A ka një kurban në politikën kosovare
Nëse rasti është mbret i botës, atëherë nuk ka rast më të mirë se sa ngërçi i krijuar në politikën kosovare, që një politikan të bëhet kurban dhe të shndërrohet në hero.
Nuk do të ketë më një rast të dytë për këtë klasë politike, apo më saktë për liderët e tashëm të këtyre subjekteve që janë barrikaduar në qëndrimet e tyre.
Janë krejt normale pretendimet për pushtet, mirëpo kur ato pretendime shndërrohen në pengesë për shtet, atëherë duhet ndalur. Kështu mbetet vetëm një rrugë: të ndalen politikanët ose shteti.
Sjellja e këtyre liderëve tash për tash e ka ndalur shtetin. Dhe cilin shtet? Atë për të cilin edhe shumë prej këtyre politikanëve të tanishëm kishin sakrifikuar për ta bërë. Por kjo jo që nuk i justifikon, por më tepër i obligon që të reflektojnë në këtë moment delikat.
Sytë e të gjithëve janë të kthyer prej atyre që kanë sakrifikuar për ta bërë shtetin, andaj edhe pritjet janë më të mëdha prej tyre. Dilemat janë të mëdha dhe të kuptueshme, meqë rrethanat e krijuara janë duke ua ushqyer ambiciet të gjithëve.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, si politikani që në zgjedhje ka dalë më i votuari në vend ashtu si edhe subjekti që ai udhëheq, gëzon të drejtën morale për të udhëhequr.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se vetëm partia që fiton zgjedhjet, në këtë rast PDK-ja, ka të drejtën të propozoj kryetarin e Kuvendit. Gjithashtu PDK-së sipas Gjykatës duhet ti jepet e drejta e nominimit të mandatarit për formimin e qeverisë, ndërsa nëse nuk arrin atëherë presidentja vendos për mandatarin tjetër.
Sipas kësaj PDK-ja ka të drejtën morale dhe juridike për të krijuar institucionet, por që nuk i ka numrat. Thaçit i mbetet të zgjedh.
Të thirret në të drejtën morale dhe juridike dhe të pamundësoj krijimin e institucioneve, apo të heq dorë. Zgjedhja e parë mund të qoj vendin në zgjedhje dhe shteti të mbetet pa institucione edhe disa muaj, duke rënduar së tepërmi gjendjen ekonomike dhe sociale.
Ndërsa zgjedhja e dytë i hap rrugë krijimit të institucioneve nga opozita e bashkuar. Lëshimi pe nga Thaçi në këtë rast do të ishte më tepër se gjeneroz.
Atij do ti duhej tua fal pushtetin opozitarëve, të cilët nuk kanë mundur ti fitojnë zgjedhjet. Madje për tu realizuar kjo PDK-ja do të duhej ta propozonte Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit.
Krejt kjo duket absurde, sikur të mos ishte në pyetje interesi shtetëror. Por pikërisht në këtë situatë, kur Thaçi do të duhej të lëshonte nga dora krejt këto mundësi që i ka për pushtetin, për hir të shtetit, ai do të shndërrohej në një hero të politikës kosovare.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjendet në një pozicion shumë më të vështirë në situatën e krijuar. Ai i ka humbur zgjedhjet e përgjithshme, madje edhe Prishtinën në zgjedhjet lokale.
Kur të gjithë prisnin që ai të reflektonte duke dhënë përgjegjësi për disfatat, Mustafa doli me bllokistët, duke rezervuar për vete postin e kryetarit të Kuvendit në kuadër të lojës me numra.
E shkeli premtimin se do të largohej nëse nuk i fitonte zgjedhjet, mandej hoqi dorë nga posti i kryeministrit, për të siguruar marrëveshjen me partitë tjera opozitare dhe krejt këto për ta rehabilituar veten.
Këto lëvizje kanë bërë që atij ti shteren justifikimet karshi interesit shtetëror. Megjithatë nëse lihet mënjanë aspekti moral dhe interesi shtetëror, atij nuk mund tia mohoj askush lojën me numra me çka që nëse nuk mund të krijoj, atëherë do të bllokoj formimin e institucioneve.
