Abenomiksi, ekonomia e re japoneze
Shkruar nga Menderes Ibra
Pas krizës globale financiare të viteve 2008-09 të shoqëruar me krizën e borxheve në shumë shtete dhe rrjedhimisht trendeve negative ekonomike në nivel global, ekonomitë e vendeve më të zhvilluara ndërmorën hapa të ndryshëm drejt tejkalimit të saj.
Duke qenë se ekonomitë e këtyre shteteve janë lokomotivë e zhvillimit ekonomik botëror, ato padyshim që kanë ndikim në zhvillimet në të gjitha shtetet. Natyrisht se masat dhe veprimet e ndërmarra ishin specifike nga shteti në shtet.
Kështu p.sh. ekonomia e tretë më e madhe në botë, ajo japoneze që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Shinzo Abe u karakterizua me ndërtimin e një koncepti të ri zhvillimi dhe që tani më është emërtuar sipas kryeministrit Abe si abenomiks. Kjo për vet faktin e ndërmarrjes së masave të thella reformuese.
Pas periudhës së gjatë të stagnimit, kryeministri japonez parashtroi si qëllim që përmes një programi të kompletuar masash të ringjallë dhe rikuperoj ekonominë e amullt japoneze.
Qëllimi kryesor i tij ishte që përmes veprimeve konkrete të veprohej në tri orientime kryesore (të cilat figurativisht u quajtën edhe tri shigjetat): Pakoja e stimulimit financiar, lehtësirat agresive monetare përmes Bankës Japoneze si dhe reformave strukturore, përmes të të cilave të rrisë konkurentshmërinë dhe produktivitetin e ekonomisë japoneze.
Sikurse edhe në ekonomitë e tjera të fuqishme botërore këto veprime u harmonizuan në koordinim dhe koherencë të plotë në mes të qeverisë dhe Bankës së Japonisë, përkatësisht politikës fiskale me atë monetare, dhe e cila si një nga qëllimet kishte që të dobësojë valutën kombëtare jenin dhe në këtë mënyrë të mbështesë eksportet e vendit.
Dobësimi i valutës japoneze në fakt aktualisht është edhe një nga testet kryesore të strategjisë së rritjes ekonomike përkatësisht abenomiksit, dhe e cila disa muaj pas fillimit të abenomiksit eshtë duke dhënë rezultate, pasi që raporti i jenit me dollarin është në raport 100 me 1, nivel ky i cili për herë të fundit ishte shënuar para rreth katër vitesh.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve raporti jen-dollar është tejet i rëndësishëm dhe llogaritet se p.sh. rënia prej 10 % e jenit në raport me dollarin shoqërohet me rritjen prej 0.3% të BPV-së në vitin vijues.
Para disa muajsh Banka e Japonisë paralajmëroi operacionet përmes të të cilave do të dyfishohet baza monetare brenda dy vitesh, gjë e cila do të arrihet përmes blerjes agresive të bonove afatgjata si dhe aseteve tjera, dhe që paraqet ndërrim të politikave të deritashme.
Kjo nënkupton se Banka Japoneze do të blej në dy vitet e ardhshme bono afatgjata dhe asete tjera në vlerë prej nga rreth 600 miliardë $ në vit, duke e dyfishuar në këtë mënyrë bilancin e saj në rreth 2.9 trilion $.
Banka Japoneze ka paralajmëruar cakun e inflacionit prej 2 % duke nënvizuar se politikat e inflacionit do të jenë fleksibile.
Ky hap vlerësohet si hapi më i guximshëm në stimulimin ekonomisë së vendit si dhe përfundimin e periudhës së prej mbi 15 viteve të deflacionit e që shpesh ishin quajtur edhe vitet e vetëkënaqësisë japoneze.
Ky stimulim gjigand monetar është përshëndetur edhe nga FMN-ja me pritjet që do të ketë edhe në rritjen ekonomike globale.
Në të njëjtën kohë edhe përkundër ndjeshmërisë politike si pjesë e masave të abenomiksit ishte edhe plani për ngritjen e tatimit në shitje, fillimisht nga 5 në 8 % në fillim të vitit të ardhshëm, dhe pastaj në 10 % në vitin 2015.
Pjesë e planit është edhe zvogëlimi i tatimit në korporata nga niveli i tashëm prej 36.5 % (e që për nga lartësia është e dyta më e larta në mesin e vendeve anëtare të G 7).
Analistë dhe ekspertë të ekonomisë kanë bërë edhe paralelen e ngjashmërisë së abenomiksit me parimet e asaj që në SHBA ishte emërtuar si Reagonimks (sipas presidentit amerikan Ronald Regan), që ndër të tjera karakterizohej me masat në shkurtimet në shpenzimet e mirëqenies, zvogëlimin e barrierave tregtare, derregullimit, reformave në ligjet e punës përmes të cilave thjeshtësohet largimi i punëtorëve nga puna etj.
Disa muaj pas fillimit të këtyre masave ekonomia japoneze është duke shënuar rritje prej 3.6% në baza vjetore, duke dëshmuar arsyeshmërinë e veprimeve të ndërmarra. Optimizmi për suksesin është i dukshëm dhe përveç rritjes ekonomike edhe tregjet e kapitalit kanë arritur nivele deri në 80 % më të larta.
Natyrisht se kjo rritje është e ndikuar nga stimulimi monetar i Bankës Japoneze dhe rritjes së shpenzimeve qeveritare, përkatësisht efekteve të dy masave të para. Ky ekspansion është mirë i balancuar dhe i karakterizuar me kërkesë të fuqishme të brendshme dhe të jashtme.
Këto shenja dëshmojnë për përhapjen dhe efektet pozitive të abenomiksit, në vendin me afër 130 milion banorë dhe borxhin publik prej rreth 5 trilion $ ose dyfish më të lartë se sa madhësia e ekonomisë, dhe proporcionalisht më të lartin krahasuar me vendet tjera më të industrializuara të botës.
Deficiti fiskal këtë vit do të arrij në 10.3% e BPV në krahasim me 9.9 % në vitin e kaluar.
Zhvillimet pozitive brenda këtyre muajve në ekonominë japoneze tregojnë për programin adekuat të ndërmarrë, dhe si të tilla ato pritet se do të kenë ndikime pozitive edhe në rrjedhat e përgjithshme ekonomike në botë.
(Autori është këshilltar në Ministrinë e Financave)