Aspekti psiqik dhe ligjor për rezistencë ndaj tatimeve
Shkruar nga Ma. Sc. Burim Haliti
Një nga sfidat bazike dhe shumë të rëndësishme të ndërtimit të shteteve moderne në kuptimin funksional nënkuptohet edhe lufta kundër shmangies nga tatimi apo evazioni tatimor.
Po ashtu edhe vendi ynë si shtet i cili çdo ditë e më shumë po e konsolidon veten në kuptimin përmbajtësor ka bërë shumë në këtë drejtim, por ende është larg standardeve moderne të cilat aplikohen në shtetet më bashkëkohore të botës.
Sipas analizave të shumta teorike rezistenca ndaj pagesës së tatimeve shkaktohet për dy arsye: kur kemi ngritje të normave tatimore dhe atëherë kur nuk kemi një mekanizëm efikas në mbledhjen e tatimeve.
Shoqëria kosovare sa i përket kësaj çështje është ende e brishtë në kuptimin e krijimit të stabilitetit për të mbledhur tatimet në mënyrën më të mirë të mundshme, mirëpo ne duhet pasur parasysh se zhvillimi i vendit në përgjithësi nuk varet vetëm nga investimet e ndryshme nëpër sektorë të ndryshëm.
Por një zhvillim i qëndrueshëm varet nga krijimi i mekanizmave ligjor se si duhet ti mbledhim të hyrat e rregullta apo tatimet.
Sistemi tatimor tek ne, në kuptimin ligjor juridik ka një bazë të mirëfilltë dhe solidë të funksionimit, mirëpo në aspketin praktik kemi disa zbrazëtira apo ngecje në kuptimin e mbledhjes së tatimit në mënyrë të kënaqshme si rezultat i asaj se ende nuk kemi krijuar një sistem mekanizëm efikas në mbledhjen e të hyrave të brendshme.
Rezistenca ndaj tatimit ka edhe efekt psikologjik për arsye se qytetarët jo gjithmonë janë të kënaqur me investimet që qeveria i bën në vend nga mbledhja e tatimeve dhe si rezultat i kësaj atëherë kemi raste kur në aspektin logjik dhe praktik qytetarët jo vetëm tek ne, por në të gjitha shtetet e botës hezitojnë të paguajnë tatimet të cilat nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Normale është sikur çdo qytetar të kërkojë që të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë por është joligjore, sepse të mirat nga pagesa e tatimeve qytetarëve ju sjellën në mënyrë indirekte sepse këtë e parasheh legjislacioni dhe është plotësisht e drejtë.
P.sh: nëse me paratë e mbledhura nga tatimet ndërtohet ndonjë objekt shkollor, qerdhe, spital, teatër apo ndonjë palestër sportive atëherë qytetarët nuk e hezitojnë të paguajnë sepse në mënyrë indirekte janë përfitues të këtyre projekteve, mirëpo nëse investohet në ndonjë fushë jo tërheqëse atëherë rezistenca është shumë e madhe ndaj pagesës së tatimeve.
Sipas analizave të shumta del se më së shumti rezistenca ndaj tatimeve bëhet ndaj atyre të cilat kemi të bëjmë me të ardhura personale dhe në tatimin në fitim (tatimet direkte) sepse mundësia për tu kontrolluar këto dy fusha është më e vogël andaj edhe rezistenca është në shkallë më të madhe deri sa shteti i nxjerr mekanizmat për ta inkasuar tatimin.
Ndërsa me pak tentohet që të rezistohet ndaj të hyrave që realizohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe nga të hyrat e doganës (të hyra indirekte) sepse mënyra që shteti të ketë nën kontrolle këto të hyra është më e lehtë dhe më praktike.
Atëherë kur kemi shtrëngim për mbledhjen e të hyrave tatimore, kemi edhe zvogëlim të fuqisë ekonomike të obliguesit tatimor sepse atij mund ti ndryshojë gjendja në rrethin jetësor dhe atë të punës.
Andaj shmangia nga pagimi i tatimeve apo evazioni tatimor siç e njeh literatura e kemi në të gjitha sistemet tatimore në botë, por në një masë shumë të vogël tek shtetet moderne dhe në një masë jo të kënaqshme te shtet të cilat janë në zhvillim për shkak të mungesës së mekanizmave bashkëkohorë.
Evazioni tatimor ndodh për shkak të neglizhimeve për ta zbatuar gjuhen e ligjit në të gjitha sferat e jetës në shtet dhe si rezultat i kësaj edhe kemi dëmtim të të hyrave buxhetore të cilat janë më se të nevojshme për çdo shtet.
Strategjia më e mirë për të pasur sukses në eliminimin e evazionit fiskal dhe për ta ulur rezistencën ndaj pagesës së tatimeve është:
1. Të hartohet një legjislacion tatimor bashkëkohorë që i përshtatet jetës së qytetarëve dhe institutcioneve të shtetit,
2. Të krijohen mekanizma institucione efikase në mbledhje e të hyrave,
3. Të kemi mekanizma institucione efikase në kontrollimin e të hyrave për secilin qytetar,
4. Të përgatiten psiqikisht qytetarët se mbledhja e tatimeve nga ana e shtetit është në të mirën e tyre,
5. Nga mbledhja e tatimeve të investohet në fusha dhe drejtime të cilat përfitojnë qytetarët në mënyrë indirekte,
6. Nga investimet e bëra të përfitojnë më shumë ata qytetarë të cilët edhe paguajnë më shumë tatime dhe
7. Të ndëshkohen rreptë të gjitha ata të cilët shmangen dhe bëhen recidivistë në këtë drejtim.
Nëse aplikojmë drejtë këta hapa fiskal dhe financiar ne si shoqëri duke e zbatuar legjislacionin tatimor me përpikëri atëherë kemi më pak rezistencë ndaj pagesës së tatimeve dhe kemi më shumë realizim të të hyrave, si dhe poashtu kemi më pak evazion fiskal nëse normat tatimore nuk janë shumë të larta.
(Autori është Master i shkencave juridiko-financiare)