28 Mars 2024

Autostrada anti-kombëtare, anti-rajonale dhe anti-evropiane

Shkruan Isa Mulaj


“Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojnë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë derisa shteti mund t’i hedh pluhur syve popullit nga pasojat politike, ekonomike dhe/ose ushtarake të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës, dhe kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i [pu]shtetit [të Kosovës]” – Joseph Goebbels, Ministër i propagandës në qeverinë e Gjermanisë Naziste.

U ndezën edhe një herë motorët e propagandës emocionale për rëndësinë e një projekti jo transparent dhe autostradën pa krye në Kosovë. Gjithë ky bagazh i propagandës është i njohur për të gjithë ata që kanë qenë dhe janë në rrjedha të jo transparencës dhe konspiracioneve. Numri i arkitektëve kryesor të këtij projekti gjysmë-sekret është aq i “madh” sa që nuk e arrin normën dyshifrore. Atëherë, çka ka të bëjë kjo me kombin shqiptar, Shqipërinë, Kosovën, rajonin dhe integrimin e shpifur euroatlantik?

Cilat janë gënjeshtrat bazë për autostradën e “kombit”?

E para, paqartësia rreth relacionit të saj. Fillimisht ishte theksuar Vermicë – Merdare, me gjatësi 117 km. Pastaj u mor vendimi që ajo të devijohet për Malishevë dhe të përfundoj në fshatin Besi, diku në periferi të Prishtinës, me gjatësi më të shkurtë, ose 103 km. Asnjëra prej tyre nuk është versioni përfundimtar dhe zyrtar.

E dyta, çmimi i përgjithshëm prej 700 milionë €. Me çmimin mesatar të kontraktuar prej 7,5-8 milionë € për një km autostradë, ky fond nuk mjafton as për 100 km, prandaj relacioni Vermicë – Besi nuk qëndron, e lërë më ai për Merdare. Mirëpo, çmimin e vendos punëkryesi i njëjtë sikur në Shqipëri. Konsorciumi Bechtel&Enka ishte kontraktuar për hapjen e tunelit të Kalimashit dhe ndërtimin e 60 km autostradë për 400 milionë €, por para dy javëve fatura tij u bë mbi 1 miliardë €, ose mbi 150 për qind më shtrenjtë. Kjo është arsyeja pse Bechtel&Enka nuk luan Bingo.

E treta, autostrada e “kombit” nuk është kryevepra, por kryekorrupsioni i Kosovës. Propaganda është e qëllimshme dhe kurrfarë analize nuk mund ta arsyetoj realizimin e saj.

E katërta, “Lidhja e Kosovës me Shqipërinë dhe tërë rajonin, në udhën tonë të pakthyeshme drejt integrimeve euroatlantike”, është shpikur enkas nga Kryetari Kosovës, Fatmir Sejdiu.

E pesta, përfitimet ekonomike. Kjo është e vërtetë nëse i përjashtojmë qytetarët e Kosovës dhe në to i llogarisim vetëm përfitimet e grupeve të interesit duke i plaçkitur qytetarët. Qeveria nuk ka kurrfarë analize rreth përfitimeve dhe dëmeve nga autostrada e “kombit”.

Autostrada në “zemër të Kosovës” përpos anti-kombëtare, është edhe anti-rajonale dhe anti-evropiane

Autostrada fillon në Vermicë, vjen deri në Therandë, aty kthehet për Malishevë dhe del në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë. Autostradat kudo në botë ndërtohen për lidhjen e qyteteve të mëdha. Në Kosovë, qyteti më i madh dhe kryeqyteti është Prishtina. Pas tij vjen Prizreni. Autostrada Vermicë – Malishevë e bën ndarjen e Prizrenit me Prishtinën. Si? Në Therandë ajo devijohet për Malishevë për t’u futur në magjistralen Prishtinë – Pejë. Gjatësia e këtij devijimi (deri në Prishtinë) është 28 km. Secili qytetar dhe biznes nga Prizreni, me logjikën ekonomike, nuk ka kurrfarë arsye të futet në autostradë dhe të shpenzoj 28 km më tepër (aq më pak nëse autostrada bëhet me pagesë), prandaj vazhdojnë ta shfrytëzojnë rrugën e vjetër për në Prishtinë, pa pagesë. Në rastet ekstreme, prizrenasit dhe therandasit kur u bie rruga për në Prishtinë, do ta shfrytëzojnë autostradën Vermicë – Malishevë – Prishtinë nëse i kanë të ardhurat për kokë banori të Norvegjisë, naftën e Arabisë Saudite dhe kohë të tepërt. Asnjërën nuk e kanë.

