24 Dhjetor 2024

Aorestia e diplomacisë së jashtme të Kosovës rrezikim i rrugës drejt BE-së

Shkruar nga Valon Jashari

Ish ligjëruesi i Katedrës së Historisë, Enver Hoxhaj, i cili brenda një viti akademik nuk gjente kohë të vinte jo më shumë se katër a pesë herë në ligjërata, humbje që na kushtoi ne studentëve, edhe atë  duke vrapuar pas karrierës së tij politike, tashmë një politikani që din ti jep “kritika” edhe shteteve evropiane.

Deklarimet kontroverse të ditëve të fundit rreth deklarimit për heqjen e vizave se “Nëse s’jepen, atëherë ka islamofobi dhe ka albanofobi nga BE-ja”, janë për tu shqetësuar dhe për më tepër për të treguar se në çfarë gjendje është diplomacia jonë.

Se dikur ishte vet Ministër i Jashtëm dhe që shumë (s)ka pasur suksese në këtë punë e ka dëshmuar koha.

Tani skena politike në Kosovë ka sjell në politikën e jashtme një person që vetëm diplomacinë mund ta ketë ëndërr dhe dëshirë, por, gjithsesi i mirë do të ishte për të shkuar si ambasador në shtetet afrikane apo arabe dhe assesi si Ministër i Jashtëm i shtetit tonë kur dihet se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës është drejtpërdrejt i lidhur me shtetet perëndimore-krishtere.

Sjellja e Behxhet Pacollit si ministër, që nëpër takimet e jashtme më shumë lobon për interesa personale ekonomike të bizneseve të veta se sa për çështjen e Kosovës, si dhe mundësinë që qendrat universitare ti kthej në  qendra religjioze, ka bërë diplomacinë e shtetit tonë në këtë gjendje që e kemi.

Kjo nuk është vetëm dobësi e një “Pacolli” të quajtur deri më tani si person me preferenca të hapura orientale por, është një hendikep i një vizioni të qartë i gjithë skenës politike të Kosovës, që nuk e kanë të qartë rrugën drejt BE-së si dhe ajo që është më kryesore të kuptuarit se jetojnë në një kontinent evropian dhe se dielli për ta lind nga perëndimi ashtu sikur dikur e përkufizonin rilindasit tanë.

 Ky vizion politik i skenës politike të Prishtinës ka bërë që sot më e rëndësishme tek një shumicë e rinisë shqiptare të jetë fjala e një imami se ajo e një mësuesi, dhe tani së fundmi që po deklarohen disa politikan të Prishtinës se do ta shqyrtojmë qasjen ndaj BE-së, tregon jo seriozitetin e rrugës së tyre të ndjekur ndaj BE-së.

Duhet kuptuar skena politike e Kosovës se rruga drejt BE-së, nuk është rrugë që ne mund të bëjmë diplomaci sikurse Serbia, pasi qe për ne BE-ja është integrimi i natyrshëm dhe mbi të gjitha shpëtimi nga influenca sllavo-turke.

Kështu që rruga drejt BE-së për ne është vetë shpëtimi ynë si komb si dhe rruga e vetme dhe vlerat tona të përbashkëta ndër shekuj.

Qëndrimi i Zëvendëskryeministrit të Kosovës Enver Hoxhaj, se gjoja Evropa paska “albanofobi”, nuk qëndron aspak.

Kjo është një deklaratë për të mbuluar vetëm dobësitë politike të shtetit tonë që ne shqiptarët e Kosovës nuk po mundemi ti tejkalojmë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, po harron të thotë se ambasadat e Kosovës gjithandej nëpër Evropë janë të stërmbushura me familjar të politikanëve e që mund të jenë çdo gjë tjetër por assesi diplomat dhe aspak profesionist.

Stafe që tërë ditën vrapojnë kafeneve nëpër shtete të ndryshme e bëjnë shpenzime enorme, shtrojnë dreka e darka për familjarë e miq të tyre.

Kjo qasje nepotike klanore kanë bërë që në disa shtete ambasadat e Kosovës janë bërë sikur prona private të disa subjekteve politike dhe individëve nga Kosova, duke ditur kapacitetet për të mbuluar një fushatë dhe të bërit diplomaci në bazë të kapaciteteve politike dhe ekonomike që ka Kosova.

Se nëpër ambasada i rehabilituan të gjitha ata politikan që nga Kosova shpeshherë i dërguan për t’ia mbyllur “gojën” pasi që këtu ishin si delikuent të papërshtatshëm politik sipas një pjese të skenës politike, apo se ishin prishës të planeve të  tyre, pastaj se rrezikonin numrin nëpër qeveri apo ministri për të mbushur sipas përkatësisë së militantëve partiak dhe ku ti rehatonin i dërgonin që të gjithë nëpër stafe diplomatike e që në fakt nuk kanë asnjë kualifikim elementar për këtë segment të politikës së jashtme.

