Ata që i rrahin fëmijët do t'i mallkojë loti i tyre
Shkruar nga Ahmet Pllana
Fëmijët janë bukuria e kësaj bote. Fëmijët janë engjuj. Fëmijët janë lulet e shtëpive. Shpeshherë prindërit në shtëpi, edukatoret në çerdhe dhe mësuesit në shkolla, harrojnë se fëmijët janë lule, janë engjuj, andaj ngrisin dorë mbi ata.
Si të ngritet dorë mbi engjuj?! Prindërit në mungesë të vetëdijes se fëmijët janë engjuj, i rrahin me shuplakë, grushta, rryp, shkop, pandofle...! Edukatoret e pa shpirt i rrahin fëmijët në çerdhe. Mësuesit i rrahin fëmijët në shkollë.
Ata që i rrahin fëmijët, që bëjnë dhunë ndaj fëmijëve, janë të pashpirtë. Të pashpirtët bëjnë dhunë ndaj fëmijëve, sepse ata janë të pa fuqishëm dhe të pa mbrojtur. Ata që i rrahin fëmijët do t’i zë mallkimi, qofshin prindër, mësimdhënës apo edukatorë dhe loti i tyre do t’i mallkojë.
Me ligj ndalohet dhuna fizike, por edhe dhuna psiqike ndaj fëmijëve. Nuk është as njerëzore, as edukative që të rrahen fëmijët, madje nuk bën as të bërtitet as të qortohen tërë ditën, duke i kërcënuar ata se do t’i rrahin, se do t’ua thejnë kokën, etj.
As prindët e as arsimtarët nuk kanë të drejtë të ushtrojnë dhunë fizike e as dhunë psiqike ndaj fëmijëve apo nxënësve të tyre, andaj sipas ligjit dënohen.
Si nuk kanë ndërgjegje, si nuk kanë shpirt, si nuk ju vjen mëkat t'i rrahin fëmijët?! Ju thaftë dora atyre që janë të pashpirt, qofshin ata prindër, edukatorë në çerdhe apo mësimdhënës në shkolla, që i rrahin fëmijët e pambrojtur vetëm se munden, vetëm se janë të vegjël, vetëm se janë të pafuqishëm!
Ata kur të rriten do t'ua mbajnë në mend rrahjet që u kanë bërë prindërit dhe arsimtarët! Loti i fëmijëve do t'i mallkojë ata që i rrahin fëmijët! Zoti i madh do t’i dënojë të gjitha ata që bëjnë dhunë ndaj fëmijëve dhe nuk do ta shohin ditën e vet as në këtë botë e as në botën tjetër.
Lutemi me lutjen deri në qiell: Aman mos i rrahni fëmijët! Ligji kundër dhunës ndaj fëmijëve duhet të zbatohet në praktikë në mënyrë që mos të kemi dhunë ndaj fëmijëve tanë, ndaj dritës së syve tanë, ndaj ardhmërisë sonë!
Të shpresojmë që Qeveria e re e zgjedhur nga populli të marrë masa kundër dhunës ndaj fëmijëve.