Çfarë lidhjesh krijon autostrada me qytetet tjera të mëdha të Kosovës? Autostrada nuk kalon nëpër rrafshin e Dukagjinit ose qytetet si Gjakova dhe Peja. Dikush do të mendonte se vlera e kësaj autostrade për ato qytete është kurrfare, e disa më largpamës dobinë e shohin diku prej mesit të Kosovës deri në Prishtinë. Ç’është e vërteta, autostrada Vermicë – Malishevë – Prishtinë i sjell dëme të pallogaritshme Gjakovës, Deçanit, Pejës, Istogut, Klinës, Gllogovcit (Drenasit) dhe Skenderajt, ose gjysmës së Kosovës. Të gjitha këto qytete për të udhëtuar në Prishtinë, Shkup, Luginë të Preshevës dhe tutje, shfrytëzojnë magjistralen Prishtinë – Pejë, ose aty ku po synohet të zbrazet autostrada. Paramendoni tash kësaj t’i shtohet ngarkesa e të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria nga autostrada Durrës – Kukës – Morinë se çka bëhet në Arllat, Komoran e deri në Prishtinë. Bëhet “lamë thiu” krejt, edhe sikur të ketë hapësirë për ndërtimin e dhjetëra korsive të autostradës me gjerësi të përgjithshme deri në 100 metra, dhe dihet se kjo është vetëm mundësi imagjinare edhe sikur t’i kemi në dispozicion 10 miliardë € vetëm për këtë qëllim. Kosova është vend me hapësirë tokësore të vogël dhe sipërfaqe të pamjaftueshme të tokës bujqësore. 

“Lamës së thive” në komunikacionin Prishtinë – Komoran – Arllat, Kryetari i Kosovës mendon se do t’i bashkëngjitet qyteti i Ferizajt. Fatmirësisht jo. Ferizaj do të shpëtoj nga “lama e thive” në “zemër të Kosovës” sa herë udhëton për në Prizren dhe Shqipëri. Podujeva (Besiana) do të jetë pashmangshëm pjesë e saj sa herë merr drejtimin nëpër Prishtinë për në qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, duke përjashtuar Suharekën dhe Prizrenin kur ka mundësi të shfrytëzoj rrugën ekzistuese shumë më të shkurtë se autostrada e “kombit”.

Autostrada ka për destinacion përfundimtar lidhjen me Serbinë. Serbia është treguar e mençur dhe e arsyeshme duke u treguar qartë politikanëve të Kosovës dhe projektit të tyre të korruptuar në formën: “Ku po e thyeni qafën e po doni me këtë autostradë 30 metra të gjerë? A nuk e shihni se këtej është rrugë normale e gjerësisë 6 metra dhe e tillë do të mbetet? A nuk gjetët vend më të keq për t’u integruar me ne nëpërmjet autostradës pos këtu? Pse ju nuk doni të integroheni me vëllezërit tuaj në Luginën e Preshevës? Aty po u ndihmojmë ne dhe Evropa me autostradë. Largësinë e kyçjes në të nga kufiri i juaj e keni vetëm disa kilometra, dhe ato janë në gjendje t’i ndërtojnë banorët e fshatrave shqiptare me fondet e xhepave të tyre të cekët. Nuk ka nevojë për qindra miliona euro, vetëm në rast se dikush dëshiron t’i vjedh ato në bashkëpunim me Bechtel&Enka”.

Autostrada e “kombit” favorizon krijimin e Serbisë së Madhe. Serbia nuk është fajtore për këtë, por një gjë të tillë po ia imponojnë politikanët e Kosovës me autostradën e tyre, deshi e s’deshi Serbia. Korridorin 10 Serbia do ta shfrytëzoj për lidhje me enklavat serbe në komunën e Gjilanit. Ju e dini se çfarë kërdie janë duke bërë politikanët “tanë” me decentralizim në baza etnike në atë komunë. Këtu del në sipërfaqe ndërlidhja e drejtpërdrejtë politike dhe ekonomike kundër rajonit të Gjilanit dhe Luginës së Preshevës nga politika e Kosovës.

Devijimi i autostradës prej Lipjanit për në Bujanovc plotëson të tri kriteret e integrimit: i) ndëshqiptar; ii) rajonal; dhe iii) evropian (Korridori 10 nëpër Serbi dhe Luginë të Preshevës është projekt evropian). Kundër të gjitha këtyre integrimeve është autostrada e “kombit”.

Orientimi i autostradës për Maqedoni i plotëson kriteret e katër integrimeve: i) ndërkosovar (lidhjet me Gjilanin dhe Ferizajt), ii) ndërshqiptar (shqiptarët në Maqedoninë perëndimore); iii) rajonal (lidhjet me shtetet fqinje); dhe iv) evropian (Korridoret 10 dhe 8 nëpër Maqedoni janë pan-evropiane).

Devijimi i autostradës për Mitrovicë ndoshta do ta integronte këtë qytetet brenda Kosovës, ndarja e të cilin është legalizuar nga politika në mes të urës mbi lumin Ibër. Si bëhet bashkimi dhe integrimi rajonal e evropian me autostradë kur ndarja qenka e mundur në mes të qytetit dhe në mes të urës?

