01 Janar 2025

A po shkëputet Turqia nga BE-ja

Nga Prof. Dr. Ramazan GOZEN

Arsyeja e një afrimi energjetik dhe ekonomik Turqi-Rusi duhet kërkuar në thyerjet dhe krizat që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit në marrëdhëniet Turqi-BE dhe bisedimet për anëtarësim dhe jo në retorikat e kritikat e ndërsjellta.

A është e mundur që Turqia të shkëputet nga BE-ja dhe të ndërtojë aleancë me Rusinë?

Javët e fundit po ndodhin zhvillime dhe debate interesante në kontekstin e marrëdhënieve të Turqisë me Bashkimin Evropian dhe Rusinë. Arsyeja e kësaj janë thyerjet interesante që vihen re në marrëdhëniet e Turqisë me BE-në dhe Rusinë. Në fillim Putini gjatë vizitës që bëri në Ankara deklaroi se Moska e kishte anuluar projektin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut” dhe në vend të kësaj linje do të ndërtohet një gazsjellës i ri, që do të kalojë nga Turqia. Kjo deklaratë surprizë tregonte që bashkëpunimi energjetik Turqi-Rusi do të thellohet akoma edhe më shumë.

Madje disa analistë pretenduan se aleanca ndërmjet Turqisë dhe Rusisë po zhvillohet përmes energjisë. Pas këtij zhvillimi Turqinë e vizituan tre zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Mogherini dhe komisionerët e BE-së për Zgjerimin dhe Ndihmat Humanitare u takuan me zyrtarët e lartë të Ankarasë.

Një nga pyetjet në lidhje me këto takimeve dhe që qarkulloi edhe në media ishte shumë e rëndësishme. A është i shqetësuar Bashkimi Evropian nga aleanca që mund të krijojë Turqia me Rusinë? Edhe pse Mogherini e la pa përgjigje këtë pyetje, ajo (pyetja) vazhdoi të mbetej aktuale.

Sidomos kritikat e ashpra të Presidentit Erdogan drejtuar BE-së e forcuan edhe më shumë pikëpyetjen në fjalë, mos vallë Turqia po heq dorë nga BE-ja dhe po i drejtohet një aleance me Rusinë. Kjo pyetje dhe këto shqetësime vazhdojnë të diskutohen edhe brenda Turqisë, edhe jashtë saj. Sa të vlefshme janë këto pretendime dhe a është me vend për t’u shqetësuar vërtet?. Po është e vërtetë, që forcohen edhe marrëdhëniet Turqi-Rusi, por shtohen edhe vështirësitë në marrëdhëniet Turqi-BE. Vetëm se do të ishte e gabuar nëse ky paradoks interpretohet në formën Turqia është larguar nga BE-ja dhe është orientuar drejt Rusisë.

Në vend të kësaj duhet analizuar përse po afrohet Turqia me Rusinë dhe përse janë të tensionuara marrëdhëniet Ankara-Bruksel.

Afrimi i shpejtë i Turqisë me Rusinë ka dy arsye të rëndësishme. E para, është se Turqia ashtu si vendet evropiane është e varur nga Rusia në veçanti në çështjen e energjisë. Turqia nuk do që të dalë me dëm nga kjo varësi, përkundrazi ajo punon në drejtim të rritjes së avantazheve të saj duke zhvilluar marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Rusinë. E dyta dhe më e rëndësishmja është se për ti gjetur zgjidhje krizës siriane Turqia mundohet të ndërtojë një formulë të përbashkët me Rusinë. Turqia e ka kuptuar rolin e Rusisë për krijimin në Siri të një regjimi demokratik në vend të regjimit të Esadit.

Madje mund të thuhet që me ndikimin e Rusisë mund të ndryshojë edhe qëndrimi i Iranit ndaj Sirisë. Dihet që kjo politikë e Turqisë, sidomos për shkak të problemit të Ukrainës nuk u pëlqen vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Evropa dhe SHBA-ja nuk duan që embargoja kundër Rusisë të çahet (të shkelet) nga Turqia, gjë kjo që shkakton shqetësim tek Perëndimi.

