Aventura Thaçit me Gjykatën Kushtetuese
Shkruar nga Gani Qarri
Hashim Thaçi po bënë përpjekjet e fundit dhe ndërmerr çdo gjë të mundshme, për ta anashkaluar edhe Kushtetutën e vendit si dhe Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që fazën finale të dialogut me Serbinë, ta përmbyllë ashtu siç do ai dhe vetëm me nënshkrimin e tij personal.
I përballur me kritika të shumta e të gjithanshme dhe mungesën totale të mbështetjes nga partitë politike të vendit, për çuarjen përpara të çmendurive të tij aventureske në fazën finale të dialogut me Serbinë, kuislingu Hashim Thaçi po insiston me këmbëngulje, për mbajtjen gjallë të qëndrimit të tij anti-Kosovë pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi deri te ato kundër kushtetuese.
Madje Thaçi ka shkuar aq larg, duke provokuar jo vetëm Gjykatën Kushtetuese, por duke rrezikuar edhe rendin kushtetues të vendit me shtruarjen e një pyetje djallëzore kësaj Gjykate,përmes së cilës kërkon direkt nga institucioni më i lartë kushtetues, që t`ia heq qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai dëshiron ti bëj sipas dëshirës së tij, me Brukselin dhe Serbinë.
Për arritjen e këtij qëllimi, Hashim Thaçi po keqpërdor në mënyrën më banale, një dispozitë- njëherëshe të marrëveshjes Kosovë-BE, mbi vazhdimin e mandatit të EULEX’it, vazhdimi i të cilit, është bërë vetëm me dërgimin e anasjelltë të shkresave ndërmjet Presidentit të vendit dhe Përfaqësueses së Lartë të BE’-s.
Këtë marrëveshje të përkohëshme, që ka të bëjë vetëm me mandatin e EULEX-it, Thaçi po insiston, që në mënyrë djallëzore, ta shndërrojë me forcë në vendim presidencial, për shitjen e territoreve të Kosovës.
Kështu që pas mbylljes së të gjitha dyerve për avancimin e çmendurive të tij aventureske, ai së fundmi i ka rënë në qafë edhe vet Gjykatës Kushtetuese, të cilën përmes ndikimeve të veta dhe të Klanit PRONTO, po përpiqet ta detyrojë, që ajo tani, ti hap rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës.
Këtë akt të parecedent, ai e ndërmori si shancën e fundit, për ti shpëtuar Gjykatës speciale, me të cilën qeveria serbe, shihet se po i rri dhe do ti rri edhe në të ardhmen mbi kokë, deri në realizimin e qëllimeve të saj, për shkëputjen e veriut të vendit tonë me vendimin dhe nënshkrimin personal të Hashim Thaçit.
Se Hashim Thaçi nuk është i vetëm në aventurat pro-serbe për ndarjen e Kosovës, e vërtetoi së fundmi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili pranoi publikisht që ka punuar fshehurazi me Vuçiqin për ndryshim kufijsh në dëm të Kosovës dhe trojeve shqiptare.
Deklarata të tilla dëshmojnë katërçipërisht se për zhbërjen e shtetit të Kosovës, Serbia as që ka fare nevojë për ndihmën e Rusisë, asaj i mjafton puna e djallit që po bëjnë tandemi Edi Rama dhe Hashim Thaçi, të cilët shihet hapur se jo vetëm që janë shndërruar në argatët më besnik të Aleksandër Vuçiqit dhe dorë të zgjatur të Serbisë, por realisht ata po deklarojnë vet se përfaqësojnë hapur, interesat ruso-serbe në tokat tona.
Madje Hashim Thaci e ka marrë aq me zell punën e ndryshimit të kufijve duke rrezikuar edhe zhvlerësimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, më 2010, mbi ligjësin e Pavarësis së Kosovës, dhe po i ngutet aq shumë për realizimin e këtij plani shkatërrues për vendin, sa që pas kundërshtimeve të gjithanshme të projekteve të tij ogurzeza për shuarjen e shtetit tonë të brishtë,don ta detyrojë edhe Gjykatën Kushtetuese të futet në shërbim të tradhtive të tij kombëtare e shtetrore.
