23 Dhjetor 2024

Azem Galica dhe shteti i Arbërisë

Shkruar nga Gani Qarri

Me gjithë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike,pas sundimit shumëshekullor të Perandorisë turke,liria e shqiptarëve u pengua prapë,por tani nga shtetet hegjemoniste fqinje përmes zaptimit të shpejtë të pjesëve më të mëdha të trojeve tona, nga ato.

Disa zona u pushtuan para e disa edhe pas shpalljes së Pavarësisë, ndaj kjo detyroi burrat e dalluar të kombit që edhe një herë të kapnin pushkët ende të pa ftohura nga luftimet me Turqinë dhe të nisnin një luftë të re për çlirim,nga pushtuesit e ri grek e sllavë.

Edhe pse shqiptarët, çliruan me luftë atdheun e tyre, siç dihet, pjesa më e madhe e tokave tona, u bënë menjëherë pre e pushtimeve të reja, hapësira më e madhe e të cilave do të shkelej nga Serbia e cila që nga ajo kohë u kthye në okupatoren më të madhe të trojeve tona etnike përfshi edhe Kosovën si vendburimin e kryengritjeve dhe organizimeve më të fuqishme luftarake të kohës në hapësirat e të gjithë etnikumit shqiptar.

Ndaj,pushtimi i vendeve tona nga sllavët do ti detyronte shqiptarët që pa hezitim edhe një herë të kapnin pushkët për lirin e tyre dhe nisnin përsëri luftën për çlirimin e trojeve të okupuara nga sllavët, padrejtësisht.

Njëri nga trimat më të njohur të kohës dhe luftëtarët më të mëdhenj të vendit,që do të hynte si hero në historinë e qëndresës kombëtare shqiptare, padyshim ishte Azem Bejtë Galica i cili edhe pse i ri do ti udhëhiqte luftimet e zhvilluara që në pranverën e vitit 1913, në fshatin Mikushnicë, ku do të vritej vëllai i Shotë Galicës, Dan Radisheva (Ramadani) dhe do të kapej rob edhe Azemi ,për tu internuar në kampin e tmerrshëm të Runikut, të formuar nga Serbia për mundimin dhe keqtrajtimin deri në vdekje të shqiptarëve.

Por, pas shumë torturave mbytjeve dhe tmerreve që përjetonin të burgosurit shqiptar aty, familjarët do të sulmonin kampin, për lirimin e bijve të tyre të cilët vdisnin nën torturat çnjerëzore të pushtuesve serb.

Ndaj ushtria dhe xhandarmëria serbe në shenjë hakmarrje,do ti rreshtonte të gjithë të burgosurit shqiptar të këtij kampi për ti pushkatuar, me ç`rast Azem Bejta, përmes plumbave të togës së pushkatimit, i plagosur lehtë kishte mundur të arratisej.

Por,sipas shënimeve të studiuesit Bedri Tahiri,në librin \"Azem Bejtë Galica\"pas ikjes nga kampi,ai do të hetohej, plagosej dhe kapej prapë nga xhandarmëria serbe në Malet e Drenicës.( Prof. Bedri Tahiri, libri \" Azem Bejtë Galica\" 1995 Shkëndija Prishtinë)

Pas arrestimit, xhandarmëria serbe do ti merrte edhe dy vëllezërit e mëdhenj të tij nga shtëpia, dhe në vitin 1913,nga frika e arratisjes së sërishme, që të tre do ti dërgonte në Pozharevc në burgun me sigurinë më të lartë dhe më të rëndin e kohës,në Serbi.

Pas dy vjetësh vuajtje e torturimi, trupi i Azem Galicës dhe vëllezërve të tij ishin regjur e kalitur sa që duronin çdo lloj dhembje e mundimi,por jo edhe poshtërimin që u bëhej atyre nga Serbia.

Ndaj më 1915,ata mezi kishin pritur pranverën e atij viti, për të dëshmuar edhe njëherë zgjuarsinë e luftëtarëve kryengritës dhe trimërinë e heroit kombëtar, si Azem Galica,i cili kishte arritur që në një mbrëmje të asaj pranvere ti dorëzonte rojet serbe, ti hapte dyert e burgut të Pozharevcit, dhe bashkë me vëllezërit, të armatosur me armët e grabitura nga rojet e burgut, ti vrisnin edhe disa nga xhandarët serb që do tu viheshin atyre në ndjekje,ani pse nuk gjendeshin në Kosovë, ata luftonin trimërisht edhe në mes të Serbisë.

