Arrestimet a janë të mjaftueshme
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Sot, për aksionin e policisë së Kosovës, e cila arrestoi një grup goxha të madh të të rinjve shqiptar u konsiderua sukses i madh.
Pasi deri më tani, të gjithë mekanizmat parandalues të shtetit e të shkollës kombëtare shqipe, të fesë (BIK) dhe familja si bërthamë e edukimit kombëtar, kanë dështuar.
Është mirë që mekanizmi i fundit i shtetit që duhej të vepronte, policia e organizuar edhe për ketë çështje, ka bërë punën e vet, por, a është kjo e mjaftueshme për kombin e shtetin tonë?
Pse erdhëm deri këtu?
Përgjigjja, sigurisht që nuk është e lehtë, por gjithsesi kërkon një përgjigje e cila kërkon një analizë të rrethanave politiko-shoqërore dhe ekonomike të këtyre 15/16 viteve të fundit.
Të gjitha rrethanat e krijuan një ambient të përshtatshëm për lindjen e një fenomeni fundamentalist islamist, të cilin shqiptarët e kishin lënë prapa, se paku para dy shekujve, atëherë kur shqiptarët ishin bindur se vetëm arsimi shqip, pra shqiptarizmi ishte zgjidhja që ia vlente çdo sakrificë, çdo sakrifikim tjetër ishte mish për top.
Në luftën çlirimtare kishte përpjekje për një infiltrim të grupeve të ngjashme në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ne aso kohe nuk e lejuam një gjë të tillë, për faktin se donim ta ruanim karakterin kombëtare të luftës sonë çlirimtare.
Me një fjalë ne nuk dëshironim luftës sonë ti jepnim karakter fetar apo ideologjik ndonëse ketë e kërkonin të gjithë armiqtë e kombit shqiptar.
Ne, dëshironim, që luftën tonë ta lidhnim me idenë e lirisë kombëtare e të demokracisë, pra ta lidhnim me vlerat euro-atlantike pjesë e se cilës është edhe populli ynë.
Pa një lidhje të tillë, me vlerat e demokracisë perëndimore, vështirë që do të jetësohej ideja e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë.
Pas luftës çlirimtare ndryshoj shumëçka. Administrimi Ndërkombëtar nuk ishte shumë i interesuar që ti binte telit për ruajtjen e vlerave kombëtare, i hapi të gjitha portat për depërtimin në Kosovë të organizatave të ndryshme humanitare.
Ketë mundësi e shfrytëzuan edhe shumë organizata fundamentaliste islamike, të cilat nuk kontrolloheshin nga askush. Këto organizata filluan indoktrinimin e gjeneratës së re, duke e shfrytëzuar brishtësinë e çdo segmenti shoqëror në Kosove, duke shfrytëzuar mjerimin e njeriut tone.
Nuk ka asnjë fije dyshimi, Administrimi Ndërkombëtar në Kosovë nuk e dëshironte forcimin e elementit kombëtar të shqiptarëve, kjo tani më është e kuptueshme, por çbëmë ne shqiptarët edhe pas pavarësisë më 17 shkurt 2008?
Është vështirë në këto rrethanat tona ta amnistosh qoftë edhe një segment të shoqërisë sonë, madje duke filluar nga familja, nga arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë, që janë shkëputur shumë nga edukimi tradicional shqiptar e shkencor, nga BIK-u, përgjegjësja kryesore për edukimin shpirtëror islam të qytetarëve, por dikujt në BIK nuk i ka mjaftuar ai pushtet, kanë kërkuar edhe pushtetin politik në mënyrë mjaft tinëzare.
Secili nga këto segmente të shoqërisë sonë e kanë përgjegjësinë e vet. Pesha e përgjegjësisë rritet, kur kihet parasysh fakti, se të gjithë ose shumica e të arrestuarave, në aksionin e fundit të policisë, por edhe ata që janë duke luftuar në Siri e Irak, janë të moshës së re, të formuar si personalitete pas luftës çlirimtare.
I dhimbshëm është arrestimi i këtyre të rinjve, por akoma më e dhimbshme është rruga që ata kanë marr. Kjo rrugë nuk ndalet vetëm me arrestime.
Ky fakt është tepër i dhimbshëm, për çka duhet të skuqemi që të gjithë, për demin që ia shkaktuam vendit, kombit dhe të ardhmes sonë.
Me veprime të tilla ne nuk mund ti afrohemi vlerave evropiane për të cilat vlera luftuan dhe u angazhuan seriozisht breza të tërë shqiptaresh.
Shenjat e depërtimit të një fundamentalizmi janë parë që në vitet e para të pas luftës çlirimtare. Depërtimet e para janë bërë në emër të një humanizmi i cili humanizëm ka shfrytëzuar gjendjen e rende ekonomike.
Një ndihmesë këtyre organizatave, në jo pak raste ua kanë bërë edhe disa hoxhallarë të cilët xhamitë ku ata kanë qenë imam, u kanë dhënë hapësirë veprimi për një islam tjetër nga ai tradicionali.
Kohë më parë kanë qenë disa reagime nga hoxhë të ndryshëm në anë të ndryshme të Kosovës, por më reaguesi ndaj këtyre deformimeve ka qenë Kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Xhabir Hamti. Alarmi që ndezi zoti Hamiti, hasi në vesh të shurdhër, madje u kundërshtua edhe nga BIK-u.
Kjo si duket i trimëroi disa individ që të shkonin më tej, për të formuar parti politike islamiste, që nuk i fshehin idetë e tyre antikombëtare, duke u vërë kundër personaliteteve më të mëdha historike të kombit tonë.
Madje ata u futen edhe në Kuvendin e ne një formë paksa më të butë, por siç thoshin romaket e vjetër: të gjitha rrugët të çojnë në Romë, ashtu si të gjithë mohuesit e kombit, të çojnë në grupe fundamentaliste - terroriste.
Nëse me kohë nuk i marrim masat e duhura, pasojat mund të jenë të pa parashikueshme. Veprimet duhen të jenë energjike e shumë dimensionale.
Këtyre ditëve të nxehta të verës, Kosova po prezantohet me dy lajme tepër të këqija; se pari, deklarata politike e prokurorit Williamson për pretendimet e DICK Martit dhe se dyti, lajmi i xhihadistëve islamistë nga Kosova me veprimet e tyre në Siri dhe Irak dhe se fundi burgosja e 40 islamistëve ekstremistë në disa qytete të Kosovës. Lajmet e tilla janë duke e rrezikuar perspektivën e popullit dhe të shtetit tonë.
Nëse ne ia kemi nevojën Zotit për të na ndihmuar në rrugën e zhvillimit e të përparimit, Zoti nuk ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve që kanë humbur, komb, fe e atdhe.
Shoqëria jonë duhet të bënë shumë që të shërohet nga ky infektim i tmerrshëm, duke filluar nga familja e cila është humbësja më e madhe.
Arrestimet, ndonëse të domosdoshme, nuk janë zgjidhja e duhur dhe afatgjate! Edukimi dhe arsimi i fëmijëve tanë me shqiptarizmin, me dijet shkencore për jetën është zgjidhja.
Çështja është, sa janë të edukuar me dije shkencore njerëzit e arsimit të cilëve kombi ua ka besuar fëmijët e tyre, të ardhmen e kombit?!
Ky arrestim i këtyre përmasave shtron nevojën e një reformimi të thellë në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet e tij.