Abdullah Hoxha, martir i flijuar për atdhe
Abdullah Hoxha, martir i flijuar për atdhe (1853-1910)
Qoftë laik apo besimtar
Malësia lind veç atdhetar
Kështu thuhet se i këndohej dikur kësaj treve mitike, e cila deri vonë ishte dhe mbeti një oazë me histori dhe legjenda të pafund për ç gjë shkruhen kronika të shumta dhe tregohen ngjarje e përjetime të panumërta.
Luftëtarët dhe heronjtë e saj, qofshin ata edhe fetar, në të gjitha kryengritjet dhe përpjekjet për çlirimin e vendit, që nga kohët më të lashte e deri në krijimin e Shtetit Shqiptar, ishin shembull i bashkimit e trimërisë dhe luftës për truallin e të parëve, të cilët kurrë nuk vendosën asgjë para kombit dhe lirisë së tij.
Shumë nga ta, nuk bënë hesap jetën personale, duke u sakrifikuar trimërisht për atdhe dhe interesa të larta kombëtare si dhe tërësinë e Shqipërisë Etnike, ani pse jo pak prej tyre do të vdisnin të dëshpëruar për ëndrrën e parealizuar që ta shihnin vendin e tyre të lirë e të bashkuar për të cilin gjatë gjithë jetës luftuan heroikisht.
Njëri prej bijve të Malësisë i cili edhe ai me veprën e tij atdhetare, do të arrinte përjetësinë në piedestalin e historisë sonë kombëtare, do të vinte nga kjo trevë e cila luftën për liri e pati traditë, ku një këngë si kjo, gjatë atyre viteve, shpesh do të përsëritej:
Ku po del kjo flakë e verdh
Gashit të Gurit si çdo herë
Pra heroi ynë ishte nga një vend i qëndresës së madhe, i cili si prijës e luftëtar i paepur edhe para litarit turk nuk do ta tradhtonte kombin, atdheun as idealin për çlirim, biri i Malësisë dhe Popullit Shqiptar, heroi Avdullah Hoxha.
Ai u lind në Hoxhaj të Gashit të Gurit (ish kovaqe), më 1853,në një familje të shkolluar dhe me burra të njohur për trimëri, të arsimuar e besimtarë që për disa breza, përfshi edhe atë vet, i cili pati mbaruar medresenë në Gjakovë, do të shërbenin jo vetëm në vendin ku lindën por në Malësi dhe shumë fshatra në Rrafsh të Dukagjinit, jeta e të cilit do të përfundonte më 27 nëntor të vitit 1910, pas kapjes me tradhti nga turqit të cilët do ta varnin bashkë me Shaban Binakun e Binak Alisë së Krasniqes në Pazar të Gjakovës.
Në kohën sa ishte ende i ri, kryengritjet antiosmane në të cilat luftonin edhe prindërit e tij, kishin marrë hovë kudo, ndaj qysh herët, ai dëgjoi për trima dhe prijës e mendimtar të zot si Binak Alia, për heronj luftërash e përpjekjesh kombëtare, me të cilët u rrit dhe përvetësoi dije e përvoja të reja lufte dhe qëndrese nga betejat e pandërprera që atje ndër vite zhvilloheshin.
Avdullah Hoxha dhe Shaban Binaku, përjetuan edhe qëndresat e mëdha në vendlindje, kur mijëra malësor luftonin rreptë për mbrojtjen e vendit nga pushtimi dhe ruajtjen e të rinjve nga rekrutimet turke, ndaj qysh atëherë ata u mësuan me erën e barotit dhe ashpërsinë e luftërave, në të cilat edhe këta me guxim dhe pa u frikësuar asnjëherë do të merrnin pjesë në të gjitha kryengritjet që do të zhvilloheshin për çlirimin e vendit, deri në rënien e tyre heroike.
Kështu që, sytë e tyre të njomë do tu digjnin shpesh dhe mjegulloheshin disa herë brenda viti nga tymi e flaka e shkrepjes së pushkëve, dhe hedhja e predhave të çelikta të artilerisë dhe topave osman, të cilët gjuanin pandërprerë kullat e malësorëve.
Nga shkaku i mësymjeve të shpeshta turke dhe luftërave të pandërprera kundër pushtuesve, edhe familja e Avdullah Hoxhës, do të ngrinte kullën e saj në një pjesë të thellë kodrinore dhe vend strategjik të quajtur qafa e livadhit e cila ishte e vendosur në mes të maleve prej nga shihej pjesa më e madhe e Malësisë, që në rast nevoje mund të shërbente edhe si vendstrehim për familje, miq dhe bashkëluftëtar.
