23 Dhjetor 2024

A ka burra në këtë vend

Muhamet Mavraj

Ka reaguar diplomati i Bashkimit Evropian në Kosovë kundër deklaratave të politikanëve pëë drejtësinë, në rastin Limaj. Samuel Zhbogari ka thënë fjalët e duhura që duan edhe moment të duhur. Momenti është krejtësisht i gabuar. Atë ne s’mund ta mësojmë se çfarë të thotë, çfarë të mos thotë, nëse duhet heshtur apo nëse duhet folur.

Ai ka punën e vet dhe misionin e vet. Për atë të mirë që mund t’ia bëjë Kosovës, nëse ia bën, duhet t’i jemi mirënjohës, nëse e ka bërë- i jemi mirënjohës. Por ai ka lëshuar fraza në momentin e gabuar që kanë kuptimin e ndërhyrjes së politikës në gjyqësor, gjithashtu ka bërë be se prokurorët e gjykatësit kurrë nuk kanë marrë vendime politike. Këtu është çështja. Ata e kanë bërë pikërisht këtë, asgjë mangut nga hetues, gjyqtarë e prokurorë të Unmik-ut. Ky mision evropian i sundimit të ligjit është i njëjti me misionin e Kombeve të Bashkuara.

Personalisht jam marrë me disa raste gjyqësore ku ishin të përfshirë qindra ish ushtarë shqiptarë dhe kam lexuar disa kilogramë materiale nga hetimet dhe proceset gjyqësore. Gjithashtu jam marrë për disa vjet me rastet e Albin Kurtit, sepse, ndër të tjera, atij i mvisheshin vrasjet që i kreu vetë mëhalla e ndërkombëtarisë në Prishtinë (ku ishin të përfshirë edhe rumunë e polakë) dhe synohej një dënim ndoshta kapital për të. Përvoja e shkeljeve më ka mësuar dhe afërsia e njohja personale me të akuzuarit më ka bindur se në tellësinë e shpirtit të misioneve ndërkombëtare të drejtësisë, kur janë në vende të huaja, përfaqësohet padrejtësia dhe mishërohen thellë ndikimet politike të eprorëve të tyre, e ndonjëherë edhe të nacionalizmave e racizmave të fshehura të tyre në errësirat e personaliteteve të tyre.

Rasti i Fatmir Limajt tashmë është bërë special, është bërë i përtejpartishëm, rast human, rast shqetësues për këdo që aspiron një vend vërtet demokratik që trashëgon traditën e barazive.

Në 2003 u arrestua dhe u mbajt për 30 muaj në Hagë, prej nga doli i pafajshëm për të gjitha akuzat. Dy vjet më vonë, më 2007, edhe shkalla e dytë e vërtetoi pafajësinë dhe rrëzoi përpjekjet e prokurorisë.

Tre vjet më vonë, në 2010, ndërkohë që Limaj ishte bërë simbol i fortë i menaxhimit dhe ndërtimit të shtetit të vet, dhe me gjasë kishte refuzuar korrupsionin “evropian” në krye të trupave ndërkombëtare, duke u parë si ndonjëfarë piuni amerikan, pësoi një spektakël poshtërues evropian të cilin zoti Zhbogar e din ose duhet ta dijë, sepse u bë nga po këta njerëz që i mbron, pavarësisht nëse intimisht beson apo jo në nderin e ndershmërinë e tyre. Asokohe, kryepishpiriku i prokurorisë së Euleksit dha intervista krejtësisht politike dhe krejtësisht të shpifura. Nuk kam parë ndonjë njeri më të degraduar moralisht e profesionalisht sesa ai pishpiriku Vrajsvik. As 30 muaj hetime nuk nxorën gjë.

Goditja e radhës, zhagitja nëpër gjykata, erdhi me aktakuzën për rastin Kleçka e cila në gjyq u bë shoshë dhe gjykata hoqi dorë nga falsifikimet. Në goditjen e katërt, nga propaganda e 80 milionëve të grabitur, doli aktakuza e marrë për 2 milion euro dëme ndaj shtetit. S’pati vjedhje, por dëme. Ishte një akuzë për të familjen Limaj.

As kjo nuk mjaftoi. Në goditjen e pestë erdhi prapa ndërskëmbëza, kleçka e radhës: kleçka e Kleçkës, por, kësaj radhe me burgosje tinzare, pa kurrfarë baze të shëndoshë ligjore.

Më i sakti emërtim ishte ai i kidnapimit të Limajt që rrodhi nga një deklaratë publike të hënën. Kjo i bie të jetë kryer një vepër kriminale evropiane, shumë e afërt me kidnapimet terroriste, sepse ka në përbërje të vet elementin dhe qëllimin politik: Limaj është lojtar politik në skenë, partia e tij që po e paguan faturën e rëndë është në pushtet dhe të gjithë këta kishin ndërmend të punonin që të mbajnë pushtetin. Nëse nuk është kështu, definicioni i termit “terrorizëm” s’ka më kuptim të përdoret siç është bërë deri më sot nëpër Evropë e botë.