Pra,pas arratisjes nga Burgu i Pozharevcit,dhe një udhëtimi të mundimshëm i cili do të zgjaste për disa ditë e net me radhë, të ndjekur hap pas hapi nga flakët e pushkëve dhe pritave e rrethimeve të pa ditura gjithandej tokave të panjohura të Serbisë edhe pse shpesh herë ranë nën rrethime të hekurta atyre ditëve e netëve të errëta e të vështira duke u përndjekur këmba-këmbës derisa arritën në atdheun e tyre Kosovën e pushtuar dhe vendlindjen djegur.

Ata nga një udhëtim i pabesueshëm, do të mbërrinin si engjëjt e bardhë të lirisë në Drenicën e mjegulluar nga tymi e flaka e vënë në çdo anë nga pushtuesit serb,duke kaluar një rrugëtim \"mitologjik\", për ditë e netë të gjata e të errëta pa ujë e ushqim, pa mundur ti ndalonte askush nga banorët serb të cilët i kishte thirr shteti në ndihmë as ndjekja e pa reshtur nga xhandar e ushtar,për të kaluar faqebardhë qindra kilometra largësi, fushave dhe maleve të Serbisë.

Për herë të parë,gjatë gjithë kohës sa do të zgjaste  pushtimi serb i trojeve tona, vetëm Azem Bejta me vëllezërit e tij,mundën të arratiseshin nga burgjet e largëta në thellësi të Serbisë e të arrinin gjallë dhe shëndosh e mirë në Kosovën e tyre të pushtuar,megjithëse edhe aty nuk i priste asnjë parajsë me lule, por një luftë e rreptë për mbijetesë dhe liri, jo vetëm për vete dhe familjen por për të gjithë bashkëkombësit nën robëri.

Ndaj Azem Bejta edhe pse i ri,ai do të pritej me shpresa të mëdha nga të gjithë shqiptarët të cilët ëndërr kishin çlirimin e vendit dhe bashkimin me Shqipërinë, për çka edhe do të luftonin me nderë e trimëri deri me rënien e tyre në altarin e lirisë.

Ndaj,shumë fshatra dhe vendbanime shqiptare do ti bashkoheshin kryengritjes me vetorganizim, udhëheqës i të cilave,pas një kohe jo të gjatë do të emërohej trimi Azem Bejtë Galica.

Ai qysh në vitin 1912, do të konfrontohej me serbët si 23 vjeçar për të mos pushuar asnjëherë deri në vdekjen e hershme të tij si hero, kur ishte vetëm në moshën 35 vjeçare,duke mbetur përherë një prijës i paepur dhe gjithmonë në konfrontim të hapur me Serbinë, kundër së cilës nuk e ndaloi asnjëherë pushkën çlirimtare, deri në çastet rënies së tij heroike në luftë për liri kombëtare,çlirimin e trojeve të okupuara nga pushtuesi sllav dhe bashkimin e tyre me shtetin amë Shqipërinë.

Azem Bejta ishte dhe mbeti ndër luftëtarët më të mëdhenj dhe trimat më të dalluar që pati vendi në ato vite të rënda kur populli ynë mezi mbijetonte nën okupim, i cili me heroizmat e tij, jo vetëm se do të bëhej shembull për trimëri por do të shndërrohej edhe në një burrështetas si dhe arkitekt të shtet-ndërtimit në kohët më të vështira që përjetonin shqiptarët nën okupimin sllav.

Qysh në moshën 31 vjeçare, Azemi si rrallë ndonjë luftëtar tjetër,do të hynte ballëhapur dhe krenar në histori, duke arritur i pari të krijonte në zemrën e Kosovës së pushtuar dhe Drenicën heroike,shtetin e tij të lirë,që atëbotë do të pagëzohej me emrin e ndritur \"Arbëria e Vogël\",për tu njohur dhe shënuar përjetë me germa të arta në historinë e kombit tonë, një pjesë e të cilit,për fat të keq edhe sot vuan,ngase përkundër përpjekjeve të pareshtura,ende mbetet i ndarë dhe nën pushtim.