Ai duke llogaritur në ndikimet që ka vet mbi gjykatat dhe gjyqtarët kudo në Kosovë, ndihmën e SHIK-ut dhe Klanit PRONTO, në fillim të këtij muaji, ka vendosur ta sfidojë edhe Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke i kërkuar asaj që ta interpretojë, një dispozitë të vetme të nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me një ratifikim të njëhershëm, të marrëveshjes ndërkombëtare, për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, e cila si marrëveshje e përkufizuar vetëm për këtë mision,është bërë përmes letërkëmbimit të thjeshtë të presidentit të vendit dhe përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian,por që nuk guxon të kthehet në leje për shitje territoresh, këmbim as korrigjim të kufijve shtetrorë.
E pasi që, si tërësi-neni 18 i Kushtetutës së Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me dispozitën mbi mandatin e EULEX-it,, por edhe me çështjen e territorit, çështjet politike dhe ushtarake të vendit,lidhjen e paqes dhe aleancave të shtetit tonë me vendet tjera, si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, etj, kuislingu Hashim Thaçi me shpresën se përveç të drejtës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, do ta marrë dritën e gjelbër edhe për shitjen e territoreve të vendit, kërkon nga Gjykata Kushtetiuese që dispozitën njëherëshe të letërkëmbimit të vitit 2018 në mes të Presidentit dhe Përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian,ta shndërrojë në vendim për këmbimin e territoreve me Serbinë dhe atë vetëm me nënshkrimin e Presidentit pa ratifikim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Fatkeqësisht megjithëse kërkesa e Presidentit të Kosovës për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës u është dërguar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët deri më datën 28 shtator, kanë të drejtë t’i japin komentet e tyre lidhur me këtë tendencë antikushtetuese të Thaçit, çudit fakti se si nga asnjë deputet deri më tani, qoftë pozitë apo opizitë,jo vetëm se asnjëherë nuk është ngritë kërkesa për shkarkimin e këtij presidentit kontrovers e të shantazhuar deri në palcë nga Serbia, por edhe prej asnjërës nga partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, nuk bëhet përpjekje minimale që të merren masat e parapara për ta ruajtur sistemin demokratik të Republikës Parlamentare nga çdo formë e autoritarizmit e despotizmit të një individi të tillë të papërgjegjshëm si Hashim Thaçi.
Ndaj duke pasur duart e lira nga partitë politike vendore dhe aluduar në dispozitën e lartcekur mbi vazhdimin e mandatit të EULEX-it, me përgjithësimin e pyetjes, të shtruar në mënyrë aq djallëzore, se: "A konsiderohen të ratifikuara- marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga Presidenti, pa i dërguar ato në Kuvend dhe pa marrë fare miratimin e deputetëve me 2/3 e votave", duke përzier dhe hijëzuar ato me dispozitën njëherëshe, për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, Thaçi po tenton që sërish ta fus Kosovën në një cikël të ri dhune e tensionesh, protestash e trazirash, vetëm e vetëm që përsëri ai të shfaqet si “shpëtimtari” i kombit, siç ka dëshmuar edhe deri më tani, se di ta mashtrojë një popull të tërë.
Kështu që, për çfarëdo që mund të ndodhë,tanimë dihet hapur, se përveç fajeve të pafund politike të kuislingut Hashim Thaçi dhe kalbjes së tij edhe në miliarda të grumbulluara në mënyrë kriminale, shkaku i të cilave tash ai mendon si të dalë i pa lagur dhe pa u përballur me drejtësinë për krimet e veta sa ishte kryeministër dhe tani president, përgjegjësinë kryesore para popullit dhe ligjit,nuk do ta mbajë më vetëm ai dhe PDK, por edhe partitë tjera e veçanërisht opozita kontroverse dhe totalisht e pa organizuar.