Në këtë kullë dhe truall u lind e rrit dhe formua prijësi e atdhetari i shquar Avdullah Hoxha, i cili në rrugëtimin e tij të gjatë kombëtar, eci bashkë me Shaban Binakun me të cilin nuk u ndanë deri në vdekjen e tyre heroike.
Pjesëmarrja në Betejat e Lidhjes
Avdullah Hoxha edhe pse kishte mbaruar medresenë dhe për nga profesioni njihej si fetar, patriotizmi i tij ishte dhe mbeti përherë në nivelin më të lartë duke i qëndruar çështjes së atdheut gjithmonë besnik dhe i pa lëkundur.
Ai ishte organizator i zoti tubimesh dhe orator i njohur kuvendesh si dhe udhëheqës i dalluar betejash heroike të cilave u priu me trimëri sa herë që e thirri zëri i atdheut.
Ndaj, gjithë jetën e tij do t`ia kushtonte Çështjes Shqiptare dhe mbrojtjes së trojeve të rrezikuara të atdheut si bashkëluftëtar i prijësve më të njohur popullorë duke marr pjesë krahas malësorëve të Krasniqes, Gashit, Bytyçit dhe gjithë Kosovës në aksione e beteja që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë kombëtare.
E tillë ishte kryengritja e vitit 1845,kur 8000 malësor për disa ditë do ta çlironin edhe Gjakovën, e ngjashëm do të zhvillohej edhe kryengritja e Krasniqes së vitit 1862, kundër Maxhar Pashës, edhe kjo e udhëhequr trimërisht nga Binak Alia, në të cilën forcat osmane do të thyheshin keq duke lënë edhe aty rreth 1500 të vrarë e të mbytur në lumin e Valbonës.
E fort dhe heroike dëshmohet edhe qëndresa gjatë muajve qershor-korrik të vitit 1910, kur rreth 2000 malësorë të Krasniqes dhe Gashit, me rreth 2 000 forca, të udhëhequr nga Bajram Curri, Zeqir Halili, Avdullah Hoxha dhe Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë turke në Malësi.
Avdullah Hoxha ishte aktiv në të gjitha betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke filluar nga rrethimi i Maxhar Pashës në fillim-shtatorin e vitit 1878, në kullat e Avdullah pashë Drenit në Gjakovë dhe betejën për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë më 1879-1880,ku thuhet se në përballje e sipër me forcat malazeze do të plagosej rëndë.
Ai do të merrte pjesë edhe në luftimet për çlirimin e Shkupit nga Lidhja Shqiptare në janar të vitit 1881, si dhe betejat shtime- slivovë në prill të atij viti, të organizuara po nga kjo Lidhje për mbrojtjen e trojeve tona kombëtare nga ripushtimi turk.
Avdullah Hoxha në mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë
Pas vrasjes së Maxhar Pashës, sulmet e bandave soldateske malazeze, kundër shqiptarëve në brezin kufitar, sa vinin e shtoheshin. I dëshpëruar me dështimin e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi nga ana e Perandorisë turke, që nga 31 tetori i vitit 1879, forcat malazeze kishin filluar provokimet e herë pas hershme ushtarake duke vrarë e terrorizuar qindra banorë të pa fajshëm shqiptar në vendbanimet e tyre të pambrojtura, përreth kufirit që ndante dy vendet.
Madje, pasi që Mark Milani e kishte bindur knjazin malazez, se ai jo vetëm që do ta pushtonte shpejt e lehtë dhe me vetëm pak luftime Plavën dhe Gucinë, por do ta shfaroste edhe Malësinë e mirë dhe heroike të Binak Alisë, më 9 janar të vitit 1880,të 12 mijë trupat malazeze të grumbulluara në brigjet e lumit Lim, nën udhëheqjen e Mark Milanit do të kalonin në sulm të përgjithshëm, për pushtimin e Plavës dhe Gucisë me forcën e armëve.
