23 Dhjetor 2024

Ali Podrimja, vdekja e poetit larg atdheut

Shkruar nga Gani Qarri

Lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit Ali Podrimja derisa ai qëndronte në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève në Francë, të gjithë shqiptarët kudo e morën me dhembje dhe pikëllim .Ndaj në këto çaste të rënda, së pari shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen,miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin poetin tonë të mirënjohur shqiptar.

Askush nuk do ta ketë pritur që për kohë kaq të shkurtër  të na linin përgjithmonë lamtumirën pa kthim të kësaj jete, tri pena të mëdha shqiptare ,si Din Mehmeti,Teki Dervishi dhe Ali Podrimja,për të shkuar njëri pas tjetrit brenda dy tre vitesh në amshim. Vepra e Ali Podrimjes,do të mbetet përgjithmonë,simbol i lidhjes së tij të ngushtë, të sinqertë dhe shumë njerëzore me fatin e popullit shqiptar dhe Kosovës të cilën e donte aq shumë

Pas shkrimeve me dhembje për dy poetët e shkuar pak kohë më parë në përjetësi,Din Mehmeti dhe Teki Dervishi,me po aq dhembje bëjë edhe këtë shkrim, për vdekjen e poetit Ali Podrimja,me shuarjen e të cilit shqiptarët humbën poetin e tyre bashkëkohor ndër më të mëdhenjtë të kohës, rapsodin e vuajtjeve shqiptare dhe dhimbjeve tona të mëdha, poetin e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar,si dhe frymëzuesin e paepur të qëndresës për Kosovën \"Gjaku ynë që nuk falet\" siç diti ai i pari, ta quante.

Poeti qysh herët u bë simbol i një poezie të ndershme,të cilës ia veshi një kostum të qëndrueshëm kombëtar dhe e hijeshoi atë me stil të veçantë artistik. Madje ,në krijimet e tij ndriçuese, digjej natë e ditë, qiriu i pashuar i artit të metaforës së përshtatur me ndjeshmëri të zgjedhur poetike,për ti bërë dritë rrugës së kombëtares në ecjen e atdheut të robëruar dhe ngritur vetëdijen e shqiptarëve të cilët për shumë kohë, kërkonin liri dhe çlirim.

Me krijimet e tij të përzgjedhura poetike,Ali Podrimja do të udhëtonte nga Prishtina në Paris për të përfaqësuar edhe kësaj radhe dinjitetshëm Kosovën,dhe përfunduar me nder luftën e tij të gjatë për te,në mënyrë që nga aty të nisej faqebardhë për ta takuar Lum lumin e tij dhe shuar dhimbjen e madhe njerëzore,e cila e kishte munduar poetin për aq shumë kohë, që nga ndarja me Lumin i cili e priste atë në amshim për tu bashkuar- Babë e Bir në Përjetësi.

Poeti ynë do të shquhej për atdhetarin të flakët,si krijues i një arti të rrallë në letrat shqipe, do të quhej edhe princi i poezisë, poet e mendjendritur i kombit tonë i cili tërë jetën dhe veprën e tij, me shpirt ia përkushtoi, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai gjatë gjithë kohës u shkroi me zemër vuajtjeve dhe shpresës së popullit që përfaqësonte duke i kërkuar besën Lum- lumit,që nga Parisi ku kishte shkuar për të \"bashkë\"-recituar një poezi-Poezinë e Betimit se nuk do të përuleshin para asnjë fuqie dhe as harronin kurrë vendlindjen.

Ndaj shuarja e Ali Podrimjes në Francë, ishte trishtuese ngase shqiptarët vetëm brenda pak vjetësh, humben tre bij te shquar dhe poet të mëdhenj,të penës dhe fjalës së shkruar shqipe,pas Din Mehmetit dhe Teki Dervishit,tani edhe poetin i cili shkroi  aq shumë për Kosovën dhe bëri gjithë atë që mundi për të deri me vdekjen e tij në Parisë.

Ai u nda larg vendlindjes, përgjithmonë nga familja dhe jeta,u nda nga miqtë,të afërmit shokët,u nda nga shkrimet dhe poezia për të mos u ndarë asnjëherë nga kujtimet për të dhe vepra e tij ,kushtuar popullit shqiptar dhe Kosovës gjerë në momentet e fundit të jetës,pak para shkuarjes së përjetshme te Lum Lumi i tij.

Me vdekjen e papritur të poetit,u shua edhe një penë e madhe e letrave shqipe,që la zbrazëti e dhembje në këto trojet,për të mbetur përjetësisht në zemrat e të gjithë shqiptarëve, si udhërrëfim për brezat që do të vijnë. Shuarja e poetit nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit,miqtë dhe dashamirët e tij, por edhe për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët,artin dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.

Krijimtaria e tij letrare la gjurmë të pa shlyera ,në kujtesën e lexuesve,duke kapërcyer kufijtë etnik dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës,për të arritur deri në piedestalin e përjetshëm të poezisë, artit dhe kulturës ndërkombëtare.

Ali Podrimja ishte krijues i veçantë dhe skalitës i vlerave të rralla artistike,i cili me veprën \"Lum Lumi\"përgjithësoi dhembjen e tij të madhe shpirtërore, me të gjithë shpirtrat e pafajshëm kudo,që kanë mundur të përjetojnë tragjedi.

