22 Dhjetor 2024

Arrestimet me prapavijë politike

Shkruar nga Azem SYLA

Pas dymbëdhjetë vjetësh, që nga çlirimi i Kosovës, ka filluar një fushatë e arrestimeve të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosvës, e cila më shumë se përmbajtje inkriminuese ka prapavijë të vërtetë politike.

Akuzat, inskenimet, konstruksionet, shpifjet dhe njollosjet kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së, komandantëve dhe drejtuesve të saj janë bërë vazhdimisht nga segmentet e shtetit serb, nga shërbimet sekrete, nga shtypi dhe institucionet e Beogradit.

Këso lloj akuzash, aktgjykimesh në mungesë, fletarrestime dhe kërkesa për arrestime të ish ushëheqësve të UÇK-së kanë qarkulluar përherë dhe janë parë si produkt i politikës kriminale të Milosheviqit.

Besueshmëria e këtyre akuzave me vite e vite ka qenë zero, sepse motivet dhe qëllimet e këtyre akuzave kanë qenë të njohura si për opinionin publik në Kosovë, ashtu edhe për institucionet ndërkombëtare.

Opinioni publik i ka të njohura “aktvendimet” e gjykatësve dhe gjykatëseve serbe që i bënin në prani edhe në mungesë të veprimtarëve dhe të atdhetarëve shqiptarë të Kosovës në vitet 1996 deri më 1999. Edhe komandanti Legjendar Adem Jashari dhe një grup i madh veprimtarësh rreth tij  ishin “dënuar” me dhejtë e njëzet vjet burg, fatbardhësisht në mungesë.

Por, që aktakuzat dhe farsat e dënimeve në mungesë ishin absurd i politikës së Beogradit,  treguan më së miri “dënimet” në proceset gjyqësore, kuptohet në mungesë, të liderëve perëndimorë, që ishin ngritur kundër politikës së spastrimit etnik të Kosovës, si presidenti Klinton, Havier Solana, Medlin Ollbrajt, Ueslli Klark etj.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës qëndroi, u gjykua dhe u dënua kreu ushtarak, politik dhe policor i Serbisë, si zbatues të politikës së krimit, spastrimit etnik, shkatërrimit dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës. Ky veprim i botës demokratike tregoi më së miri, se, ata që kryejnë gjenocid dhe agresion mbi popujt e pambrojtur, nuk i shpëtojnë dorës së drejtësisë.

Fuqia e ndëshkimit dhe zbatimi i drejtësisë mbi strukturat politike, ushtarake dhe policore serbe nga disa qarqe, edhe ndërkombëtare, u kuptua si teprim i drejtësisë, veprim i njëanshëm, -  dhe si kundërveprim, - kërkesë për t’u kthyer edhe nga ana tjetër, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dy procese në gjykatën e Hagës u zhvilluan kundër dy drejtuesve të UÇK-së, Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt (i cili aktualisht ende mbahet në Hagë për rigjykim). Edhe ndaj njërit edhe ndaj tjetrit munguan provat e vërteta dhe nuk bënë punë ato të konstruktuarat për t’i dënuar për krime lufte.

Edhe njëri edhe tjetri kishin bërë luftë çlirimtare dhe mbrojtëse të popullit të tyre dhe jo krime, siç pretendojnë “dëshmitë” dhe dëshmitarët e instruktuar nga qarqet antishqiptare dhe veglat e strukturave okupuese serbe.

Vazhda e arrestimeve dhe arrestimet e tanishme të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it është përpjekje për relativizimin e drejtësisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpjekje për ta zbehur rolin e saj çlirimtar dhe mbrojtës, për ta degjeneruar në konflikt të armatosur, dhe në fund të fundit, për ta neutralizuar karakterin e saj kombëtar, liridashës, demokratik dhe humanitar.

Arrestimet ish pjesëtarëve të UÇK-së janë përpjekje për të kënaqur palën e ndëshkuar nga drejtësia ndërkombëtare, ndonëse lufta e UÇK-së dhe agresioni serb ishin dy botë diametralisht të kundërta si në planin ushtarak, në kapacitetet teknike dhe në qëllimet politike.

E çmojmë misionin e EULEX-it, si institucion i ftuar nga qeveria e Kosovës për të këshilluar, ndihmuar dhe monitoruar institucionet e sundimit të ligjit dhe të krijimit të sigurisë, por jo edhe për të ndërmarrë veprime të ndjeshme mbi bazën e denoncimeve dhe konstruksioneve të qarqeve serbe kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së.

EULEX-i, që aq lehtësisht i ndjek ish pjesëtarët e UÇK-së sot, është indiferent me atë që ndodh në pjesën e Mitrovicës së kontrolluar nga serbët dhe të tërë territoreve të Kosovës në atë anë.

EULEX është shumë i gatshëm për të ndjekur dhe akuzuar ish pjesëtarët e UÇK-së mbi bazën e akuzave që qarkullojnë me vite e vite nga burimet serbe.

EULEX-i është indiferent ndaj qindra e qindra kriminelëve të strukturave serbe që vepruan në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta dhe sidomos të dy viteve të fundit  të shekullit të kaluar, që ishin në krye të stacioneve policore, në krye të njësiteve të rregullta ushtarake dhe atyre paramilitare, e që ushtruan dhunë, krim dhe gjenocid mbi popullatën e pambrojtur shqiptare.

Përpjekja për të barazuar “krimet” e UÇK-së me krimet gjenocidale serbe nuk do ta arrijë asnjëherë qëllimin, sepse janë dy gjëra që me asnjë njësi nuk mund të barazohen. Agresioni serb mbi Kosovën ka zgjatur një shekull të tërë. Në shërbim të këtij agresioni ka qenë një aparat i fuqishëm ushtrak dhe policor me logjistikë dhe makineri pakrahasimisht të madhe.

Kundër këtij arsenali të shtetit agrosr serb Ushtria Çlirimtare armën kryesore ka pasur drejtësinë historike, përkrahjen popullore, vizionin çlirimtar dhe vlerat humane. Për ta mposhtur makinerinë luftarake të Serbisë, kundër arsenalit të strukturave ushtarake, paramilitare dhe policore u deshën 77 ditë bombardime nga Aleanca më e fuqishme ushtarke e botës, NATO.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë plotësish mbrojtëse dhe vetëm se e tillë arrit të fitojë përkrahjen e botës demokratike. As orientimi as filozofia e saj politike, por as dhe kapacitetet logjistike të saj nuk kanë lejuar që ajo të ushtrojë

dhunë dhe krime mbi popullatën civile serbe.

Kontestimi dhe përbaltja e vlerave të UÇK-së, qoftë edhe me arrestime pas dymbëdhjetë vjet të të çlirimit, asnjëherë nuk do të arrijë ta barazojë karakterin e saj çlirimtar dhe peshën e rëndë të krimit të forcave paramilitare, ushtarake dhe policore serbe.

(Autori ka qenë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, aktualish është deputet i Kuvendit të Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)