24 Dhjetor 2024

Arsimimi pa pagesë është i mundur

Shkruar nga Kreshnik Ahmeti

Në artikullin e gazetës “Tribuna” (f.9), të datës 07.05.2013, ku flitej për pagesën e padrejtë të semestrit me të cilën ngarkohen studentët, rektori i Universitetit të Prishtinës kishte deklaruar se “Askund në botë nuk besoj që ka universitet, që e ka çmimin e studimeve më të ulët se UP-ja me 50 euro për semestër” dhe “...për t’u ofruar mësim cilësor, sigurisht se ne kemi nevojë që semestri të rritet. Por, nuk kemi aso kërkesa që ta rrisim semestrin e studentëve, por edhe për ta zvogëluar nuk jemi të gatshëm.”

Edhepse një deklaratë prej dy rreshtave, janë tri momente të cilat i prekë rektori, e  të cilat tregojnë për qasjen që regjimi ka ndaj arsimit në përgjithësi, në Republikën e Kosovës.

Së pari, rektori nuk beson që diku në botë ka Universitet me pagesë më të ulët për studentët se sa UP-ja. Problemi i parë këtu është që rektori mendimet i bazon në besimet e tij, e jo në njohuri. 

Unë dua t’i tregoj rektorit se ka vende të cilat nuk kanë pagesë të semestrit, e vetëm disa nga ato janë:

1) Gjermania – e cila ofron arsimim pa pagesë  dhe deri në vitin 2005 ofronte arsimim pa pagesë edhe për studentët e huaj që shkonin për të studiuar atje,

2) Skocia, e cila ofron arsimim pa pagesë për studentët e saj. Nëse këta studentë vazhdojnë studimet në Angli, atëherë shteti atyre ua paguan shpenzimet e arsimit,

3) Uellsi – njëlloj sikurse Skocia ofron arsimim pa pagesë për studentët e saj dhe nëse ata vazhdojnë studimet në Angli, shteti ua paguan shpenzimet e arsimit,

4) Finlanda – ku studentët mund të ndjekin arsimin e lartë pa pagesë, dhe jo vetëm ata që janë shtetas të Finlandës po gjithë studentët e BE-së.

Deri në vitin 2010, secili studentë, edhe ata të huaj të cilët nuk vinin nga vendet e BE-së, e kishin të drejtën për arsim  pa pasur nevojë për pagesë. Pra, rektori duhet të ngritet nga niveli i besimit dhe të fillojë hulumtimin e ta njoh botën rreth tij.

Momenti i dytë në deklaratën e rektorit, tregon se si i sheh ai studentët dhe Universitetin e Prishtinës. Rektori tregoi se ngritja e pagesës së semestrit është vetëm një “kërkesë” larg, përderisa heqja e kësaj pagesë nuk vjen në shprehje.

Studentët janë shndërruar në klientë në UP dhe në Universitetet e tjera që po hapen nëpër  Kosovë. Kjo u pa edhe në vitin 2010 kur rektori Mujë Rugova tentoi ta ngrisë pagesën e semestrit në 95 euro. Për këtë reagoi Lëvizja Studentore për Barazi STUDIM KRITIKË VEPRIM me aksione direkte dhe protesta, të cilat bënë që administratorët e UP-së të tërhiqeshin.

Gjithmonë thuhet se UP-ja ka nevojë për buxhet dhe nuk mund të funksionojë pa pagesën e semestrit. Por, nga kjo pagesë Universiteti fiton vetëm 8.3 milion euro për buxhetin e tij, një shumë e cila do të mund të mbulohej nga shteti pa kurrfarë problemi.

Por, duke qenë pjesë e pushtetit, ish zv. ministri Ibrahim Gashi nuk është i interesuar që të vihet përballë Qeverisë, por vihet përkrah saj e përballë studentëve.

Çështja e tretë e cila ngritet nga ana e rektorit është ideja se nuk mund të ketë arsim kualitativ pa pagesë të semestrit nga ana e studentëve.

Besoj që tash e 14 vite është vërtetuar e kundërta. Sot, e kemi nivelin më të ulët të cilësisë së arsimit që kemi pasur ndonjëherë që prej se është themeluar UP-ja.

Edhe në kohën e represionit serb të viteve ’90-të, kemi pasur arsim më cilësor se sa sot. Dhe sot kjo ndodhë për shkak se institucionet e arsimit tek ne janë konceptuar si gjeneruese të profitit dhe rehabilituese të militantëve të pushtetit, të cilët mbeten pa pushtet në Qeveri.

Për të kthyer cilësinë e arsimit në Universitetin e Prishtinës dhe për ta larguar pagesën e semestrit, ju ftoj që ta konsultoni vetëm pikën 9 të programin studentor të SKV-së, e cila e parasheh: 

funksionalizimin e instituteve në të gjitha fakultetet, të cilat do të ndihmonin në ngritjen e përvojës së studentëve dhe në ngritjen e fondeve për fakultetet përkatëse.

Për realizimin e këtij projekti, që jo vetëm se do ta ndryshonte konceptin e arsimit në Kosovë, por edhe do ta pavarësonte Universitetin nga fondet shtetërore, duhet vetëm një investim nga ana e shtetit dhe pastaj Universiteti do të  mund të funksionojë në këmbët e veta.

Nuk mund të kalohet ky artikull pa u vërejtur edhe deklarata e senatorit të UP-së, Adnan Thaçi. Ai, edhe pse e pranon se gjendja ekonomike në Kosovë është e rëndë, thotë se duhet të bëhet pagesa e semestrit sepse Universiteti nuk paska buxhet të mjaftueshëm.

Por, ai duhet t’ia përkujtojë vetes se studentët nuk janë aty për të mbushur buxhetin e UP-së, ata janë aty për të studiuar.

Pastaj ai shprehë pajtimin e tij me faktin që një kategori e studentëve duhet të lirohet nga pagesa, dhe ky pajtim nga ana e tij bëhet shumë i arsyeshëm kur të kujtojmë se anëtarët e kaluar të Parlamentit Studentor, që të gjithë, janë liruar nga pagesa e semestrit.

Këtij regjimit i mungon vullneti për t’i krijuar mundësitë dhe kushtet që të gjithë të rinjtë të studiojnë, sikurse që i mungon vullneti që të rinjëve të cilët i kanë mundësitë për studime, t’u krijohen kushtet për të studiuar.

Universiteti Publik i Prishtinës do të duhej të bënte presion në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës për rritje të fondeve të tij dhe për rritjen e investimeve në të, e jo që buxhetin e tij ta mbushë nga studentët. Shembujt dhe modalitetet ekzistojnë, por mungon vullneti sepse në këtë mënyrë iu cenohet interesi si studentëve të Rektoratit, po ashtu edhe vet Rektorit.

(Autori është student në Fakultetin e Ekonomisë – UP Aktivist në Lëvizjen Studentore për Barazi SKV)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)