Ai do të hynte në histori përmes fjalës së shkruar në mënyrë metaforike ku shprehu ndjenjat e vrara me shumë plagë të popullit të tij dhe dëshmoi vuajtjet e atdheut të kthyer në \"Gjak që nuk falet\" si dhe përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar dhe atdhedashuri.

Patriotizmi i kulluar i Ali Podrimjes dhe lidhjet e pa shkëputura shpirtërore me të birin e vdekur, ai do ti dëshmonte edhe një herë në vargjet e fundit,të poezisë së përgatitur para nisjes për Festivalin që mbahej në Paris duke ju drejtuar atij me emër ani pse ai që disa kohë kishte zënë vend në amshim.

Poeti siç duket nuk i kishte shkëputur kurrë lidhjet me Lumin dhe as ishte ndarë me të ndonjëherë shpirtërisht,duke ju drejtuar për herë të fundit me fjalët të cilat,sipas traditës së vjetër, po u thanë një herë, nuk njohin më kthim, ngase që nga kohët e lashta shprehin vendosmëri dhe simbolizojnë \"Betim\" :

“Ma jep besën, Lum Lumi, se nuk do të harrojmë vendlindjen\"...

PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndrrat do t\'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t\'i lajmë sytë, duart lythore,
do t\'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t\'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t\'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s\'do t\'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Poeti Ali Podrimja sipas mediave kishte ndërprerë kontaktet me kolegët,miqtë dhe familjarët e tij që nga data 18 korrik,derisa po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodèvei, ku do të gjendej i vdekur më 21 korrik të vitit 2012, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë në atdhe.

Biografia e Ali Podrimjes

Ali Podrimja u lind në vitin1942 në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje kurse studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar për disa vite në gazetën \"Rilindja\" si dhe bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat tjera. Ai si poet dhe shkrimtar i mirënjohur, ishte edhe anëtar i nderuar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kohët më të vështira,të përjetuara nga populli shqiptar dhe poeti, ishin tmerret e kaluara nën terrorin e Aleksandër Rankoviqit gjatë viteve të pesëdhjeta-gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar,kur shqiptarët në trojet e tyre vuanin shtypjen dhe terrorin më të egër që njihte historia e kohës së sllavo-komunizmit nën ish sundimin serbo-sllav.

Shtypja dhe represioni i asaj kohe është shfrytëzuar, për dëbimin me forcën të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone,për mes aksionit të shpikur të mbledhjes së armëve, kur shumë shqiptar të pafajshëm do të vdisnin nën torturat dhe keqtrajtimet e sigurimit famëkeq serb të UDB-s, ndërsa dhjetëra mijëra tjerë, do të shpërnguleshin me dhunë për në Turqi.

Krijimtaria letrare e Ali Podrimjes

Ali Podrimja është marrë  më tepër me poezi lirike, vargjet e së cilës ,çdo herë ishin të frymëzuara dhe të lidhura ngushtë me fatin e hidhur historik të popullit shqiptar. Ndaj, në qendër të shkrimeve të tij, Poeti gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare.

Ndër veprat kryesore dhe më të realizuara të tij konsiderohet, vepra Lum Lumi e botuar në vitin 1982,e cila njihet si vepra më e mirë që shënoi risi edhe në mënyrën e shkrimit të poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë.

Përjetimet e vështira nga shtypja e rëndë politike gjatë viteve të 50-60, dhe tragjedia e përjetuar me rastin e vdekjes së të birit Lumit,ndikuan jo vetëm në jetën ,por edhe në krijimet letrare deri në ditët e fundit të tij,i cili edhe në ato qaste,do ti kërkonte besën Lum lumit, për të mos ia kthyer shpinën-vendlindjes.

Nën këtë atmosferë kishte filluar shkrimet edhe Poeti,duke bërë thirrje për qëndresë kombëtare i cili poezinë e parë do ta botonte më 1957, në revistën \"Jeta e Re\".

Ali Podrimja është autor i rreth njëzet vëllimeve me poezi i cili nga kritika vlerësohet si njëri ndër përfaqësuesit më të vlerësuar të poezisë së sotme shqiptare dhe poet me emër të njohur edhe në shkallë ndërkombëtare.

Veprat kryesore të tij janë: 

Poezi:

1.“Thirrje” 1961

2.“Shamijat e përshëndetjeve”1963

3.“Dhimbë e bukur” 1967

4.“Sampo” 1969

5.“Torzo” / “Hija e tokës” 1971

6.“Foleja”1973

7.“Credo” 1976

8.“Poema” 1978

9.“Sampo 2” 1980

10.“Drejtpeshimi”1981

11.“Lum Lumi”1982

12.“Fund i gëzuar” 1988

13.“Zari” 1990

14.“Në bisht të sorrës” 1994

15. “Buzëqeshje në kafaz” 1994

15.“Burgu i hapur”1998

17.“Hrakiri” /

18.“Ishulli Albani” 1999

19.“Dielli i zi” 2000

20.“Libri që nuk mbyllet” 2001

dhe dy libra në prozë:

Burgu i hapur 1998, dhe Harakiri 1999.

Poezia e Ali Podrimjes,është vlerësuar lartë dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja,vargu i të cilit gjithmonë shprehu dhembjen ndaj Kosovës dhe shpresat e shqiptarëve për liri.

I përjetshëm qoftë kujtimi për poetin Ali Podrimja!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)