A kemi kulturë mjedisore
Shkruar nga Afrim Berisha
(Me rastin e 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës)
Shpeshherë nëpër debate, takime, seminare e ngjarje të ndryshme, kur flitet për problemet mjedisore në Kosovës, thuhet se shoqëria e jonë nuk ka kulturë për mbrojtjen e mjedisit.
Ky konkludim që rrjedhë qoftë nga zyrtarët e institucioneve mjedisore, qoftë nga përfaqësuesit e shoqërisë civile apo edhe nga ekspertët e mjedisit, për mendimin tim më tepër është si një reagim spontan, si një mosnjohje e problemeve mjedisore ose edhe si një pamundësi për të gjetur zgjidhjen e duhur për problemet e caktuara që kanë të bëjnë me menaxhimin e mjedisit.
Nëse e analizojmë çështjen në mënyrë më të detajuar dhe mundohemi të arsyetojmë konkludimin, do të shohim se ka shumë argumente, veprime, qëndrime, praktika e ngjarje që e dëshmojnë të kundërtën.
Megjithëkëtë, e shoh si të arsyeshme, që para se të prezantojë disa nga argumentet që e demantojnë konkludimin se ne si shoqëri nuk paskemi kulturë mjedisore, fillimisht të sqarojë se çka në të vërtetë nënkuptojmë me kulturë mjedisore.
Në terminologjinë mjedisore nocioni kulturë mjedisore ose i njohur ndryshe edhe si ekokulturë është: tërësia e shprehive, qëndrimeve, sjelljeve, praktikave dhe njohurive që ka një shoqëri për të respektuar, ruajtur dhe mbrojtur resurset natyrore, ekosistemet dhe të gjitha kushtet e jashtme që e ndikojnë mjedisin jetësorë (http://www.eionet.europa.eu/gemet/concept?ns=1&cp=2801).
Duke e marrë për bazë këtë definicion, si argument të parë që mundë të sjellim për ta demantuar mungesën e kulturës mjedisore në shoqërinë tonë, është kultura familjare dhe individuale që kemi në raport me mbrojtjen e mjedisit.
Nëse i shikojmë me vëmendje ambientet tona private si objektet e banimit, oborret e shtëpive, hapësirat e bizneseve dhe objekteve hoteliere do të mbesim të mahnitur me pastërtinë, bukurinë si dhe me menaxhimin e elementeve të mjedisit në këto hapësira.
Madje në disa raste mundë të gjejmë shembuj të cilëve do tu a kishin lakmi edhe vendet më të zhvilluara. Kjo shumë qartë tregon se mbrojtja e mjedisit është një nga parimet bazë në traditën dhe kulturën tonë familjare e shoqërore. Mbase kjo mundë të arsyetohet edhe si pjesë e konceptit NIMBY (\"Not in my backyard Jo në oborrin e shtëpisë sime\").
Po ashtu nëse i përcjellim ngjarjet e ndryshme mjedisore që organizohen, qoftë nga institucionet qeveritare, ato jo qeveritare por edhe nga institucionet tjera mundë të konkludohet që në Kosovë ka plotë aktivitete që në fokus e kanë mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e rëndësisë së tij. Këtyre ngjarjeve madje iu jepet hapësirë e mjaftueshme mediale në të gjitha mediumet qofshin ato: gazeta ditore,TV, radio e mediume tjera elektronike.
Gjithashtu edhe shumica e njerëzve qofshin ata ekspertë apo edhe ata që nuk e kanë profesion mjedisin, kur flasin për konceptet e mbrojtjes së mjedisin dhe rëndësinë e tyre, dinë shumë mirë të dallojnë problemet, nevojat dhe veprimet që duhet ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e menaxhimit të mjedisit. Edhe numri i institucioneve mjedisore dhe organizatave të shoqërisë civile që në kuadër të aktiviteteve të tyre e kanë primare çështjen e mbrojtjes së mjedisit është i kënaqshëm.
Bile ka edhe iniciativa mjedisore që kanë dhënë rezulatete të lakmueshme dhe janë shembull për rajonin, sikur ishte ai me mbledhjen dhe riciklimin e kapakëve të shisheve plastike për prodhimin e karrocave për invalidë.
Kur flasim për edukimin dhe vetëdijesimin për mbrojtjen e mjedisit që janë të lidhur kryekëput me kulturën mjedisore mundë të konstatohet se në Kosovë, që nga klasat më të ulëta të sistemit të arsimit shkollor fillor e deri tek niveli akademik i studimeve ka kurrikula e programe të ndryshme edukative për mbrojtjen e mjedisit.
Të gjithë këta tregues dhe shumë të tjerë që nuk po i përmend në këtë shkrim për shkak të hapësirës së kufizuar, flasin qartë për kulturën mjedisore të një shoqërie.
