25 Dhjetor 2024

Asimilimi i kamufluar

Shkruar nga Ganqi Qarri

Besimi është një gjë private, kurse shkollat janë gjë krejt tjetër dhe laike, ndaj pse duhet patjetër të gjejë vend feja në klasat e shqiptarëve?!.

Vetëm para pak ditësh, patëm rastin të shihnim në emisionin "Udhëve" në  RTK, se si Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, janë përfshirë nga një valë e re e evazionit tjetërsues si dhe kanë marrë rrugën e pa-kthim të Rozhajës, Plavës e Gucisë dhe Sanxhakut. Ato janë kthyer në një shtëpi pa zot dhe po u troket asimilimi në derë.

Ani pse të banuara kryesisht nga bashkëkombësit tanë, në këto troje, përveç tyre, të gjithë tjerët mund të bëjnë çfarë të duan, madje edhe imamët salafist turko-arab,të mbështetur fort dhe në të gjitha mënyrat nga Serbia, luftojnë pareshtur dhe me ngulm të papërshkruar qenien shqiptare.

Është tejet interesant fakti, se edhe në lajmet kryesore të RTK-s, sa herë flitet për dhe nga Lugina e Preshevës, në foton ilustruese, gjithmonë paraqitet vetëm xhamia, thua-se atje nuk ekziston më asgjë shqiptare.

Krimbi i salafizmit ,ka depërtuar kudo në trojet tona, por aktet antikombëtare dhe kriminale mbeten gjithmonë të dënueshme dhe autorët, herë do kur, duhet të llogarisin në llogaridhënie dhe përgjegjësi.

Kosova lindore apo Lugina siç po quhet, ani pse trevë e banuar denbabaden me shqiptar, ka kohë që është shndërruar në një ishull të salafizmit, përçarjes dhe mjerimit ndër-shqiptarë, ku asnjë parti, asnjëherë nuk mundi të sigurojë qeverisje të qetë e stabile komunale, as të bëhet bashkë me partitë simotra, për ruajtjen dhe mbrojtjen e qenies etnike dhe interesave kombëtare.

Sado që vërtetë është tepër e vështirë ta kuptosh arsyen që degjeneroi gjendjen e bashkëkombësve tanë deri në këtë shkallë, edhe më i rëndë dhe i pa justifikueshëm mbetet zelli dhe agresiviteti i pa-përshkruar i hoxhallarëve të Luginës, për asimilimin dhe tjetërsimin e tërësishëm të fëmijëve shqiptarë kudo që ata munden dhe arrijnë në këto troje.

E nëse ky trend vazhdon, ashtu siç patëm rastin ta shihnim edhe në emisionin "Udhëve" të RTK-s, së shpejti në vend të shqiptarëve, edhe aty do ta kemi një sanxhak të dytë, ku pjesa më e madhe e bashkëkombësve tanë do të mbyten nga ideologjitë salafisto-arabe, të cilët njëjtë si në trevat tjera të lartcekura shqiptare nën Serbi dhe Mal të Zi, nga “shija e besimit" do të shndërrohen në boshnjak, kurse pjesa tjetër do ik nga të mundet dhe as në këto vende, më nuk do të dëgjohet të folurit shqip.

Është tejet e çuditshme se në emër të kujt dhe nga çfarë idealesh "të mëdha" udhëhiqen dhe shtyten këta imamë të përçudnuar, si mund ta bëjë një shqipfolës asimilimin e bashkëkombësve të vet, apo janë parat e mëdha të Serbisë ato që i nxisin ata të veprojnë shpejt e me nxitim kaq të pa kuptueshëm kundër popullit që i takojnë.

Shteti serb, qëllimisht ka ndaluar arritjen e Abetareve në duart e fëmijëve shqiptar, për të sponsorizuar tjetërsimin e tyre, duke filluar që nga klasat e para, përmes imamëve të shitur që bashkëpunojnë ngushtë e pareshtur me qeverinë shoviniste të Serbisë.

Dhe sot nuk është më vetëm Serbia ajo që zhvillon luftë speciale, për zvogëlimin sa më tepër të numrit të shqiptarëve, tjetërsimin e tyre dhe trojeve që ata ndër shekuj popullojnë, por sipas argumenteve që dalin në pah çdo ditë, asaj në ndihmë, me të madhe, po i vijnë edhe imamë shqipfolës, të cilët, në emër të "besimit" tjetërsojnë tërësisht shpirtin e gjeneratave më të reja dhe bëjnë asimilimin masiv të tyre, duke filluar që nga mosha 6-7 vjeçare e fëmijëve shqiptar.

Ndaj dhe nuk është më aq me rëndësi vetëm të dihet se nga kush porositet, zëvendësimi i kombëtares me turko-arabizma dhe një “edukim” kaq i panatyrshëm fantomo-salafist i fëmijëve të pjestarëve të kombit tonë, duke filluar qysh në klasat e para, e kujt është kjo “fe” e re dhe ndryshe nga ajo e deritanishmja, që praktikonin shqiptarët, por nëpër shkollat ku mësohet shqip, përfundimisht të ndalohen praktikimet e tilla asimiluese të kamufluara si “edukatë fetare" menjëherë dhe pikë!

Ne si popull u mbijetuam sa e sa luftërave e pushtimeve të huaja, kurse sot për kohë kaq të shkurtër në “paqe” rrezikohemi nga idetë e importuara, të rrezikshme dhe tjetërsuese të salafistëve, të cilat duan ta zhbijnë çdo gjë shqiptare.