Ende pa përfunduar luftimet, Knjaz Nikolla duke besuar për të vërteta premtimet e Mark Milanit, i entuziazmuar pa masë, do tu drejtohej shqiptarëve, para kohe dhe siç thotë shprehja popullore pa folur me hanxhiun, jo vetëm me kërcënim por edhe me shumë përçmim që tingëllonte bukur ofendues edhe sipas rapsodit popullor :
Ngoni këndej Plavë e Guci
Ua dua sillën sa të mbërri në kufi
Drekën në Plavë, darkën në Guci
Por shqiptarët të pa shqetësuar nga mendjemadhësia e tepruar e Mark Milanit dhe entuziazmi i pa arsyeshëm i knjazit malazez, ata kishin vendosur ta mbronin vendin e tyre me të gjitha mjetet dhe mundësitë që kishin, ndaj pas dhënies së kushtrimit të përgjithshëm për luftë, numri i vullnetarëve nga të gjitha anët do të shtohej aq shumë sa që me të arritur në 9 mijë trupa, shtabi i mbrojtjes do të detyrohej tu bënte thirrje krahinave shqiptare që të mos dërgonin më tej vullnetar.
Edhe në këtë luftë, trimat e Malësisë do të arrinin ndër të parët, kurse në mesin e 600 vullnetarëve për ndaljen e mësymjes së malazezëve dhe pushtimit me forcë të Plavës dhe Gucisë nga ana e tyre, do të shkëlqente edhe Avdullah Hoxha me trimëri.
Madje sipas fjalëve të Avdi Bajramit, nga një intervistë e vitit 1974,në youtube, xhaxhai i të cilit thotë se ishte bashkëluftëtar i Avdullah Hoxhës, ai shprehet se në ato luftime Avdullah Hoxha kishte marrë edhe dy plagë të rënda, njërën pas tjetrës, por megjithatë nuk do të largohej për asnjë moment nga fronti në mënyrë që morali i bashkëluftëtarëve të mbahej sa më lartë, derisa nën udhëheqjen e trimave si Jakup Ferri e Ali pashë Gucia, u mundën përfundimisht dhe me turp malazezët.
Luftëtar i Slivovës
Ishte pranvera e vitit 1881, kur hordhitë anadollake edhe një herë kishin mësy Kosovën dhe për pesë orë rresht, në Slivovë do të zhvillohej një nga betejat më të rrepta. Njëra ndër luftërat më të mëdha për kurorëzimin heroik të përpjekjeve mbinjerëzore të Lidhjes Shqiptare për lirinë e atdheut dhe autonominë e Shqipërisë Etnike
Ndaj, Abdullah Hoxha e Shaban Binaku, të shoqëruar nga malësorët trima si Smajl Mehmeti e Smajl Hyseni, të cilët do të binin që të dy dëshmorë, dhe mijëra bashkëluftëtar të tjerë, do të qëndronin trimërisht përballë topave dhe taborëve turke edhe në Slivovë.
Ata bashkë me Mic Sokolin dhe Alli Ibrën, përveç shumë betejave heroike anë e kënd trojeve shqiptare, udhët e luftës për lirinë e vendit, do ti qonin ndër të parët edhe atje ku Heroi dhe Prijësi Legjendar i Malësisë dhe mbar kombit shqiptar, trimi Mic Sokoli do ti vinte gjoksin e tij burrëror, grykës së topit të pushtuesve turq, duke rënë heroikisht për lirinë e atdheut.
Oratoria e Avdullah Hoxhës
Pas tri vitesh qëndrese heroike ,me gjithë përpjekjet e saj biblike, Lidhja e Prizrenit, do të shuhej si organizatë luftarake, por trimat e saj nuk do ta pushonin luftën e tyre çlirimtare asnjëherë, madje ata organizonin edhe kryengritje të njëpasnjëshme kudo që arrinin.
Në ato kohë, pati edhe përpjekjet tejet serioze për ripërtëritjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, formuar më 10 qershor të vitit 1878, sidomos nga njëri prej pjesëtarëve më heroik të këshillit qendror të saj me origjinë nga Shoshani i Malësisë, si heroi Haxhi Zeka.
Kur ai thirri Kuvendin e Pejës nga 23 deri më 29 janar të vitit 1899,me ç`rast do të formohej Lidhja e Pejës, e njohur në histori si Besa Besë, Avdullah Hoxha dhe Shaban Binaku, qëndruan për një javë atje, për të bashkuar dijen dhe forcën me të gjithë atdhetarët e Shqipërisë Etnike, me ç`rast edhe Avdullah Hoxha si orator i njohur që ishte, do ta thoshte fjalën e tij të çmuar e që do të pritej me ovacione dhe miratim nga të gjithë pjesëmarrësit, sidomos kur ai bënte edhe apel për bashkim dhe vazhdimin e përpjekjeve për ruajtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe rreziqet që i kanoseshin nga çdo anë atdheut:
Vëllezër, tani kur Perandoria turke po shkapërderdhet si një gastare e thyer, fqinjët tanë kanë zhvesh dhëmbët dhe po bëhen gati të na sulen për zaptimin e tokave tona, ndaj në këtë kohë, për të gjithë ne, kryesore është bashkimi i shqiptarëve kudo, pa dallim krahine e besimi, për tu dal zot trojeve të të parëve tanë dhe për mbrojtjen e tyre me të gjitha mundësit që kemi.
