Ata që veprojnë fshehurazi nuk mund ta përfaqësojnë popullin
Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje!
Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës janë shqetësuar nga një deklaratë e dëmshme e këshilltarit të Presidentes, Ramush Tahiri. Duke folur për një medium nga veriu i Kosovës, Z.Tahiri, thotë se strukturat e Beogradit brenda Kosovës janë legjitime. Kjo është më shumë sesa një deklaratë e pamatur.
Ky është qëndrim politik. Strukturat e Serbisë mund të jenë të ligjshme vetëm për Serbinë e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj, por kurrsesi nuk mund të jenë të ligjshme për Kosovën. Për Kosovën të ligjshme janë vetëm strukturat institucionale të Republikës së Kosovës të definuara me Kushtetutë.
Tahiri duhet ta qartësoje për opinionin e gjerë se kë e ka përfaqësuar vërtet kur ka dhënë një deklaratë të tillë. Ajo që ka thënë këshilltari i Presidentes me siguri që i ka trimëruar strukturat e Beogradit në synimet e tyre kundër shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Deklarata e z.Tahiri është përpjekje për ti hapur rrugë bisedimeve me Serbinë për veriun e Kosovës.
Strukturat e Serbisë në Kosovë janë kriminale të paligjshme dhe antikushtetuese. Si të tilla ato duhet të ndiqen penalisht. Me to duhet të merren institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Me krimin e organizuar nuk mund të ketë kurrfarë kompromisi.
Në Republikën e Kosovës është i paligjshëm dhe jolegjitim çdo post publik antikushtetues. Liderët e komunave serbe në veri të Kosovës janë të zgjedhur ne zgjedhjet e Serbisë të mbajtura në Kosovë padrejtësisht dhe kundër ligjeve tona. Në Republikën tonë legjitime mund të jenë vetëm një palë zgjedhje. Në të kundërtën çdokush dhe çdo shtet paska të drejtë të organizojë zgjedhje në Kosovë. Kjo është e papranueshme.
Deklaratën e z.Tahiri edhe më shqetësuese e bën pranimi i faktit se Presidentja ka pasur takime të fshehta me krerët e strukturave të paligjshme të Beogradit. Kjo tregon se udhëheqësit tanë institucionalë jo vetëm që bëjnë veprime të gabuara, por, pikërisht për shkak të kësaj, janë jotransparentë. Ata bëjnë marrëveshje dhe takime prapa shpinës së qytetarëve.
Pikërisht për këtë, ata që bëjnë veprime të fshehura nga populli nuk mund ta përfaqësojnë atë. Vlerat bazike të demokracisë janë llogaridhënia dhe transparenca. Në vend që Presidenca ta jepte një shembull të kundërt nga Qeveria, ajo po vepron po sikur të ishte agjenci e Qeverisë. Dhe, kështu është.