedin Haxhisë dhe Halil Haklajt, u dashtë të bëhej kinse pas një thirrje të \"drejtpërdrejtë\" telefonike nga Azem Hajdari, gjë që edhe pse do të dëshmohej si e pavërtetë e madhe,do të qonte në armiqësi të pa ndreqshme, për jetë a vdekje në mes të të arrestuarve dhe Azem Hajdarit.
Shkak i gjithë kësaj armiqësie,sipas prokurorit të dosjes së Azem Hajdarit, V. Çaniku,do të bëhej pikërisht dokument i falsifikuar,i cili qëllimisht do tu dorëzohej si \"dëshmi\" dy të arrestuarve, Isamedin Haxhisë dhe Halil Haklajt.
Madje edhe pse gjykimi i tyre për trafikim armësh, ishte caktuar për 20 tetor të vitit 1998,pas një vizite të shkurtër në Gramsh,nga ministri i \"drejtësisë\" Thimio Kondi dhe shefit të SHISH-it, Fatos Klosi,si datë gjykimi do të vendosej 4 shtatori i vitit 1998, me porosinë për lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve, dhe urdhër të prerë, që hetuesia të mos merrej më me këtë çështje.
Ndaj, pas lirimit,të nxitur nga posedimi i dokumentit të falsifikuar nga SHISH-i, ish të arrestuarit për trafikim armësh,kishin tentuar të hakmerreshin menjëherë ndaj Azem Hajdarit.
Edhe pas vrasjes së Azemit më 12 shtator të vitit 1998, të parët që do të arrestoheshin ishin, Isamedin Haxhiaj e Fatmir Meta,komisar i policisë së Tropojës, kurse për pjesëmarrje në atentat u akuzua edhe Halil Haklaj, i cili do të vritej më 4 gusht të vitit 1999, përpara se të kryheshin arrestimet për vrasjen e Heroit të Demokracisë.
Me gjithë dyshimet,përpjekjet e kalkulimet, autorët e vërtetë dhe nxitësit e këtij akti tragjik,deri më sot nuk dihen.
Sipas një shkrimi të autorit Andi Bushati,me titull \"Të panjohurat e një krimi\" në pranverën e vitit 2002 gjykimi i rastit Hajdari,pati një maratonë prej 65 seancash në të cilat nuk u mor asnjë vendim bindës, dhe mbetën dyshime të pa mbuluara, edhe për faktin se sipas A.Bushatit,vetëm dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, nga banka e kursimeve në Tiranë, u dërguan 600 milionë lekë në drejtim të Tropojës, të cilat u vodhën nga të njëjtët njerëz që kishin kryer krimin dhe që kontrollonin realisht këtë provincë problematike të Veriut...( Andi Bushati,Të panjohurat e një krimi,\"ylli press\" 24.09.2010)
Për fat të keq në pak më tepër se 100 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptarë, jo vetëm një herë ka ndodhur që Heronjt e Kombit,ti dekorojnë edhe ato duar apo njerëz të cilët, më parë, vet mund ti kenë vrarë, për qëllimet e tyre meskine.
Madje, shumë vrasje, nuk janë sqaruar kurrë deri në fund, siç nuk u zbardh tërësisht as vrasja e Azem Hajdarit.
Sipas deklaratave të prokurorit të çështjes-Viloent Çaniku,kryeministri që udhëhoqi vendin nga 2005 deri në shtator të vitit 2013, Sali Berisha, që në muajin gusht të vitit 1999,i kishte të gjitha dëshmitë për rinisjen e hetimeve, i cili pati dhënë premtime të forta se pas ardhjes në pushtet do të rihapej dosja e vrasjes së Azem Hajdarit.
Mirpo, ish Kryeministri dhe kryetari i PD-s, jo vetëm se nuk u mor asnjë herë, gjatë gjithë këtyre viteve,me këtë çështje, por përkundër insistimeve të prokurorit Çaniku , edhe pse erdhi dhe qëndroi për 8 vite në pushtet, kurrë nuk e hapi dosjen e vrasjes së Heroit të Demokracisë dhe nuk e pranoi asnjëherë Prokurorin në takim.
Ndaj,Prokurori i çështjes, shpreh bindjen se pas gjithë kësaj pritje të gjatë,më në fund duhet të veproj vet Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit, e cila i ka të gjitha dokumentet e nevojshme nga hetuesia, për rihapjen e dosjes së Azem Hajdarit.
Ajo që bëri deri më tani,kryesia e PD-s, ishin disa manifestime të lokalizuara për shprehje dhembshurie ndaj Heroit të Demokracisë,duke organizuar nga viti 1999,në mënyrë simbolike përkujtimin e përvjetorëve të rënies së tij.
