22 Dhjetor 2024

A thua ka nevojë Kosova për një Tito?

Shkruar nga Muharrem Xhemajli

Pas të gjitha katrahurave që bota i ka karakterizuar si eksperimente gjenocidale të një sistemi dhe ideologjie politike tragjike, posaqërisht ndaj shqiptarëve (në tokat e okupuara shqiptare), të bëra nga Tito e  këlyshet e tij, të deklarosh  se unë do të JEM TITO I KOSOVËS nuk është asgjë tjetër përveç nostalgji kanceroze, që lajmërohet vetëm te ata persona që mund të kualifikohen si lugetër të kufomës së tij!

A thua ky Tito, na paska qenë engjull i shqiptarëve!? O zot, a e dinë këta njerëz apo ‘shoku’  Behxhet Pacolli, se po ky Tito, ishte shumë më i rafinuar se vet Vladan Gjorgjeviqi, i cili në Konferencën e Londrës 1912, atëbotë kur grithej e përplasej, perkulej e lutej te të gjithë anëtarët  të kësaj konference që çështjen shqiptare ta  përcoptojnë në shumë pjesë me të vemtin qëllim që ky përcoptim t’i zhdukte nga Ballkani. Ose, a e di zotëriu se po ky Tito në krye me Zhujoviqin e Gjillasin, Radosavleviqin e tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore 1945, i përcoptojë këto toka në tri shtete, me të vetmin qëllim që të mos realizohet vendimi i Kuvendit të Bujanit 1943/44?.

Se çfarë të mire patën shqiptarët nga ky  far Tito, ja disa të dhëna për krime të bëra ndaj shqiptarëve:

Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin,Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin.

Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv. Në bazë të dokumenteve që ruhen në Beograd, dhe në bazë të dokumenteve tjera, ndër të tjera thuhet se në Gjilan me rrethinë janë likuiduar 7845 veta; në Drenicë 4820; në Tetovë 4100 ; në Bihor 3820; në Prishtinë 3675; në Pejë 3540; në Tivar 2629; në Mitrovicë dhe rrethinë 1450; në Podujevë 1670; në Pazar 1410, në Shkup me rrethinë 1450; në Ferizaj mbi 1260; në Prizren 1250; në Tutin 900; në Gjakovë 730; në Gostivar 700; në Rozhajë 735; Plavë dhe Guci 710; në Rahovec 750; në Kumanovë 780; në Preshevë 690; në Dragash 500; në Kërqovë 490; në Ulqin 515; në Suharekë 320; në Dubrovnik 120; në rrugën Kukës - Shkodër 110; në Trogir 80; në Vërshac 30 dhe në Deqan 30 vetë. Të gjithë këta janë shqiptar të vrarë gjatë vitit 1945. Pra, sipas këtyre dokumenteve, më 1945 u vranë 42165 shqiptarë.

Vetëm në vitin 1948, regjimi komunist, arrestoi dhe nxori përpara gjyqit 306 shqiptarë, të akuzuar për vepra penale kundër shtetit. Nga viti 1974 deri në vitin 1980, pra për gjithsej 6 vjet janë burgosur 616 persona, prej të cilëve 175 janë dënuar me shumë vite burgim.

Gjatë këtyre operacineve të përgjakshme këto forca kryen krimet më të shëmtuara ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore 47.300 shqiptarë.

Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serbë, që qenë kthyer sipas direktivave të Byrosë Politike të KQ të PKJ-së.

Në bazë të hulumtimit sistematik të dy shërbimeve konzullare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1951-1968 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 414.500 shqiptarë... ndërsa gjatë periudhës në fjalë (bazuar në statistikat sekrete jugosllave) në Kosovë ishin sjellur në heshtje 63.000 kolonë sllavë, prej të cilëve, pas rënjes së Rankoviçit (1966) duke mos u duruar një farë \"barazie\" me shqiptarët, shumica prej tyre udbashë e kriminelë marrin ikën për Serbi.

Ndërkaq sipas statistikave të publikuara më vonë del se në periudhën 1952-1965 për në Turqi janë shpërngulur 452.371 shqiptarë.Shpërngulja është bërë me këtë dinamikë:
 
Më 1952 Janë shpërngulur----- 37.000 shqiptarë
Më 1953---------------------------- 19.300 “
Më 1954---------------------------- 17 500 “
Më 1955---------------------------- 51.000 “
Më 1956---------------------------- 54.000 “
Më 1957---------------------------- 57.710 “
Më 1958---------------------------- 41.300 “
Më 1959---------------------------- 32.000 “
Më 1960---------------------------- 27.980 “
Më 1961---------------------------- 31.600 “
Më 1962---------------------------- 15.910 “
Më 1963---------------------------- 25.720 “
Më 1964---------------------------- 21.530 “
Më 1965---------------------------- 19.821 “\"

Në ato vite me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga Mali i Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) për në SHBA, Kanada, Australi e vende të tjera tejoqeanike.
 
Në dimrin e vitit 1955/56 organizon aksionin për mbledhjen e armëve dhe gjatë këtij procesi të dhunshëm i keqtrajtuan në format më mizore mëse 30.000 shqiptarë.

Këto janë vetëm disa nga krimet e kryera ndaj popullit shqiptar nga ana e regjimit Titist.

(Autori është Kryetar i OVL të UÇK-së)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)