Ai ka hyrë në një lojë pakrye dhe është e çuditshme se si një akademik ka mundur ta lejoj veten në një situatë të tillë. Ai mund të bëhet kryetar i Kuvendit me bllokistët vetëm nëse e propozon PDK-ja dhe kjo do të ishte edhe më shumë denigruese për të.
Pikërisht pse gjendet në një rrugë qorre, reflektimi i tij do të bënte kthesë radikale në politikën kosovare. Ai ka mundësi që të siguroj për vete postin e kryetarit të Kuvendit në një marrëveshje për ndarje të pushtetit me PDK-në dhe në anën tjetër ta zhbllokoj vendin. Mungesa e konstruktivitetit tradicional të LDK-së karshi shtetit,rrezikon rrezikon liderin dhe shtetin.
Vrullit të përmbytjes që ka marrë politika kosovare jo që nuk i ka shpëtuar as Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, po janë gjendur më se keqi brenda saj.
Në vend se të shfrytëzonte rastin për të rrënuar për tokë imazhin e subjekteve tjera politike, duke demaskuar luftën e tyre për pushtet në dem të shtetit, VV-ja u bë pjesë e përmbytjes.
Shndërrimi i gjithë përpjekjeve politike në betejë anti-Thaçi, e ka shndërruar VV-në në një letër për përdorim ditor. Argumentet për shtet të së drejtës, për bashkim kombëtar, për barazi sociale janë djegur.
Vrapi për të marrë poste dhe për udhëhequr dialogun me Serbinë, e ka çorientuar edhe anëtarësinë me fanatike. Shumë prej tyre ende i kanë duart me ngjyrë duke shkruar parulla kundër dialogut nëpër gjithë Kosovën.
Ndryshimi i VV-së brenda natës është frikësues jo vetëm për anëtarët e VV-së. Kosova nuk ka asnjë forcë tjetër me parime nacionaliste, siç ka proklamuar VV-ja.
Ndryshimi i saj ndoshta mund ti rehabilitoj në poste disa njerëz, por do ta dobësonte Kosovën. Kurtit i mbetet të zgjedh; Të mbetet opozitë dhe politikan me parime për të cilin Kosova ka nevojë, ose të marr një copë pushtet dhe të shndërrohet në një politikan pa parime për të cilin Kosova nuk ka nevojë, meqë ka mjaft të tillë.
Ai i duhet vendit me parime siç ka proklamuar dhe përpara se të marr copën e pushtetit i duhet të marr votat e qytetarëve.
Më i zhurmshëm se tre të tjerët për pushtet është treguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe pse subjekti i tij ka dalë i katërti në zgjedhje.
Posti i kryeministrit iu ka shndërruar në një obsesion sa që të krijon përshtypjen se është i gatshëm të sakrifikoj gjithçka që ka ndërtuar deri me tani.
Është e dhembshme kur sheh se si një figurë legjendare e luftës, familja e të cilit dhe ai vetë ka dhënë aq shumë për Kosovën është në gjendje ta sakrifikoj lavdinë për një post, për të cilin nuk e ka marr besimin e qytetarëve.
Ai edhe mund të bëhet kryeministër, nëse të tjerët lëshojnë pe. Mirëpo nëse të tjerët lëshojnë pe këtë do ta bënin jo për hatër që Haradinaj të bëhet kryeministër, por që Kosova të mos mbetet e bllokuar. Kësisoj Rambo i luftës do të ishte një palaço i paqes.
Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, pa përjashtuar edhe Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin, janë njerëzit që mund ta mbajnë të bllokuar vendin dhe të zhbllokuara ambiciet për pushtet apo ta bëjnë të kundërtën.
Këta njerëz janë protagonistë të rëndësishëm, të cilët në forma të ndryshme e kanë ndihmuar vendin. Ata gjenden para një sfide të re që është shumë më e lehtë sesa që kanë mundur të jenë sfidat para dhe gjatë luftës.
Prej tyre kërkohet maturi, pjekuri dhe bashkëpunim në të mirë të vendit që të mos mbetet i humbur asnjë. Ose prej tyre duhet një kurban që shndërrohet në hero. Kurban Bajrami është afër dhe nuk u mbetet shumë kohë që të vendosin.