24 Dhjetor 2024

Armiqtë e vërtetë të bashkimit ekonomik Shqipëri - Kosovë

Shkruar nga Gjergj Buxhuku

Nëse, titulli i mësipërm do të ishtë në formë pyetje, përgjigjia e përmbledhur do të ishtë: Bizneset oligarke të lidhura me politikën ose më qartë politika, që mbron bizneset e saj monopol.

Fatkeqësisht, sot kufiri i ndarjes ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është më i lartë se asnjëherë tjetër, pavarësisht shfaqjeve folklorike të qeverive të dy shteteve shqiptare.

Për ta kuptuar më lehtë, se deri u ka shkuar e keqja, mjafton të kujtojmë rastin e disa viteve më parë të kompanisë së qumështit “Primalat”. Kompania ishte një investim serioz i disa million euro dhe pasi ishte lider në tregun e Shqipërisë, hyri bindshëm edhe në Kosovë.

Kur kompania ishte duke u kthyer në lojtar të rëndësishëm në tregun e Kosovës, paprimtas institucionet i hoqën licencen me arsyetimin, se nuk plotësonte standartet e sigurisë ushqimore.

 Asnjë arsyetim dhe përpjekje për të shpjeguar, se standartet ishin të njejta për të gjitha prodhimet e ngjashme, nuk ndryshoi asgjë.

 Vendimi i autoriteteve kosovare, shoqëruar me fushate mediatike të njëkohshme në Shqipëri dhe Kosovë, solli falimentimin e plotë të kompanisë.

U fol, se u prekën interesat e një kompanie të madhe në Kosovë, e lidhur drejtpërdrejt me njerëz të afërt me kryeministrin e kohës dhe në zotërim të institucioneve të fuqishme mediatike. 

Duke lënë mënjanë spekullimet, fakti mbetet i njëjtë: kompania nga Shqipëria jo vetëm u zhduk nga tregu i Kosovës, por edhe falimentoi plotësisht.  Një mësim i mirë për gjithë të tjerët, që do të guxonin të hynin pa “leje” në treg. Si kemi ardhur deri në këtë pikë?! 

Kalimi i Shqipërisë në sistemin ekonomik të ashtuquajtur të tregut të hapur në vitin 1991 dhe krijimi i shtetit të dytë shqiptar Kosovës në vitin 1999, shënoi edhe fillimin e krijimit me shpejtësi të shtresës së bizneseve përkatëse.

Liberalizmi ekonomik anarkik i periudhës së parë u zhvillua në kushtet e mungesës së plotë të kontrollit të institucioneve shtetërore dhe në korrupsionin “primitiv” me para në dorë për zyrtarët.

Më pas u kalua në fazën e dytë, kur vendimarrja politike përzgjodhi dhe fuqizoi me para publike dhe me shumë me ligje të tipit “state capture/kapje e shtetit” biznese të caktuara. Bizneset e përzgjedhuara ose krijuara drejtpërdrejt nga politika u shndërruan në monopole. Monopole me tregje të dhuruara dhe të ndara qartësisht.

Në mjaft raste nuk ka kufi të qartë ndërmjet pronarëve të vërtetë të bizneseve të sipërpërmenduara. Një dukuri e tillë ka ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë.

Bizneset e mësipërme janë më shumë sesa oligarkë pikërisht, se nuk ka një kufi të qartë ndërmjet privatit dhe vendimarrësve politikë. Janë të shkrirë në një të vetëm.

Aq më shumë tani kur vettingu është në zhvillim i sipër dhe paratë e politikës nuk janë të sigurta në off shore dhe në dyshekë e shtëpive.

Bizneset e mësipërme përcaktuan edhe ndarjen e qartë të tregjeve përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës me mure, që lartësohen vazhdimisht.

Por, zotërimi në mënyrë të plotë i tregjeve të dhuruara nga politika, të ndara në mënyrë të qartë përkatësisht në të Shqipërisë dhe të Kosovës, bizneset e mësipërme i ka kthyer në të paafta të  mbijetojnë në kushtet e konkurencës së lirë. Janë të paaftë të konkurojnë jo vetëm në tregje të lira rajonale dhe europiane, por edhe në kushtet e një tregu të përbashkët shqiptar.

Bizneset e politikës të dy shteteve shqiptare nuk kanë investuar në teknologji, cilësi, arsimim,etj, por kanë marrë të mirëqënë, se tregu i kapur do të zgjasi në pafundësi dhe mjaftohen me ndarje korruptive fitimesh monopoliste.

Në kundërshtim më cdo ligjësi zhvillimi të natyrshëm ekonomik, ku bizneset prodhuese luftojnë dhe kërkojnë me cdo kusht zmadhimin e tregjeve, në Shqipëri dhe Kosovë ndodh e kundërta.

Bizneset monopoliste te politikës kërkojnë të ruajnë me cdo kusht tregjet e vogla dhe të mbyllura me kufij të qartë me njeri tjetrin.

Sot, cdo tentativë kalimi i “vijës së kuqe” të ndarjes së tregjeve të Shqipërisë e Kosovës, nuk mund të bëhet pa marrë më parë lejen e vendimarrjes politike respektive.

Dhe natyrisht, duke shpërndarë në mënyrë korruptive edhe fitimet përkatëse në kurriz të varfërimit të gjithë shqiptarëve dhe dëmtuar rëndë interesin kombëtar.

Shkurtpamësia e bizneseve te politikës ose politikës se bizneseve mbarëshqiptare është vetëvrasëse.

 Frika për tu përballur dhe ushtruar me konkurencën në tregun e përbashkët shqiptar edhe kështu mjaft të vogël, rrit shumë mundësinë e falimentimit në tregun e përbashkët europian, që po afrohet me shpejtësi. 

Politikanët biznesmenë nga ana e tyre kthehen lehtësisht të përkulshëm ndaj të huajve. Duke u kthyer në armiqtë më të egër të krijimit të tregut të përbashkët shqiptar, bizneset e politikës ose politika e bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, po afrojnë në mënyrë të pashmangshme edhe fundin e tyre.

Por, fati i tyre personal, pak rëndësi ka. Kapitalet dhe pasuritë e tyre kanë vlera kombëtare. Pasojat e falimentimit të pashmangshëm të tyre do të prekin thellë interesin publik dhe kombëtar të shqiptarëve.

Rrezikojmë të hyjmë në BE vetëm si individë pa shtet, pa ekonomi dhe pa biznese kombëtare.

Nuk e dimë, nëse shqiptarët do të mund të mposhtin interesat e klaneve, që kanë asgjësuar deri tash interesin publik, si e vetmja mënyrë, që të arrijnë të shkatërrojnë sistemin e monopoleve politiko-ekonomike të tipit “Esat Pasha”, vendimarrës të plotfuqishëm ende në Shqipëri dhe Kosovë.   


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)