25 Dhjetor 2024

Ata (nuk) kanë ide

Shkruar nga Ali Mehmeti

Të gabosh është njerëzore; të pranosh gabimin dhe ta korrigjosh, është madhështore. Sikur të kishin ide të konkurueshme, ata do i ballafaqonin me idetë e të tjerëve. Në sistemin demokratik pastaj votohet për ide të ndryshme dhe në fund fiton njëra.

Madje edhe idetë mund të kombinohen dhe plotësojnë njëra tjetrën për interesin e organizatës.

Ata që sot po japin dorëheqje nuk kanë ide që mund t’i paraqesin para anëtarëve të LVV-së.

Sepse idetë e tyre janë në kundërshtim të thellë me programin dhe parimet e vetëvendosjes.

Ata nuk mund të thuan se ne jemi për zbutjen e kritereve karshi zajednicës, karshi demarkacionit, karshi bisedimeve me Serbinë, karshi flamurit dhe himnit, karshi bashkimit kombëtar dhe të gjihtë atyre parimeve tjera që e dallojnë LVV-në nga partitë tjera dhe për shkak të cilave dita ditës marrin më shumë e më shumë vota.

Madje ka kohë, që dikush atyre ju pëshpërit në vesh, se jo vetëm zbutja e qëndrimeve por edhe largimi i Albin Kurtit nga kandidatura për kryeministër, është e domosdoshme që LVV të vijë në pushtet.

Natyrisht, sepse pa largimin e Albinit nuk mund të pritet zbutja domethënëse e këtyre kritereve.

Prandaj kërkohet moskandidimi i Albinit për kryetar të LVV (lexo: për kryeministër) me arsyetime banale ... mungesë diskutimi, linçime, metoda ...

Si ka mundur të refuzoj diskutimet Albin Kurti kur Visar Imeri ishte kryetar dhe Dardan  Molliqaj sekretar organizativ, pikërisht ata që përgatisin mbledhjet dhe caktojnë rendin e ditës!?

Metodat?! Shpesh kam dëgjuar nga njerëzit e zakonshëm, jo-partiak, se janë kundër zajednicës dhe demarkacionit, por janë edhe kundër mënyrave se si LVV po gjuan gaz lotsjellës brenda kuvendit.

Prandaj ata që po japin dorëheqje sot po thirren edhe në metoda, sepse është fjalë që lehtë “ngjitet” në publik. Cilat na paskan qenë ato metoda demokratike që do e ndalnin aprovimin e zajednicës dhe demarkacionit?

A i propozuan ndonjëherë? Apo e kanë fjalën për metodat ne të ardhmen, pasi u bënë edhe vet deputet dhe nuk janë të gatshëm të gjuajnë gaz lotsjellës në rast nevoje.

Dhe mungesa e përgjigjes në pyetjen kryesore: pse Albin Kurti nuk duhet të kandidoj për kryetar të LVV, i nxjerr zhveshur të gjithë ata që flasin për metoda, linçime ...?

Por edhe shumë pyetje tjera mund t’ju shtrohen nga aktivistët e LVV dhe jo vetëm.

Pra, flasin për shmangie nga diskutimet, kurse kur kërkohet të diskutohet ata japin dorëheqje nga të gjitha funksionet në LVV, madje as nuk vijnë nëpër forume ku do duhej të diskutohet!

Kur flasin për metoda, nuk propozojnë metoda të reja! Kur flasin për linçime, të tjerëve ua ndalojnë të prononcohen në rrjete sociale, kurse ata vet prononcohen nëpër televizione dhe rrjete sociale!

Dhe si kulmi i hipokrizisë; japin dorëheqje nga funksionet në LVV por nuk japin dorëheqje nga funksioni i deputetit! A thua, deputet u bënë si emra të përveçëm, apo i trashëguan nga të baballarët?

Nuk japin dorëheqje, sepse aty kanë gjetur strehën e sigurt për një të ardhur dhe për një trampolinë nga ku mund të ngritin çmimin e vetës së tyre.

Nëse nuk do mund të bëhen të gjithë ambasadorë në Vatikan, sepse vendin ua ka zënë një ish kolege e tyre, do gjendet ndonjë vend për ndonjë zëvendësministër, këshilltar, anëtarë bordi, drejtor agjensioni për ata vet apo të afërmit e tyre, fitimi i ndonjë tenderi apo ndonjë benefiti tjetër që mund të ofroj pushteti.

Të gjithë të dorëhequrit duan ta dinë se pëshpëritësit e tyre dhe klima që ata po mundohen të krijojnë në opinion, nuk janë edhe miq të tyre, të Kosovës edhe më pak.

Në momentin që realizojnë qëllimin e tyre do ti hedhin si limonin e shtrydhur. Siç e dinë të gjithë, kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë. Ju do jeni mes dy zjarreve.

Ose do përkrahni këtë qeveri në mënyrë pasive apo aktive, ose do kontribuoni në rrëzimin e saj.

Nëse kontribuoni në rrëzimin e saj sikur grup i ndarë parlamentar e dini se pas zgjedhjeve të  reja nuk do rizgjidheni për deputet, së paku jo si deputet të LVV, kurse, nëse e përkrahni do ju dal boja përfundimisht dhe karrierat e juaj politike do marrin fund. Në të dy rastet do jeni të humbur.

Ende keni mundësi të pendoheni. Të gabosh është njerëzore; të pranosh gabimin dhe ta korrigjosh, është madhështore.     

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)