Në luftimet e Carralevës më 1910
Siç mësojmë nga historia jonë kombëtare, në vitin 1908,me iniciativën e Isa Buletinit në Ferizaj do të mblidheshin mbi 30 mijë shqiptar për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikës shtypëse të Perandorisë turke, Kuvend ky në të cilin do të merrnin pjesë edhe Avdullah Hoxha e Shaban Binaku, siç do të shkonin në prill të vitit 1910 edhe në luftimet e Carralevës bashkë me Zeqir Halilin e shumë trima të tjerë nga Malësia dhe Kosova.
Ai vit ishte edhe një mot i përpjekjeve të mëdha për liri dhe çlirim kombëtar i cili jo vetëm Avdullah Hoxhën do ta qonte në beteja të reja, një dëshmi kjo se edhe pas dhjetëra vitesh të kaluara nga shuarja si organizatë, idealet e Lidhjes së Prizrenit për liri jetonin, kurse luftëtarët e saj besnik, nuk pushonin përpjekjet për çlirimin e trojeve shqiptare nga Turqia dhe formimin e shtetit të tyre kombëtar.
Dhuna e egër që xhonturqit ushtronin për heqjen e armëve, mbledhjen e taksave si dhe rekrutimin e të rinjve shqiptar në Kosovë, kishte marrë përmasa aq të padurueshme, sa që në Pranverën e vitit 1910, qoi edhe një herë shqiptarët e kësaj treve kombëtare në kryengritje të armatosur, kundër regjimit pushtues perandorak.
Ndaj, Avdullah Hoxha dhe Shaban Binaku të cilët kurdoherë iu përgjigjën thirrjes së kombit në të gjitha trojet kudo që luftohej për liri, u rreshtuan edhe në këtë betejë të cilës i printe trimi Isa Buletini, heroi që udhëhoqi luftimet e atij viti, (Prill 1910), kundër pushtuesve turq, në grykën e Carralevës.
Këta luftëtarë të denjë të kauzës sonë kombëtare, do të kthehen në simbol qëndrese e besnikërie të cilët për asnjë moment nuk devijuan rrugën e lirisë dhe përpjekjet për çlirimin e trojeve shqiptare, deri në kapjen e tyre me tradhti dhe varjen makabre nga turqit më 27 nëntor të vitit 1910, në Gjakovë, trupat e të cilëve edhe sot, atje pushojnë.
Varja e heronjve
Megjithëse kryengritja shqiptare e vitit 1910 ishte thyer, qeveria pushtuese perandorake për kapjen me tradhti të prijësve kryesor shqiptar, kishte shpallur një të ashtuquajtur amnisti, madje kishte dërguar edhe disa komisione qeveritare në teren, kinse për marrëveshje me trevat kryengritëse, vlerësimin e dëmeve të luftës dhe riparimin e tyre.
Ashtu siç ftonin udhëheqësit e krahinave tjera gjoja për plotësimin e disa prej kërkesave të shqiptarëve dhe lidhjen e një marrëveshje me ta, një ftesë të ngjashme organet e pushtetit turk do t`ua dërgonin edhe Avdullah Hoxhës si përfaqësues i Gashit dhe Shaban Binakut si përfaqësues i Krasniqes, dy nga prijësit e ndritshëm të Malësisë së asaj kohe.
Mjerisht, edhe prijësit me përvojë si Avdullah Hoxha e Shaban Binaku, do ti besonin amnistisë false të organeve pushtuese xhonturke, të cilët pas kapjes me tradhti do ti ekzekutonin me varje.
Ndaj, edhe siç do të dëshmohej më vonë, farsa e ftesave osmane nuk kishte të bënte asgjë me faljen apo amnistinë, por me mashtrimin e radhës për ti shti në dorë udhëheqësit më të zot të kryengritjeve, siç ndodhi edhe me këta dy heronj të cilët Perandoria osmane për dhjetëra vite lufte nuk mundi ti kapte kurrë.
