Arsimi si mundësi për zhvillim ekonomik
Shkruar nga Arif Shala
Arsimi duhe të jetë prioritet e udhëheqësisë sonë për arsye se është shtylla bazë e zhvillimit. Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) bënë hulumtime në 65 shtete të cilat përbëjnë 90 % të ekonomisë botërore për shkak se bazohet në hipotezën se edukimin thelbësisht ndikon në nivelin e zhvillimit ekonomik.
Studimet e kësaj organizate për vite të tëra kanë dëshmuar se arritjet e studentëve janë një pasqyrë e ardhmërisë së ekonomisë së një vendi.
Thënë shkurt, shtetet që kanë shkolla të mira do të kenë ekonomi të shëndoshë ndërsa vendet me shkolla të dobëta, si Kosova, do të vuajnë pasojat e përgaditjes së dobët akademike në ekonominë e tyre.
Deri më tani studimet Pisa kanë vënë vendet si Finlanda, Japonia, Zvicrra, Danimarka, Holanda, Gjermania, Zelanda e Re në listën e 15 shtetve që kanë shkollat më të mira në botë dhe është mëse e qartë për secilin se këto shtete kanë ekonomi që ne vetëm e ëndërrojmë.
Universitetet në Kosovë nuk e kanë cilësinë e duhur arsimore dhe edukative. Këto institucione nuk po mund te ndjekin ritmin e zhvillimit dhe as të ofrojnë cilësinë akademike që ofrojnë universitetet Europiane.
Situata në të cilën është sistemi arsimore bëhet edhe më e rrezikshme kur dihet fakti se Kosova pasurinë e vetme e ka potencialin human.
Të humbësh pasurinë e vetme që ke është një hap shumë i pamend. Si pasojë lidershipi ynë duhet urgjentisht të fokusohet në përmirësimin e sistemit edukativ në Kosovë, i cili ka përjetuar plotë 14 vite neglizhencë.
Universitetet në Kosovë kanë mungesë të plotë të kualitetit akademik. Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë karakterizohen me kuadro të dobët, mungesë të hulumtimeve dhe teksteve të mjaftueshme.
E vetmja gjë që dihet sigurtë për këto institucione është fakti se studimet karakterizohen me ligjërata që zgjasin tri vjetë, ajo se qfarë ofrohet në këto ligjërata dhe sa mësojnë në të vërtetë studentët është një mister që akoma nuk e kemi zbuluar.
Për momentin në Kosovë është shumë normale të posedosh një diplomë dhe të mos posedosh as aftësitë e dituritë bazë në profesionin për të cilin posedon diplomë. Sot më tepër se asnjëherë tjetër Kosovarët i përjetojnë në kurrizin e tyre pasojat e mjekëve që dijnë shumë pak për profesionin e tyre.
Dëmet e profesioneve tjera që nuk lidhen drejt për së drejti me shëndetin e popullatës do të shihen më vonë.
Ndikimi i qeverisë sonë në ofrimin e edukimin kualitativ, që është edhe detyrë e saj nuk ka sjellur asnjë rezultat.
Së pari, kur qeveritë e vendeve të tjera rrisin buxhetin për edukim, qeveria jonë ka vendosur që të ulë buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Për më tepër qeveria jonë mendon se nese rriten pagat e punëtorëve të arsimit, do të rritet edhe cilësia e edukimit.
Qasje kjo që hedhet poshtë nga një hulumtim i thjeshtë. Në Finlandë, që është shteti që për vite të tëra prinë në kualitetin në edukim, të ardhurat e mësuesve janë përgjysëm më të vogla në krahasim me ato të mësuesve në Britaninë e Madhe dhe Amerikën Veriore, vende këto që janë të rankuara në vendin e 10 dhe 17 të ranklistësë.
Kjo qeveri jo vetëm që po ulë investimet në arism por edhe po investon njëanshëm, si pasojë pak mund të presim për ndonjë përmirësim.
Edukimi duhet të jetë prioritet i qeverisë sonë. Secili nga ne duhet të harroj atë që na kanë mësuar në shkolla, se Kosova është vend me pasuri marramendëse. Vendi ynë, për fat shumë të keq, është i vogël dhe mjaft i varfër.
Ne nuk mund të llogarisim në pasuritë natyrore për të mbajtur shtetin, mirëpo ajo që kemi është potenciali human. Si pasojë, ne duhet që të shëndrrohemi në një shtet që ofron shërbime, dhe për të bërë këtë kemi nevojë për edukim kualitativ.
Sipas Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim vendet në zhvillim, sikur Kosova, kanë një sistem edukativ me katër disavantazhe. Së pari, vendet në zhvillim zakonisht janë vendet të cilat investojnë shumë pak në edukim.
Vendet e zhvilluara investojne deri në 8% të buxhetit të tyre në edukim, ndërsa vendet në zhvillim vështirë që arrijnë 4 %.
Kjo karakteristikë e investimit vërehet edhe në vendin tonë. Së dyti, vendet në zhvillim, kanë një staf akademik që nuk është mirë i kualifikuar.
Është mëse e qartë se nuk mund të flitet për edukim kualitativ pa pasur profesor të kualifikuar.
Në Kosovë, ne për momentin as që kemi ndonjë ide të asaj se qfar kualifikimesh posedojnë dhe sa të aftë janë mësimdhënësit tonë. Disavantazhi i fundit i vendeve në zhvillim është mungesa e edukimit profesional.
Shumica e vendeve në zhvillim sipas kësaj Ministrie kanë expert të kualifikuar, mirëpo nuk kanë individ të specializuar për nevoja të caktuara të tregut. Të gjitha këto janë karakteristika të sistemit tonë të edukimit.
Sistemi i edukimit në Kosovë mund të përmirësohet nëse aplikohen këto alternativa. Së pari duhe të bëhet një evaluim i gjendjes aktuale. Ne duhet të dijmë sa dijnë mësuesit dhe profesorët tanë.
Në rast se do të kishim një pasqyrë të asaj që posedojmë ne do të mund të ndikonim në përmirësimin e punës së të punësuarve në arsim. Së dyti, duhe që menjëherë të ulet numri i nxënësve/studentëve në klasë.
Së treti, duhet të nxënësit dhe studentët të kenë detyra/punime që duhet të dorëzojnë rregullisht. Orët mësimorë nuk mjaftojnë për të mësuar. Më tutje duhet të ndahen nxënësit që do të përfundojnë në Universitete dhe atyre që do të përfundojnë në shkolla të larta profesionale.
Nuk është aspak në rregull që një nxënës të përfundojë në Universitet pa poseduar një nivel të caktuar të diturive dhe aftësive sepse kjo shkakton një kaos në sistemin edukativ.
Në fund, secili pajtohet me faktin se zhvillimi ekonomik i shtetit është një rrugë e gjatë dhe me shumë sakrifica.
Mirëpo, një qeversije e mirë që merr vendime me mend mund të shkurtojë këtë rrugë të gjatë. Arsimi duhet të jetë fusha në të cilën përqëndrohet vendi ynë nëse synojmë që në të ardhmen të largojmë varfërinë.
Kosova, si vend i vogël, shpëtim të vetëm e ka kapitalin njerëzor, dhe humbja e kësaj pasurie të vetme do të sjellë pasoja katastrofale për ne.
(Autori është drejtor i Institutit për Studime Zhvillimore Ekonomike-Progress)