Sidomos në Luginë, puna ka shkuar deri aty, sa fëmijët e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujamoc, në vend të mësimit mbi edukatën kombëtare e qytetare dhe civilizimin njerëzor të cilat nuk u kanë munguar asnjëherë shqiptarëve, si dhe nxënies së dijes për shkencën, jetën dhe ardhmërinë evropiane, tu nënshtrohen trillimeve salafisto-vahabiste, asimilimit shpirtëror e kombëtar dhe trishtimeve horror, sipas ideve të vendeve të përhumbura arabe, për vuajtjet e pas vdekjes dhe mbështjelljen e trupave të amshuar nga gjarpërinj të zinj.

Trillime të tilla për "përjetimet" pas vdekjes, para mësimeve për jetën, lënë trauma të rrezikshme, nga të cilat këta fëmijë, kurrë në jetën e tyre ,më nuk do të mund të lirohen.

Në cilin do shtet normal, ku mbretëron edukata e njëmendët, rendi dhe ligji, para shfaqjeve kaq trishtuese, do të vihej ndalesa me pikë të kuqe, dhe nga askush nuk do të guxonte tu servoheshin praktika të tilla, jo vetëm fëmijëve 6-7 vjeçar, por as atyre të grup-moshave nën 18 vjet.

Tjetërsim kaq të madh dhe traumatizime si këto, asnjëherë më pare nuk kanë përjetuar asnjë brez shqiptarësh, madje as në vet kohërat mbi 500 vjeçare të pushtimit otoman.

Por,e keqja nuk paska kufij, dhe ja që edhe mbi 100 e sa vite, pas pushtimeve perandorake turke, trojet shqiptare po ripushtohen përsëri nga neo-otomanët. 

Në shkollat e Preshevës dhe Tërnocit, sot imamët shqipfolës,madje edhe ata që mbajnë emra tipik shqiptar si "Granit Kamberi" dhe ai turko-arab "Riad Demiri", jo vetëm se i mësojnë të rinjtë shqiptarë se kinse Skënderbeu dhe Nënë Tereza "nuk janë shqiptar", por i detyrojnë vogëlushët minor që edhe në shkollë të praktikojnë namazin.

E pas gjithë këtyre sa atje ndodhin, bëhet e pa shmangshme pyetja, se athua kanë prindër këta fëmijë të mjerë, që ranë kaq lehtë viktimë e predikimeve të salafistëve shqipfolës, të cilët, siç duket nuk kanë punë më të mirë sesa ti traumatizojnë dhe tjetërsojnë që në rini fëmijët shqiptar.

Ata siç duket janë të paguar mirë nga Serbia, që fëmijët shqiptar, para se ta shohin dhe mësojnë Abetaren e ndaluar, në gjuhën e vet amtare, ti asimilojnë e largojnë tërësisht nga identiteti i tyre kombëtar dhe veshin qysh në vegjëli me identitet të huaj turko-arab, në mënyrë që t’ia lehtësojnë punën Serbisë, për zhdukjen përfundimtare të shqipes edhe në këto troje.

A janë të vetëdijshëm shqiptarët e Kosovës Lindore se çdo tjetërsim qoftë ai edhe në emër të fesë, është rrezik për qenien e tyre kombëtare. A e dinë ata se ç`do të thotë ikje nga etnia gjenezore, largimi nga vëllazëria dhe njëjtësia shekullore me shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri?!

Për çudi, edhe kaleshani Ragmi Mustafa, para pak ditësh qëndroi në Fushë Kosovë në kërkim të votës për zgjedhjet që do të mbahen këtë fundjavë në Preshevë, ku refugjatëve nga Kosova Lindore, ai u tha se ju jeni shqiptarët më të mirë dhe më patriot, pa u treguar atyre, se pikërisht disa bashkëkombës të afërt të tyre me mbiemrat si "Kamberi" , "Demiri" etj, jo vetëm se nuk merren me hallet e shqiptarëve atje, por tjetërsojnë që në vegjëli edhe shpirtin dhe idealet kombëtare të fëmijëve të shqiptarëve të mbetur ende në Luginë, ngase pikërisht partia e tij dhe gjithë të tjerat që veprojnë në ato troje, me përçarjet e përhershme dhe mos unitetin e vazhdueshëm, u krijuan hapësirë salafistëve shqipfolës, që qenien kombëtare, ta zëvendësojnë me ideologji turko-arabo fetare, pa fije turpi.

Ndaj,është momenti i fundit që të dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, sa nuk është bërë tepër vonë dhe në mënyrë që të mos i humbasim bashkëkombësit tanë edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si në Sanxhak, Rozhajë, Plavë e Guci, ku dikur dominonte shqipja, prindërve të fëmijëve shqiptar, tu bëjnë thirrje që përfundimisht të ndërprejnë kontaktet dhe distancohen nga imam të tillë, të dënohen në mënyrën më të ashpër veprimet e salafistëve shqipfolës, parashtrohet atyre një ultimatum me afat sa më të shkurtër, që njëherë e përgjithmonë të heqin dorë nga ky mision i mbrapsht antikombëtar dhe puna e djallit që ata bëjnë në llogari të Serbisë, si dhe të shpallen persona "non-grata" dhe ndalohet hyrja e tyre në të dy shtetet shqiptare, për hir të ruajtjes së etnisë sonë dhe shpëtimin e tjetërsimit të mëtejmë nga salafistët, të fëmijëve të pambrojtur shqiptar edhe në këto troje tonat etnike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)