22 Dhjetor 2024

Ahtisaari antishqiptar dhe gjykata e tij kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin shkombëtarizues të radhës në frymën e Planit të Ahtisaarit. Pas ankesës së përfaqësuesve të pakicës boshnjake dhe asaj turke në Gjykatën Kushtetuese për stemën e komunës së Prizrenit, gjykata ka vlerësuar që kjo stemë është antikushtetuese. Në këtë stemë duket shtëpia e Lidhjes së Prizrenit.

 

Jo vetëm që Plani i Ahtisaarit po na shkombëtarizon në këtë mënyrë, por edhe krejt vargu i institucioneve politike e gjyqësore të ndërtuara sipas konceptit të Planit të Ahtisaarit, janë në shërbim të këtij plani antishqiptar, e jo në shërbim të vullnetit të popullit shumicë. 

Lëvizja VETËVENDOSJE! pat paralajmëruar me kohë se vetë koncepti i zgjidhjes së statusit të Kosovës me kompromis ndaj Serbisë do të çojë vetëm në zgjidhje me të cilat pajtohet Serbia. E Serbia nuk pajtohet me identitetin shqiptar, me historinë shqiptare, me kulturën shqiptare dhe me një shtet të popullit shumicë shqiptar në Kosovë.

 

Sepse vetë Serbia si shtet është ndërtuar mbi programin e okupimit të tokave shqiptare, mohimit tonë identitar dhe kulturor, spastrimit etnik, shtypjes së popullit shqiptar dhe fushatave të vazhdueshme gjenocidale. (Njëra prej shënjestrave të sulmit të shtetit serb kundër identitetit dhe kulturës shqiptare ishte pikërisht ndërtesa muze e Lidhjes së Prizrenit e cila u dogj gjatë luftës.) Plani i Ahtisaarit si zgjidhje për statusin e Kosovës është përpiluar si kornizë politike që ta zhvesh Kosovën nga përmbajtja e saj mbizotëruese kombëtare, kulturore dhe historike. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e stemës së Kuvendit Komunal të Prizrenit, vjen pas një sërë veprimesh paraprake shkombëtarizuese në frymën e Planit të Ahtisaarit, siç janë ndërrimi i flamurit, himnit, festave kombëtare shqiptare, tjetërsimi i kulturës dhe uzurpimi i hitorisë përmes kishave e manastireve ortodokse etj. Kushtetuta e Kosovës e ka përmbi Planin e Ahtisaarit. Të gjitha gjykatat e Kosovës, përfshirë edhe atë kushtetuese, e kanë parasysh nenin 143 të Kushtetutës, i cili thotë se akti më i lartë juridik në vend është Plani i Ahtisaarit.

 

Duke qenë ky plan i tëri brenda Kushtetutës së Kosovës, kurse legalisht mbi Kushtetutë, e ka bërë shkombëtarizimin antishqiptar të Kosovës jo vetëm motiv dhe karrierë të udhëheqjes politike, por edhe obligim dhe detyrë kushtetuese. Kurse çdo afirmim të identitetit shqiptar e ka vendosur në pozita antikushtetuese. Kjo gjendje është e njëjtë me kohën kur Kosova vuante në shtypjen jugosllave, me ç’rast çdo angazhim për ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë ishte obligim qytetar në kundërshtim me vullnetin e popullit, kurse çdo përpjekje për shkëputje në përputhje me vullnetin e popullit dënohej si akti më i rëndë antikushtetues. E tërë rezistenca e shumë dekadave në Kosovë ka vepruar përbrenda konceptit të afirmimit të shqiptarizmit antikushtetues, dhe aspak ndryshe nuk është sot. 

Nëpërmjet këtij vendimi antishqiptar të Gjykatës Kushtetuese, nuk është prekur vetëm qyteti historik i Prizrenit, por krejt kombi shqiptar, sepse shtëpia e Lidhjes së Prizrenit është simbol i pamohueshëm i përpjekjes më serioze kombëtare shqiptare të shekujve të fundit për mobilizim dhe organizim popullor e ushtarak me qëllim të krijimit të shtetit shqiptar. Prandaj kundër këtij vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë të drejtë të protestojnë me të njëjtën pakënaqësi të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë ata. Çdo protestë duhet ta ketë në shënjestër vetë Planin e Ahtisaarit prej nga dalin të gjitha këto institucione dhe vendime antishqiptare, si dhe atë brigadë njerëzish vendës që po e zbatojnë këtë plan kundër vullnetit të qytetarëve.

Plani i Ahtisaarit konsideron se në emër të pakicave duhet të sakrifikohet vullneti politik dhe identiteti kombëtar i popullit shumicë. Kjo është qasje krejtësisht e gabueshme dhe me siguri që do të dështojë herëdokur. Pothuajse të gjitha shtetet evropiane demokratike kanë standardet më të larta për pakicat, por aty mbizotëron vullneti i shumicës. Dhe, në këto shtete nuk ka kurrfarë konfrontimi ndërmjet të drejtave të pakicave dhe vullnetit të shumicës.

 

Shtet i vërtetë demokratik është vetëm ai shtet që përbrenda vullnetit politik të shumicës, që materializohet në institucionet sovrane të vendit, garantohen të drejtat më të larta politike, kulturore e ekonomike të pakicave. Por kurrsesi ai shtet, korniza politike e të cilit e mbyt vullnetin e shumicës absolute në emër të neutralitetit ndaj të gjithëve, dhe kështu qëllimisht i armiqëson artificialisht pakicat me shumicën. Barazia e qytetarëve ka kuptim si barazi para ligjit. Por në secilin shtet, e sidomos nëpër shtetet demokratike evropiane, popullata e shteteve kryesisht përbëhet nga një grup shumicë, dhe pakicat që jetojnë në të. Në Kosovë ky grup shumicë ka identitet të qartë kombëtar.

 

Ne jemi shqiptarë. Dhe duhet t’ua garantojmë të gjitha të drejtat pakicave, ashtu siç ua garantojnë këtë gjë shtetet normale. Por kurrsesi të zbulojmë e imponojmë identitete politike e kombëtare artificiale si alibi për deshqiptarizimin e Kosovës, siç po ndodh aktualisht me Planin e Ahtisaarit.  

Komiteti i VETËVENDOSJE!-s për Politikë  dhe Çështje Juridike

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)