Ndaj,vetëm sivjet me rastin e 15 vjetorit të vrasjes si dhe 50 vjetorit të lindjes së Azem Hajdarit,për herë të parë, përkujtimi i tij nga PD,u bë në mënyrë zyrtare, eshtrat e të cilit më në fund u vendosën në vendin e merituar, përmes një ceremonie të organizuar shtetërore në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Në anën tjetër, në shenjë mirënjohje ndaj kontributit që ai dha për lirinë,demokracinë,pluralizmin dhe çështjen kombëtare, Azem Hajdari u nderua me mirënjohjet më të larta nga personalitetet kryesore udhëheqëse të shteteve dhe popullit që heroi i takon.
Dekorimet:
1, Urdhri \"Nderi i Kombit\" -më 7 shtator 2002, nga Presidenti Alfred Mojsiu
2. \"Medalja e lartë e Lidhjes së Prizrenit\", më 2003, nga Ibrahim Rugova.
3. Urdhri \"Gjergj Kastrioti-Skënderbeu\"më 12 shtator 2008,nga Presidenti Topi
4. Urdhri i \"Flamurit Kombëtar\"me, 11mars të vitit 2013, nga presidenti, Bujar Nishani
5.,Pishtar i Demokracisë
6. Qytetar nderi i Tiranës, Vlorës, dhe pothuajse të gjitha qyteteve dhe komunave të Shqipërisë.
Të gjitha këto mirënjohje dhe vlerësime të veçanta, dëshmojnë edhe një herë se ai ishte dhe mbeti hero i demokracisë, besnik i çështjes kombëtare, dashamirë i vërtetë i shqiptarëve kudo,mik i sinqertë i Rugovës dhe Adem Jasharit si dhe gjithë luftëtarëve të lirisë së Kosovës,deri në ditën e ndarjes së tij tragjike nga jeta.
Ai,në krye të Lëvizjes Studentore, i priu ardhjes së Demokracisë në vend, pas mese një gjysmë shekulli diktaturë, të cilën edhe pse vet nuk arriti ta gëzojë për shumë kohë, ajo u bë përgjithmonë pronë e patjetërsueshme e miliona shqiptarëve, anë e mbanë Shqipërisë.
Për fat të keq,si shpërblim i gjithë kontributit të tij njerëzor e kombëtar,ai u ekzekutua në mënyrë shumë të dyshimtë, nën hijen e një thirrje gjurmëmbuluese për tubim partie, nën terrin e një mbrëmje të vrenjtur me riga shiu, të cilat sikur kishin ardhur me porosi, për fshirjen e gjurmëve të krimit të asaj nate tragjike.
Me atentatin ndaj tij, është vrarë edhe një nga vlerat më të çmuara të demokracisë,e cila që nga ajo kohë ka devalvuar çmimin e jetës në minimum, kurse shprehja e mendimit dhe fjalës së lirë duhet kursyer e peshuar mirë ,në kandarin e vdekjes bashkë me plumbin e hakmarrjes dhe likuidimit, para se ato të marrin dhen,sepse ka mundësi që në një shtet pa ligj dhe drejtësi të vërtetë, si në vendet tona, vrasësit e mundshëm të bëjnë jetë të lumtur dhe të qetë,midis publikut të \"urtë\" që nuk i sheh as i njeh me dëshirë.
Vrasja e tij, bëri që 12 shtatori i vitit 1998,tu bashkohet ngjarjeve më të hidhura të historisë së kujtimeve tragjike shqiptare,datë e cila që nga ajo kohë numëron përvjetorët e rënies së Azem Hajdarit,dhe mban të pa harruar \"Vrasjen e Shekullit XX\" siç do ta quante i madhi Ismail Kadare,mbetur një mister i mjegulluar nëpër kohë dhe Enigmë e pazbardhur deri në fund,me gjithë kalimin e shumë viteve dhe ndërrimin e disa hershëm të pushteteve në vend.
Burimet:
Azem Hajdari, përjetësisht në Varrezat e Dëshmorëve -gazeta \"Dielli\", September 12th, 2013
Hajdari prehet te Dëshmorët. Basha: Ndarja nga diktatura, rilindja e vërtetë , Bota Sot | 12.09.2013 16:38
Azem Hajdari: Nuk largohem nga Shqiperia!*,gazeta \"Dielli\" September 12th, 2013
Andi Bushati,Të panjohurat e një krimi, \"ylli-press\" 24.09.2010.
Ina Jano; Azem Hajdari nderohet me Urdhrin e Flamurit, standard.al, 12.mars 2013
Kongresmeni Engel paraqet deklaratë për nder të Azem Hajdarit, Bota Sot | 11.09.2013 22:34
Arben Imami: Azemi më tha; Të mos e lëshojmë PD pa u çliruar Kosova, Gazeta Panorama e Martë, 12 Mars, 2013
Bislim AHMETAJ; Azem, flamur ti svdes kurrë!, Bota Sot | 13.03.2013
Ramiz Lushaj; Shtëpia e Azem Hajdarit . gazeta 55, 13-03-2013
Andrea Stefani, AZEM HAJDARI, Plumba dhe Medalje ,gazeta \"shqip.com\",13 Mars 2013
Përparim Halili ;Ish prokurori i çështjes Hajdari: \"sot newes\", Tuesday, March 12, 2013 - 11:27