Me cilin shtet tjetër po integrohet Kosova me këtë autostradë pa krye? Mos me Malin e Zi, sidomos me pjesën lindore dhe juglindore të tij ku jetojnë shqiptarët? Absolutisht jo. Autostrada e “kombit” nuk ka lidhje me këtë integrim ndërshqiptar dhe rajonal, sepse urrejtja më e madhe e autostradës politike dhe klanore të Kosovës, është kundër viseve të banuara më shqiptarë, kudo qofshin ata, në Luginë të Preshevës, Maqedoni perëndimore, juglindje dhe lindje të Malit të Zi. Simpatia më e madhe e autostradës së “kombit” për integrim është me rajonet prej nga kanë hyrë dhe dalë makineria vrastare dhe kriminelët e Millosheviqit, të burgosurit shqiptarë, dhe zhdukja e shumë të tjerëve nga Kosova në Serbi.

Autostrada e “kombit” nuk i ndihmon zhvillimit ekonomik, por është varri i ekonomisë

Thuhet se në projektin e autostradës do të punësohen 4,000 punëtorë vendas. Numri i vendeve të punës që mund të krijohen në sektorin ekonomik me 700 milionë €, është së paku 20 fish më i madh. Për më tepër, punësimi në projektin e autostradës është i përkohshëm (më së shumti 3 vite). Kjo shkakton çrregullim të përkohshëm në tregun e punës. Me përfundimin e punimeve në autostradë, punëtorëve do t’u nevojitet një rikualifikim për veprimtari tjera (dhe kjo kushton), sepse Kosova nuk është në kurrfarë pozite të ndërtoj autostrada me shpenzime qindra milionëshe deri në pakufi.

Autostrada merr resurset nga sektorët produktiv dhe i hedh ato në një sektor të ngrirë. Kështu luftohet mirëqenia ekonomike e qytetarëve edhe ashtu të varfër të Kosovës. Me këtë bie poshtë çdo gënjeshtër e politikanëve se autostrada ndikon në përmirësimin e mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Përkundrazi, e shkatërron ashiqare. Arkitektët e autostradës së “kombit” kanë dalë në media dhe pllakate qyteteve të Kosovës me parullën “Zhvillimi po merr rrugë”. E vërtetë; zhvillimin por e merr dhe ngulfat rruga.

Financimi i autostradës së “kombit” nëpërmjet shitjes së çdo pasurie kombëtare

Realizimi i këtij projekti përmban shumë të panjohura. Për fillim janë ndarë 50 milionë € nga buxheti i Kosovës, që përfaqëson vetëm 7.1 për qind të fondit të përgjithshëm. Në dy vitet vijuese, me përndarjen e buxhetit në mënyrë diskriminuese në favor të MTPT-së, mund të ndahen nga 50 milionë. Gjithsej 150 milionë € për tri vite. Nga do të sigurohen tjerat? Nga kreditë e Bankës Botërore (BB) dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)? Jo. FMN-ja dhe Komisioni Evropian ia kanë mbledhur betë Qeverisë se nuk do t’i marrë 50 milionë € donacione pa nënshkrimin e marrëveshjes me FMN-në, dhe rrezikon t’i humb edhe 100 milionë tjera si mbështetje për buxhetin e Kosovës që ishin premtuar në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel në korrik të vitit 2008. Me çka ka të bëjë ajo marrëveshje ose kushtëzim i FMN-së ndaj Qeverisë? Me reduktimin e administratës publike, që vjen nga punësimet e pa baza në bazë të nepotizmit, klaneve, akrabave, korrupsionit, ryshfeteve, shantazheve, përkatësive politike, përvojën në krimin e organizuar, tradhtisë ndaj kombit dhe shtetit, bashkëpunimit me mafinë ndërkombëtare, etj.

Mos do të vijnë mjetet si kredi nga BB e cila ka tjera prioritete për Kosovën; mbështetjen e zbutjes së varfërisë duke gjeneruar punësimin. BB e di se mirëqenia ekonomike nuk matet me asfalt dhe beton për kokë banori. Është shumë interesante heshtja e qëllimshme që ia bëri BB ceremonisë së fillimit të punëve për autostradën. BB nuk e përkrah projektin e autostradës së Kosovës që nuk lidhet me asnjë nga korridoret pan-evropiane, dhe për shkak se autostrada e “kombit” është anti-kombëtare, anti-rajonale, dhe anti-evropiane.

Kur Hashim Thaçi thotë se nuk do të kursej asgjë për autostradën, ai mendon t’i shes ndërmarrjet e mëdha publike si PTK-në, KEK-un, Aeroportin dhe paratë e tyre t’i hedh në asfaltin e autostradës pa krye. Por nuk është qëllimi i tij që të gjitha paratë nga shitja e këtyre ndërmarrjeve të përfundojnë në autostradë. Ai do që, me një pjesë të parave nga e shitja e çdo gjëje të Kosovës nëntokë, mbi tokë dhe në ajër, të blej ose importoj nga Serbia: uji “Vlasinska Rosa”, Eurocrem “Cipiripi”, plazma keksa, moka, “shtapiça”, “zvakaça” dhe sheqerka lëpesë “Chupa-Chups”. Me këtë variant, financimi i ndërtimit të autostradës është i pamundur. 

Autori është drejtor nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA) 


Lexo me shumë

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)