Si rrjedhim nuk kemi të bëjmë me një situatë si ajo e largimit të Turqisë nga BE-ja. Pasi largimi i Turqisë nga BE-ja është i pamundur, të paktën për dy arsye. E para, vështirësi të tilla në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe BE-së janë tradicionale. Bisedimet për anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE që nga viti 2007 e këtej vazhdojnë të jenë në krizë; por zyrtarisht negociatat janë të hapura dhe në proces.

Gjatë këtij procesi kritika të ndërsjellta janë bërë shpesh, por ditët e fundit janë shtuar pak më shumë. Dhe arsyeja kryesore e kësaj janë kritikat e ashpra të BE-së në adresë të Turqisë për shkak të vendimit të një gjykate turke në lidhje me disa gazetarë të ndaluar në kuadër të dosjes së njohur si “shteti paralel”. Kurse autoritetet qeveritare të Turqisë kanë bërë të ditur se gazetarët në fjalë janë arrestuar me vendim gjykate për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve, si rrjedhim duhet respektuar vendimi i gjykatës. Nga kjo kuptohet që reagimi i ashpër që tregoi Erdogani ndaj BE-së nuk është një planifikim strategjik, por një qëndrim koniuktural dhe taktik.

Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme që hedh poshtë mundësinë e këputjes së marrëdhënieve Turqi-BE është se marrëdhëniet Ankara-Bruksel kanë rrënjë dhe strukturë të thellë. Ashtu siç e shprehën jo shumë larg, vetëm një javë më parë Erdogan dhe Davutollu bashkë me Mogherinin në Ankara anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Turqinë është një objektiv strategjik.

Pra fotografia, gjendja e vërtetë në marrëdhëniet Turqi-BE është ky opinion i shprehur një javë më parë. Sepse objektivi i Turqisë për të qenë anëtare e BE-së nuk është vetëm realpolitik, por edhe një situatë normative. E parë në aspektin realpolitik, nga ana ekonomike, ushtarake, politike, sociale dhe e fuqisë punëtore Turqia në fakt është një partnere e Bashkimit Evropian. Turqia rreth 60% të tregtisë së jashtme e bën me vendet e BE-së, rreth 4 milionë shtetas turq punojnë e jetojnë sot në vendet evropiane dhe sistemi i sigurisë së Turqisë bën pjesë brenda kompleksit të NATO-s. Këto dhe shumë lidhje të tjera i kanë lidhur Turqinë dhe BE-në si mishi me thuan.

Dhe më e rëndësishmja, nëse e shikojmë çështjen në aspektin normativ, norma të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut, të drejtat e njeriut dhe pluralizmi kanë të bëjnë me BE-në dhe jo me Rusinë. Gjatë këtyre dy shekujve të fundit, duke filluar nga Shteti Osman dhe vazhduar në periudhën e republikës, Turqia ka punuar për zhvillimin e këtyre normave dhe ka arritur suksese të rëndësishme. Madje këto 12 vitet e fundit, këto norma janë zhvilluar akoma edhe më shumë gjatë procesit politik të udhëhequr nga Presidenti Erdogan. Këtu nuk duhet harruar roli i madh që ka luajtur Bashkimi Evropian në zhvillimin e këtyre normave në Turqi.

Si përfundim natyrisht që është e rëndësishme zhvillimi i bashkëpunimit të Turqisë me Rusinë në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë dhe në fushat e tjera. Por asnjëra nga këto nuk është në nivelin që të arrijë të zhdukë bashkëpunimin dhe integrimin e thellë të marrëdhënieve 200-vjeçare që Turqia ka me Bashkimin Evropian dhe me Perëndimin. Një qëllim i tillë për të eliminuar këtë bashkëpunim në Turqi nuk është parë as në të kaluarën dhe as sot. Retorikat reciproke dhe kriza e kohëve të fundit, e shumta mund të jetë një lëvizje e llojit baticë-zbaticë ose blof i bërë në mënyrë të ndërsjellët.

(Auori është Pedagog në Degën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)