Mirëpo, kjo që u prezantua më lartë nuk do të thotë që kultura jonë mjedisore është përkryer dhe se nuk ka vend edhe për kritika sepse ka edhe plot raste të cilat e dëshmojnë të kundërtën.
Gjithashtu kjo nuk do të thotë që nuk kemi probleme mjedisore, sepse dihen mirëfilli se Kosova vazhdon të ketë probleme mjedisore të natyrave të ndryshme. Por, faktet e prezantuara më lartë janë më shumë argumente për të demantuar konkluzionin që shoqëria jonë nuk ka kulturë mjedisore, dhe për ti dhënë udhë trajtimit të kësaj çështje nga një këndvështrim tjetër.
Prandaj, mundë të themi lirisht se: më shumë se sa kultura mjedisore, shoqërisë sonë i mungon një sistem efikas për menaxhimin e mjedisit.
Një sistem ku funksionojnë në mënyrë efikase të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mjedisit dhe ku ka mekanizma fleksibil për zgjidhjen e problemeve mjedisore sikur mundë të jetë për shembull një sistem më efikas për menaxhimin e mbeturinave, që nga ndarja, grumbullimi, ripërdorimi ose riciklimi i tyre.
Më shumë se sa mungesa e ekokulturës, shoqërisë sonë i mungon zbatimi i ligjeve mjedisore. Kosova ka ligje të mjaftueshme për ti rregulluar pothuajse të gjitha problemet mjedisore.
Këto ligje madje në masë të konsiderueshme janë të transpozuara edhe me direktivat e Bashkimit Evropian, por zbatimi i tyre vazhdon të ngecë për shkak të mungesës së vullnetit, mekanizmave, instrumenteve dhe veprimeve konkrete.
Aq më tepër mungon përgjegjësia duke u nisur nga ajo individuale, grupore dhe institucionale përballë obligimeve që kemi ndaj zbatimit të ligjeve në sektorin e mjedisit.
Më shumë se sa mungesë të kulturës mjedisore, shoqëria jonë ka mungesë të fondeve dhe mundësive financiare për ti zgjidhur problemet mjedisore dhe për ti vënë çështjet e mjedisit si prioritet në kuadër të objektivave të përgjithshme. Është fakt i pamohueshëm se gjendja e mjedisit të një vendi varet shumë edhe nga shkalla e zhvillimit ekonomik të tij.
Dhe duke analizuar trajtimin e problematikave mjedisore në vende të ndryshme të botës mund të nxjerrësh përfundimin se në vendet e zhvilluara mjedisi është në krye të problematikave për nga rëndësia, ndërsa në vendet e pazhvilluara ose në vendet në tranzicion, mjedisi radhitet ndër çështjet me prioritet të ulët.
Fatkeqësisht Kosova, si një vend në tranzicion nuk bën përjashtime nga kjo rregull e pashkruar e trajtimit të problemeve mjedisore. E dimë fare mirë se deri më tani mjedisi nuk ka qenë çështje me prioritet në asnjë nga Qeveritë që kanë udhëhequr Kosovën.
Më shumë se sa mungesa e ekokulturës, shoqërisë sonë i mungon kultura për ti vlerësuar dhe për ti ruajtur pasuritë qofshin ato natyrore apo materiale që kanë karakter publik dhe ku kërkohet gjithëpërfshirje. Dhe meqenëse pjesa më e madhe e problemeve mjedisore ndërlidhet me menaxhimin e pasurive dhe aseteve publike, rrjedhimisht pritet të ketë edhe probleme më të mëdha.
Për shkak të shumë rasteve të keq menaxhimit të vazhdueshëm me pasuritë publike, në shoqërinë tonë, është krijuar përshtypja që shumë çështje publike dhe shoqërore të shpërfillen dhe të mos i jepet rëndësia e duhur.
Shembull shumë i mirë i këtyre veprimeve janë prerjet ilegale të pyjeve të sektorit publik dhe degradimi i shtretërve të lumenjve. Mirëpo duhet pranuar faktin se kjo qasje është e njëjtë edhe në sektorët e tjerë publik kur është në pyetje menaxhimi i çështjeve që janë pronë publike.
Në përmbyllje të këtij shkrimi, dua të vë në fokus se kultura mjedisore nuk është diçka që mundë të trajtohet ndaras nga kultura e përgjithshme e një shoqërie. Ajo është pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të një shoqërie edhe pse me ndryshimin e rrethanave shoqërore ka pësuar ndryshime jo edhe aq të theksuara.
Pra, ne si shoqëri në përgjithësi, së paku deri me tani e kemi dëshmuar se kur janë në pyetje sukseset dhe të arriturat individuale, mundë të arrijmë edhe rezultate kulminante që prekin edhe majat e nivelit botërorë, mirëpo kur vjen në pyetje puna ekipore dhe suksesi kolektiv nuk është diçka me të cilën mundë të mburremi.
(Autori është MSc. Ekologji dhe Mbrojtje te Mjedisit)