Ishte fundi i nëntorit të vitit 1910, kur në zyrat e pushtetarëve perandorak osman do të trokisnin edhe këta dy burra të papërkulur të luftës dhe përpjekjeve shqiptare nga trojet ku qëndrohej dhe kërkohej me vendosmëri, liri e çlirim kombëtar.
Por, siç është e njohur,në vend të bisedimeve, ata të dy do të lidheshin në pabesi, dhe në këmbim të jetës së tyre do të kërkohej nga këta dy trima që ta bindnin Malësinë për dorëzimin e armëve, pagesën e taksave dhe dërgimin e djemve shqiptar në ushtrinë turke.
Burrat e devotshëm të kombit, jeta e të cilëve kishte kaluar në sa e sa luftëra dhe beteja për liri e çlirim, pasi nuk pranuan kushtet e parashtruara me kërcënime, autoritetet perandorake provuan ti joshnin me para, poste dhe grada.
Megjithatë, shpirti luftarak i dy kryengritësve të përjetshëm malësor, do të përgjigjej prerë dhe me vendosmëri se që të dy ishin të gatshëm të vdisnin, por jo të tradhtonin atdheun as shisnin djemtë e kombit me para, poste as grada.
Ndaj, qeveritarët turq, siç tradhtuan në çdo kohë, gjatë gjithë historisë së pushtimit shumëshekullor të vendit tonë, tradhtuan edhe këtë herë, duke thyer premtimin e dhënë për bisedime dhe dënuar heronjtë e Malësisë me varje në Pazar.
Avdullah Hoxha e Shaban Binaku, kudo që i thirri zëri i atdheut ATA ISHIN BASHKË, ndaj siç qëndruan përherë të pa ndarë në luftë dhe në jetë, për djemninë shqiptare dhe atdheun e tyre, ata do të shkonin bashkë edhe në vdekje krenar.
Ndaj varjen e një heroi si ai, kështu do ta kujtonte rapsodi i kohës:
Haj medet po ban Gjkakova
Sot po viret Avdullah Hoxha
Është tejet interesant se tash e mbi 100 vjet, mbeten të pa harruara fjalët e Avdullah Hoxhës, para litarit turk, të cilin edhe në minutat e fundit të jetës do ta provokonin mejteplitë dhe ekzekutuesit barbar osman;
Hoxhë sa sharte ka turqnia
Pesë manxerrja e gjashtë alltia
Do të përgjigjej malësori, shpirtin kryengritës të të cilit, edhe në ato momente të rënda nuk mundën ta thyenin dënimi me vdekje as provokimet e ulëta të zyrtarëve turq.
Madje, luftëtari kombëtar dhe udhëheqësi heroik i kryengritjeve shqiptare i cili kishte kaluar një jetë të tërë në luftë e beteja me pushtuesit osman, kështu do tu përbetohej xhelatëve;
T më qëllonte veç njëra me veti
Sot më kish shku zani te mreti
Avdullah Hoxha dhe Shaban Binaku, siç ditën të jetojnë vëllazërisht dhe qëndronin e luftonin trimërisht në ballë të të gjitha betejave për lirinë e atdheut, ditën edhe të binin bashkë dhe burrërisht ,pa e tradhtuar kurrë atdheun as popullin e tyre, duke i mbetur besnik edhe njëri tjetrit, deri në vdekje.
Në përkujtim të 100 vjetorit të rënies së këtyre figurave të çmuara kombëtare, komuna e Bujanit, Gjakovës dhe prefektura e Kukësit, në shenj nderimi, më 27 nëntor të vitit 2010, organizuan një numër veprimtarish me ç`rast në Gjakovë u nderua edhe një shesh me emrin e tyre, bëmat e të cilëve u përjetësuan në këngë kreshnikësh shqiptar dhe gdhendën me pietet dhe shkronja të arta në historinë e personaliteteve të çmuara kombëtare.
Gani Qarri Cyrih, 18 Shtator 2014
Burimet:
1.HARRY BAJRAKTARI DOKUMENTAR PER BINAK ALINE, SHABAN BINAKUN MALESIA E GJAKOVES PART II youtube.
2."Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë dhe në Qafën e Agrit" http:www.host.al
3. Libri Krijuesit e Historisë Prishtinë 2012
4. Binak Alia dhe elita historike.. - YouTube
5.Nderohen bijtë e Malësisë, Shaban Binaku e Abdullah Hoxha Bota Sot | 14.12.2010. Beqir Sina Nju Jork
6. "PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT Portali Malësia e Madhe