Arrestimet nuk janë më lajm
Shkruar nga Zejdush Kastrati
Fatkeqësia e turbullon arsyen. (C.Tacitus)
Asgjë spektakulare nuk do të ndodhte, por nuk do të ishte edhe ndonjë befasi, apo bum mediatik, e të mos themi: edhe shqetësues e i pabesueshëm, apo i çuditshëm në këtë Kosovë, sikur, ndërkohë, të arrestohej edhe presidentja e vendit, edhe kryeministri, por edhe kryeprokurori i shtetit.
Kur kësaj ia shtojmë edhe shumicën e zëvëndëskryeministrave të kësaj qeverie, apo të atyre të kaluara, që tashmë janë nën hetime, si dhe shumicën e ministrave, pastaj shumë drejtorëve të dikastereve e agjencive të ndryshme, hetimet ndaj tyre janë bërë përditshmëri dhe çështje rutine e pjesë e sferës mediale dhe që dëshmohet me faktin se gati nuk kalon ditë që nuk publikohet se ndonjëri prej tyre është nën hetime, apo se së shpejti pritet të arrestohen.
Ky konfuzion e mosbesim i krijuar gjithandej Kosovës është një sinjal shumë i keq dhe me pasoja që shumë vështirë që së shpejti edhe mund të riparohet apo të ndryshojë për së miri, por nëse dëshirojmë të identifikojmë dhe të emërtojmë shkaktarët e kësaj gjendjeje, hë për hë, fajtori dhe faktori kyç, padyshim, është papërgjegjësia institucionale dhe politika e skenarët e mbrapshtë, që po na përcjellin me vite, apo involvimi pothuaj i gjithë kastës politike të deritashme, që së bashku edhe me disa nga ndërkombëtarët instaluan dhe po e vazhdojnë në kontinuitet në Kosovën e pasluftës.
Jemi dëshmitarë kur pothuaj të gjitha arrestimet dhe hetimet e zhvilluara deri më tani, gati në të gjitha rastet po na dalin pa ndonjë fakt e efekt të fuqishëm e që nëse i rikujtojmë dhe na kujtohen kur fillimisht janë kontestuar dhe komentuar, si të nxitura politikisht e selektive, në radhë të parë nga partia që i kanë shërbyer deri në atë moment kur janë arrestuar e në disa raste edhe nga klani që i përkisnin, apo që i kishte emëruar dhe fuqizuar në ato pozita, të cilat i kanë mbajtur me vite, apo derisa ishin të nevojshme apo të dobishme, si për disa vendorë ashtu edhe për disa nga qarqet ndërkombëtare.
Na kujtohet kur është arrestuar guvernatori i Kosovës, pastaj janë arrestuar edhe disa ministra e ish-ministra, disa sekretarë permanentë të ministrive, zyrtarë të lartë policorë, gjykatës e kryetarë gjykatash, kryetarë komunash, zyrtarë prokurimesh
dhe pothuaj të gjitha këtyre arrestimeve, pos defekteve tjera, kryedefekt kyç është se u pati paraprirë edhe ekskluziviteti i disa medieve si kujdestare, të cilat jo rrallë, por herë-herë, publikonin dhe paralajmëronin edhe datën e ditën kur pos këtyre arrestimeve do të ndodhnin edhe disa arrestime tjera, të përfolura dhe të emërtuara, edhe si peshq të mëdhenj, por ndërkohë jo vetëm që nuk ndodhën arrestime tjera , por tashmë janë liruar edhe disa nga të arrestuarit, si të pafajshëm.
Së fundi, është shumë aktual edhe rasti i deputetit dhe pjesëtarit të SHPK-së, përkatësisht njërit nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, siç raporton një medie e shkruar, si vrasësit potencialë të Xhemajl Mustafës, rast i cili nuk ka mbetur vend pa u përfolur dhe ku janë lakuar edhe emra konkretë, por e veçanta e gjithë këtij rasti është se prej kah dhe pse ky informacion, si edhe shumë hera të tjera, së pari del në media e në anën tjetër, ky deputet dhe ky pjesëtar i SHPK-së janë akoma në liri!
