A ka moral politikani i Kosovës?
Izet Abdyli
Jemi dëshmitarë sot të një serë deklaratave të politikanëve të Kosovës, të cilët, qoftë me pamaturinë e tyre, qoftë me papërgjegjësinë e tyre, që nga paslufta i kanë goditur kundërshtarët politikë nëpërmjet deklaratave pompoze, duke u dhënë epitete të llojllojshme si: i korruptuar, hajn, haraçexhi, njeri i krimit të organizuar e lloj-lloj epitetesh të tjera.
Të thuash gjithsecili ka bërë garë të gjurmojë në dosjen (biografinë) e njëri-tjetrit që të gjejë argumente për tia vënë njollën e së kaluarës së tij.
Thjesht, jo një luftë kundërshtarësh politikë nga i njëjti soj (racë), por duke u kundruar si armiq të përbetuar. Shpeshherë opinioni votues, i mbështetur në këto deklarata, e ka ndëshkuar akëcilën parti apo përfaqësues politik mbi bazën e këtyre deklaratave. Tani kur konjukturat politike i kanë ofruar pranë njëri-tjetrit dreqin e të birin, apo faqeziun e faqebardhin, të drejtin me të padrejtin, moralistin me të pamoralshmin, të keqin me të mirin, duke ngrënë së bashku në një kazan, çfarë i mbetet të gjorit popull, kujt do ti besojë e kah tia mbajë. Në një sistem të vlerave demokratike, njerëz të tillë që ndërrojnë gëzofin sipas motit do të duhej vetë të iknin nga skena politike në qoftë se do tu ketë mbetur vetëm një çik moral.
Por, me keqardhje duhet të nxjerr një konstatim timin, se morali politik në Kosovën e pasluftës ka rënë për tokë. Shumë do të dëshiroja dikush ta demantojë këtë konstatim timin. Shumë portale sot janë mbushur dëng me pamje vizuele të kësaj elite që digjet për popullin e shkretë. Vallë, a janë ata duke e parë veten sa poshtë kanë rënë?!
Apo, mbase, tallen me atë shprehjen: sna hanë palla për kopalla! Dhe e drejta prapë është në anën e tyre, se populli zgjohet nga gjumi vetëm në mandate (zgjedhje) për të dëgjuar pallavra e deklarata bajate, për të dëgjuar sulme e kundërsulme. Shtrohet pyetja tani, a ka ardhur koha ti hapë sytë njëherë e përgjithmonë ky popull dhe këtë kastë diletantesh politikë, karrieristë, aventurieresh patriotikë tua tregojë vendin e merituar, duke i dërguar në pension të parakohshëm, apo sështë çudi si ka filluar ky sistemi ynë demokratik, kjo kastë politikanësh do të kërkojnë nesër që tu njihet statusi i veteranit politik. Pastaj, urra o burra, sa politika(ni)li do të hyjë në lista, nuk do të mjaftojë buxheti i Kosovës dhe duhet kërkuar mbështetje financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.