Pra, Azem Bejta, pas disa vitesh kryengritjeje,shumë betejave të zhvilluara dhe luftimeve të vazhdueshme e të pa ndalura kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë pushtuese serbo-sllave,me vendosmërinë dhe heroizmin e treguar nga ai dhe luftëtarët sypatrembur shqiptar,detyruan përfaqësuesit shtetëror e ushtarak të pushtuesit serb që në qershor të vitit 1920, në emër të ashtuquajturave \"zona të lira\" siç quheshin atëkohë oazat e çliruara në brendi të trojeve shqiptare nën okupimin sllav,të pranonin krijimin e një \"shteti të pavarur\" shqiptar në mes të Drenicës.

Ky ishte shtet i parë i këtij lloj në rajon e më gjerë që atëbotë do ti epej një emër i njohur i cili nga shqiptarët kujtohet edhe sot me nderim dhe ruhet përherë me nostalgji, duke hyrë përgjithmonë në analet e historisë sonë kombëtare, si  shteti i quajtur,\"Arbëria e Vogël\".
 
Përveç Zonës Neutrale të Junikut e cila do të përfshinte Junikun me disa vendbanime,shteti i sapokrijuar shqiptar në Drenicën heroike, me Komunën e atëhershme të Prekazit historik, si qendër të tij,do të shtrihej edhe në 10 fshatra përreth, të cilat përbënin \"tërësinë e përcaktuar gjeografike\" të tij dhe ishin brenda kufijve të territorit të njohur si shtet.
 
Madje,shteti i Arbërisë,kishte edhe forcat e armatosura të tij i cili për ushtri pati luftëtarët e zgjedhur shqiptar,të çetës së Azem Galicës, trupat e të cilëve u kthyen në mburojë të pakalueshme ndaj ndërhyrjeve të ushtrisë dhe xhandarmërisë pushtuese sllave në territorin e lirë, edhe pse ajo ishte e rrethuar në të gjitha anët nga forcat armike serbe,të cilat si hienat e uritura për gjak njeriu,prisnin padurim- momentin e përshtatshëm për ta gllabëruar Shtetin e Arbërisë.

Në kohën sa zgjatën këto ngjarje historike, Azem Bejta do të formonte edhe një Qeveri të pavarur vendore e cila do ti sundonte e administronte territoret e çliruara sipas ligjeve dhe të drejtave shqiptare, duke ndaluar çfarëdo përzierje dhe ndërhyrje të Serbisë nga jashtë, në shtetin e pavarur të Arbërisë.

Madje,megjithëse luftimet në mes luftëtarëve të Azem Galicës dhe Serbisë si pushtuese e trojeve tona shekullore, nuk do të pushonin asnjëherë edhe pas marrëveshjes për krijimin e \"Zonave të lira në Kosovë\", shteti i vogël shqiptar i Arbërisë, rezistoi fort dhe qëndroi trimërisht i lirë e i pa epur, duke mos u dorëzuar asnjëherë,para asnjë sulmi sado të rëndë,beteje apo vështirësie çfarëdo qoftë ajo, për 4 vite me radhë, që nga qershori i vitit 1920, e deri në korrikun e vitit 1924, kur do të përmbyllej historia e tij.

Në atë muaj, forca të shumta serbe të ardhur nga Shkupi dhe Serbia,me armatime të rënda lufte dhe topa artilerie më modern të kohës,do të sulmonin befasisht Arbërinë,me ç`rast do të plagosej rëndë dhe binte heroikisht edhe prijësi e krijuesi i sajë heroik-Azem Bejtë Galica me shumë bashkëluftëtar në mbrojtje të shtetit dhe lirisë së Arbërisë,duke u shuar kështu,pas 4 vitesh lufte e qëndrese heroike për jetë a vdekje edhe \"Arbëria e Vogël\" si shtet.

Bashkëluftëtarët e mbetur bashkë me Shote Galicën,trupin e pajetë të tij,do ta varrosnin në një vend të panjohur për armikun, kurse luftën edhe për disa vite do ta udhëhiqte, bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e tij, Shote Galica e cila deri në vdekjen e saj në moshë të re, nuk ju nda asnjëherë luftës, me bashkëluftëtarët e mbetur të lirisë.

Por me gjithë rënien e tij dhe të shumicës së bashkëluftëtarëve të lirisë, lufta e nisur nga Azem Bejtë Galica,me gjithë rëniet dhe ngritjet e intensitetit, si dhe ndryshimet në formë dhe dimensionet e veprimit, ajo nuk do të ndalej kurrë nga shqiptarët, deri në çlirimin e përhershëm të Kosovës dhe arritjen e pavarësisë së saj nga pushtuesit serb.
 

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)