Parashtrohet pyetja? Ku është Prokuroria e shtetit, ku janë institucionet përgjegjëse për të marrë situatën në dorë, për ti paraprirë proceseve e jo të lejojnë, që me obligimet dhe përgjegjësitë e shtetit së pari të merren mediat të cilat në raste të këtilla mision kanë të veprojnë, vetëm pasi të veprojë shteti, por fatkeqësisht si duket në Kosovë deri më tash së pari, po veprojnë disa media e pastaj, apo hiç fare, po vepron shteti.
E keqja e gjithë kësaj është se nëse në rastin e Xhemajl Mustafës, ndonjëri nga të afërmit e të ndjerit del dhe e vret ndonjërin nga deputetët e përfolur të Vetëvendosjes, apo ndërkohë nuk vërtetohet se nga ky subjekt politik qëndron dikush mbrapa kësaj vrasje pasojat dhe konflikti shumë lehtë mund të marrin epilog të padëshirueshëm dhe që mund ti shërbejë vetëm ndjellakeqëve, të cilëve u konvenon konflikti dhe acarimi për çfarë, domosdo, fajin dhe përgjegjësinë më të madhe e ka shteti, përkatësisht institucionet gjyqësore, qofshin ato vendore, por pse jo edhe ato ndërkombëtare.
Jakupi me shumë shokë?
Kupën po e mundon shumë sheqeri, i është ngritur adrenalina, po e përdor edhe insulinën, e ka lëshuar takati, nuk po mund të pajtohet që të mos jetë faktor në parti e institucione, ka bërë shumë para dhe do të shfajësohet, janë vetëm disa nga epitetet që po i adresohen kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr Jakup Krasniqit. Këso vlerësime vijnë edhe nga ata që deri para se Kupa të eksplodonte e kishin idol dhe i thurrnin lavdi.
Një gjë është shumë e sigurt (unë mendoj). Të gjitha ato çka po i thotë së voni kryeparlamentari i ka të sakta dhe qëndrojnë. Është e vërtetë edhe për ato çka thotë rreth zgjedhjeve, por besoj se edhe për partinë në të cilën është, hiç më pak, por sekretar i përgjithshëm i PDK-së.
Unë që veproj vetëm nën petkun e gazetarit dhe asgjë më tepër, prej se përcjell punën e Parlamentit, si i akredituar, mendoj se Jakup Krasniqit nuk mund ti falen disa gabime të cilat po të vepronte dhe të sillej konform interesave kombëtare dhe ligjore aty për aty, me siguri Kupa do të hynte në histori si lideri i vetëm në Kosovë për karakter dhe qëndrim shumë parimor e burrëror, që ka kohë që po i mungon ta bëjë në këtë vend.
Rasti kur Jakup Krasniqi pranoi dhe u përkul para presionit apo diçkaje tjetër me rastin e inagurimit klandestin të Behxhet Pacollit për president të Kosovës është gabimi dhe veprimi më i rëndë dhe më përbuzës që ka bërë kryeparlamentari atë ditë. Po atë ditë na kujtohet kur Kupës edhe iu dhunua Parlamenti nga mosëpërfillja e Thaçit, i cili në mënyrë përbuzëse e injoroi dhe bëri çka deshi e si deshi, pothuaj me të gjithë deputetët, me çka tregoi se ai rastësisht nuk e mban nofkën gjarpri.
Sikur Kupa po atë ditë të vepronte ashtu si edhe tash kur po reagon refleksioni i tij karshi popullit elektoratit të gjerë por edhe gjithë popullatës, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjërë, do të ishte shumë pozitiv dhe respektativ.
U vonove baca Kupë?!