09 Janar 2025

A po shkojmë drejt plutokracisë

Shkruar nga Faik Krasniqi

Demokracia dhe shtet-kombi

Demokracia dhe shtetkombi janë parimisht e njëjta gjë. Mirëpo demokracia dhe vetëvendosja e popujve janë dy koncepte etimologjikisht motra, për të mos thënë nuanca të njëra-tjetrës. Si mund të mbrohet njëra e të refuzohet a përbuzet tjetra?

Shtet-kombi shkon detyrimisht në demokraci dhe demokracia shkon detyrimisht në shtetkomb.

Shtet-kombi nuk është asnjëherë i kompletuar në qoftë se shteti nuk përfshin gjithë kombin dhe nga pikëpamja organizative në qoftë se nuk lejon kombin të jetë sovran dhe mënyra e vetme që kombi të jetë sovran është pikërisht parimi demokratik.

Demokracia nuk ka asnjë kuptim jashtë një shteti kombëtar, d.m.th. çfarë kuptojmë sot me demokraci është e pamendueshme jashtë një shteti kombëtar, sado i pakompletuar të jetë ky shtet.

Paradoksi i \"mbikombëtares\"

Demokracia u mendua jashtë tij në shekullin 18, mirëpo deshi - s\'deshi e vetmja mënyrë që të jetësohej ishte brenda shtet-kombit. Shtet-kombi ka shumë kufizime dhe nuk e pranon dot \"mbikombëtaren\", sepse do të binte në paradoks. Kur sovrani është kombi, nuk mund të pranohet një pushtet sipëror ndaj atij kombëtar.

Multinacionalet, ngaqë pushteti është i lidhur me paranë, nuk janë vetëm multinacionale/shumëkombëtare, por edhe mbikombëtare. Pushtetarët e kanë pushtetin të lidhur me kombin, por duhet të bëjnë hesapet edhe me forcën e madhe \"bindëse\'\' të multinacionaleve mbikombëtare.

Prandaj referendumi kombëtar sot jo vetëm që s\'është më realisht mjeti suprem, por po bëhet i varur nga interesat mbikombëtare të bankierëve, financierëve e korporatave multinacionale.

Nuk e kanë zhdukur shtetin kombëtar, sepse nuk kanë asnjë alternativë konkrete ndaj tij, por ama po e përdorin kur u nevojitet që \'\'Kombi\'\' të bëjë një sakrificë për të mirën e përbashkët duke paguar para që bankat të mos falimentojnë.

Aristokracia e re

Në këto kushte demokracia do të rrëshqasë më se s\'bën në plutokraci, e cila mund të realizojë entitetet shtetërore të nevojshme për zhvillimin e një botë ku pasanikët janë bankierët, financierët dhe multinacionalët.

Demokracia e shtet-kombi janë të dyja pengesa, kështu që zgjidhja e këtij problemi, që demokracia dhe shtet-kombi, nuk janë të përshtatshme për aristokracinë e re, do të vijë o me fitoren e demokracisë dhe shtet-kombit, nëpërmjet asgjësimit të aristokracisë së re, ose me fitoren e saj, pra me rrëshqitjen në shtete mirëfilli plutokratike me bazë shumëkombëshe.
   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)