Të mos flasim që shteti i Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Kosovës janë të fjetura sa i përket lobimit për subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, gjersa shteti fqinj armik  i yni, Serbia ndan fond të veçantë për këtë segment dhe natë e ditë lobon në dëm të çështjes së Kosovës.

Liderët institucional të shtetit të Kosovës dalin me deklarata skandaloze se shteti serb po ndërmerr ofensiva diplomatike kundër Kosovës, kjo është më se e vërtet, por fajtorët jemi ne pasi defensiva jonë dhe dhënien e mundësisë po ia japim premisën kundërshtarit tonë që edhe të ketë suksese në këtë drejtim.

Kurse diplomacia jonë e jashtme nuk është në gjendje që as tek mërgata jonë e jashtme në shkollat shqipe të dërgoj libra falas për nxënësit shqiptar.

Se kapaciteti i mërgatës sonë po keqpërdoret nga Turqia dhe Serbia tashmë është e qartë ku së paku në tre muaj nga mërgata shqiptare nëpër shtetet të ndryshme të Evropës po hap nga një xhami, në vend se të shkojnë këto mjete dhe ky kontribut për shkollën shqipe, kjo gjithsesi është refleksion në mungesë të një diplomacie të mirëfilltë të Kosovës.

Është për të ardhur keq se edhe në marshimin për Preshevën ishin pjesëmarrës dhjetëra qytetarë, dhe nuk pamë askend nga skena politike e Kosovës.

Edhe pse Serbia ka një diskurs të politikës së jashtme shumë aktive dhe në dëm të çështjes së Kosovës, këtë të drejtë politika e jashtme e Kosovës nuk po arrin as për së afërmi ta vë në binarët e saj të duhur kur dihet se shumë më të lehtë e ka Kosova që në këtë diskurs të depërtoj tek shtetet e ndryshme duke pasur parasysh që shteti serb ka kryer krime dhe gjenocid ndaj popullatës së Kosovës.

Diplomacia e jashtme e Kosovës po vuan nga sindroma i inferioritetit, dhe nga petku religjioz i stigmatizuar nga vetëvetja dhe nga vizioni jo i qartë i një politike gjithëshqiptare në Ballkan dhe rrjedhimisht evropiane.

Lëshimet e diplomacisë kosovare  pas dy dekadash po i shfytëzon shteti serb, dhe  me diplomacinë  e saj po i ka dyert e hapura të ulet në shumë vende të ndryshme evropiane e botërore edhe atë me temën e caktuar me ambicie hegjemoniste ndaj Kosovës.

Kurse diplomacia jonë struket nga stigma religjioze, e ka mbetur vetëm në mëshirën e aleatëve tanë perëndimor edhe atë shpesh herë duke u qortuar nga disa politikan nga Prishtina se “gjoja këta njohin çështjen shqiptare të Kosovës më mirë se sa ata”.

Se a janë shtetet evropiane islamofobe, qëndron kjo tezë tashmë e dëshmuar ndër vite, por, e qëndrueshme në argumentet të ruajtjes së identitetit të saj autokton të krishterë dhe se politikanët e Kosovës për ti dhënë ligjërata të tilla evropianëve, është një qasje shumë e dëmshme, pasi që ndoshta ne si politikë shqiptare duhet shqyrtuar dhe kthjelluar vizionin tonë si komb dhe jo evropianët.

Se nga një pjesë e skenës politike shqiptare të Kosovës të dilet me pretekste të mos liberalizimit, dhe që ti mbajmë ligjërata për të drejtat e njeriut e ato religjioze evropianëve është më tepër një injorancë dhe një arsyetim i dështimeve të tyre për të bërë shtetin tonë ashtu siç e deshën shumica e shqiptarëve si një shtet funksional, ligjor dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Duhet rikujtuar kësaj skene politike se po të mos ishte Evropa, Amerika dhe një numër shumë i vogël atdhetarësh shqiptar, çështja shqiptare mund të ishte një çështje e harruar.  Do të ishte shumë me interes të dinte kjo skenë politike e Kosovës e të e kuptoj se sa bota arabe dhe një pjesë e asaj afrikane janë albanofobe, dhe mosmbështetëse të subjektivitetit të Kosovës.

Skena politike e Kosovës si ajo qeverisëse si  dhe ajo në opozitë më me rëndësi është që të merren me krijimin e shtetit tonë ligjor, si dhe ti japin fund emërimit  të militantëve partiak e joprofesionist në stafet diplomatike, si dhe të jenë më vetëkritik të arsyeshëm se sa ti mbajnë ligjërata evropianëve për albanofobi dhe islamofobi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)