Atrofia e demokracisë dhe opozita në Kosovës
Nëse normaliteti dhe shëndeti demokratik i një vendi matet edhe me raportet pozitë - opozitë në Kuvend dhe jo vetëm në Kuvend, apo thënë më ndryshe, nëse kjo matet me atë sa janë konstruktive, konkurruese, bindëse, rivale, aktive por edhe të forta, këto raporte, atëherë mund të konstatohet se Kosova nuk është vend normal, Kosova nuk ka shëndet demokratik të mirëfilltë dhe në këtë rrafsh tash sa kohë demokracia e saj ka pësuar atrofi.
A kemi të drejtë të konstatojmë kështu? Po, sepse edhe përkundër faktit se gjithnjë e më shumë qytetarët e Kosovës po binden për gabimet e mëdha që kjo qeveri është duke i bërë, për më keq gjithnjë e më shumë po bindemi se kjo Qeveri në një ose mënyrë tjetër është duke qenë pjesëmarrëse aktive në afera të ndryshme korruptive, pozita është duke u përpjekur dhe negociuar seriozisht për të hapur një shans të ri, një mundësi të re, për qytetarët e Kosovës. Veni re këtë po e bënë pozita, kjo ofertë nuk po vjen nga opozita.
Këtu në rend të parë duhet të përmendet Ramush Haradinaj dhe AAK-ja. Indicet janë të njohura dhe duket se çdo ditë po bindemi se do të ndodhë një koalicion ndërmjet kësaj force politike dhe koalicionit aktual qeveritar.
Çdo të thotë kjo? Kjo për një pjesë të qytetarëve të Kosovës do të thotë se, duhet pritur.
Kjo nënkupton se pozitës po i shkon për dore ta krijoj këtë mundësi dhe këtë mendësi. Sa është reale sa jo, mbetet të pritet dhe të zbulohet e vërteta.
Por kjo në tjetrën anë do të thotë të amortizohet pakënaqësia, që dita ditës po bëhet bazë mbi të cilën strukturohej një revoltë e heshtur, që mezi pret zgjedhjet e ardhshme për ta ndëshkuar këtë Qeveri.
Nga një pjesë e qytetarëve, do të thotë dhe do të komentohet në stilin, të presim e të shohim se çfarë do të bëj Ramush Haradinaj, çfarë risie për të mirë do të sjell AAK-ja në këtë koalicion dhe të tjera të kësaj natyre.
Të shohim dhe të presim. Kjo do të thotë se shpresat për diçka ndryshe dhe për diçka më të mirë do të vijnë me gjithë këtë situatë jo prosperuese, nga pozita në pushtet, apo thënë më saktë, nga ndryshimet që do të bëhen në këtë koalicion.
A ka sens për ta bërë këtë pritje? Gjithsesi se për një pjesë të qytetarëve të Kosovës do të ketë. Fakti se Ramush Haradinaj ishte për një kohë jo të shkurtë në burg, fakti se ai për këtë kohë edhe një herë, tash në një formë jo të rëndomtë, u identifikua me pjesën më të mirë të asaj që njihet si luftë e armatosur në Kosovë për liri, fakti se për të deri sa ishte në burg përveç tjerash ndihej një lloj dhimbje, një lloj keqardhje, sepse ishte baba dhe burrë i një familje, se ishte vëlla i dëshmorëve, bëri që ai të akumuloj poenë moral duke mos vepruar, thjeshtë duke qenë në burg.
Ai gjatë gjitha kohës akumuloj poenë të tillë, thjeshtë në mënyrë të tërthortë, pasive, sepse nuk ishte pjesë e pozitës e cila bëri gabime të mëdha, as edhe duke mos qenë pjesë e opozitës e cila diti herë të nguroj, herë ta teproj, por asnjëherë të jetë unike dhe të bashkërendoj veprimet kundër pozitës dhe të vije me një ofertë serioze për qytetarët e Kosovës.
Sikur të kishim një opozitë unike e cila do të kishte prirje që të niset jo nga parimet të cilat i kanë vërë si premisa për ndër bashkëpunime e që deri më tani janë bërë përjashtuese për të bërë bashkëpunim konstruktiv mbase Haradinaj do të mendohej më gjatë se a po hyn të bëhet pjesë e kësaj Qeverie të korruptuar. Por opozita në Kosovë nuk është e tillë dhe Haradinaj as që i shkoj mendja të hezitoj ti bashkohet qeverisë.
Opozita është jo unike dhe nëse flasim për dy partitë kryesore opozitare LDK dhe VV nuk duket asnjë projekt apo koncept në horizont se mund ti bashkoj ato, përkundër faktit se mund të flitet për shumë pikëtakime në koncepte dhe kritika që bëjnë sidomos kundër qeverisjes aktuale.
Qasja e AAK-së, konkretisht e z. Haradinaj në emër të mos ikjes nga përgjegjësia nacionale, me çka aludohet për pjesëmarrje në bisedimet me Serbinë, ka humbur mundësinë e madhe që për një kohë të shkurt të bëhet opozitë konstruktive, të hapet një perspektivë e re dhe të shpërbëhet kjo Qeveri.
Të gjitha këto na japin të drejtë të konstatojmë se opozita në Kosovë thjeshtë është zhgënjyese dhe pa gjasa reale të konsolidohet si forcë reale politike. Për rrjedhojë demokracia në Kosovë është atrofike, sepse nuk funksionon normalisht raporti pozitë - opozitë.
Përkundër të gjithave janë qeveritarët aktual ata që po ju shkon për dore ta bëjnë një ofertë të re kurse opozita vazhdon me kritika parciale, duke i zhgënjyer të gjithë ata që kanë votuar për partitë opozitare e që janë shumica e qytetarëve të Kosovës.