Në Holandën e Vrajsvikut të Eulex-it kishte bërë burg, 500 vjet më parë, Hugo Groci, babai i të drejtës publike ndërkombëtare. Në një kryevepër të tij ai ka folë për disa gjykata dhe pasojat e dhimbshme të tyre. Një nga ato me shumë dhimbje rrjedhuese është gjykata e rregullt. E dyta, me dhimbje shumë më të thella është gjykata e opinionit publik. Por, një e tretë është definitivisht shkatërruese: Gjykata e ndërgjegjës.

Unë nuk po imponojë leksione morale këtu, por, po them se secila prej këtyre tri gjykatave po vepron ose mund të veprojë në mënyrat e tyre ndër subjektet që po trajtohen në këta artikuj.

Të parës pak kush ia ka frikën, kur i akuzuari ndihet i pafajshëm, pavarësisht të padrejtës që zbatohet nga gjykata. Ne nuk pamë ikje nga drejtësia asnjëherë! Gjykata e dytë, ajo Opinionit Publik që e ngritën njerëzit e Eulex-it, të cilët nga Evropa sollën antivlera dhe jo vlera që ne duhet t’i ndalim këtu pasi të shkojnë ata nga këtu një ditë, mendoj se e ka traumatizuar kombin e Kosovës.

Nga asgjëja, ky komb e ka parë veten hajn, të korruptuar, dhunues ligjesh, njeri të egër etj. E ka parë veten sikur shteti e rrezikon seriozisht shëndetin. Me të vërtetë gjyqi i opinionit publik ka qenë dërrmues për Limajn, i pamëshirshëm as para vdekjeve radhazi në shtëpinë e tij të po atyre njerëzve që ishin shpifur për hajdutë në pleqëritë e tyre apo në rastin më të dhimbshëm, në dhimbjen e sëmundjes së pashërueshme që hoqi gruaja e Limajt, tashmë e ndjerë.

Gjykata e Tretë, pra Gjykata e Ndërgjegjës, kur të aktivizohet, s’ka ndonjë ilaç që mund t’i vijë nga fama e pushtetit, parasë, terpisë apo gjakut.

Kjo nuk vlen vetëm për Zhbogarin, por për të gjithë ata njerëz të cilët për të pestën herë, nga parimi i gjuetisë së shtrigave po e godasin të njëjtin njeri, Fatmir Limajn, që nga viti 1999 kur këtu erdhën ata hetuesit e prokurorët që nuk kishin semaforë në shtetet e tyre, ndërsa detyrën ua trashëguan evropianëve zhgënjyes, të tipit të Salustros, atij pishpirikut Vrejsvik, të cilin Eulexi nuk deshi ta mbajë më për profil të vetin, dhe një brigadë të tërë persekutuesish si ata. Unë po flas për drejtësinë që kombet e tyre e të çmuara nuk e duan në shtetet e tyre.

Kjo nuk është drejtësi. Zoti Marnak nuk ishte në Tiranë, por në Beograd. Limaj nuk ishte në Shumadi, por në Vlorë, ku mori një dekoratë nderimi në 100 vjetorin e shtetit. Limaj erdhi nga Vlora e Marnaku nga Beogradi dhe kaq duhej që të poshtërohej Kosova në këtë festë të madhe që nuk përseritet më edhe 100 vjet të tjera, kur ne më s’jemi të gjallë. As Marnaku dhe askush tjetër s’ka të drejtë që për balancime politike dhe ushqim të propagandaës zyrtare të Serbisë t’i kositë ushtarët e Kosovës, aq më pak një politikan aktiv dhe menaxher të madh të këtij vendi.

Kjo skenë çulle e Kosovës, me pozitë e opozitë çulle që s’di të dalë nga moçali ku ka rënë në konkflikte kaq banale, ka shumë më pak të drejtë që të miratojë dyftyrshëm, në heshtje apo me porosi të fshehta, këso politikash. U lirua Gotovina, shqetësohet Serbia! Aman. Aman, se mos u shqetësua Nënë Tereza në varr? Serbia nuk është Nënë Terezë, është shtet gjenocidal që dje shfarosi grupe popujsh, e sot haptas, zyrtarisht i poshtëron viktimat e gjenocidit, siç po bën kryetari i Serbisë.

Do të lirohet Haradinaj, se s’ka rrugë tjetër nëse drejtësia është drejtësi, dhe Serbia shqetësohet sërish? Punë e madhe! Ai, sikurse edhe Limaj, nuk patën hyrë në territorin e Serbisë për të hedhë bomba në pazaret e qyteteve serbe, por kanë luftuar në Kosovë.

Ja pra pse betimet e zotit Zhbogar për gjyqësinë jopolitike janë të rreme! Ai e din dhe ndjen thellë se në shtetin e tij kjo që po bëhet nuk është sundim ligji, sundim i drejtësisë, por terror i saj, prandaj, ligjëratat në adresë të Zhbogarit dhe të tjerëve emra të nderuar evropianë, janë humbje kohe, thjesht, sepse ata e dinë se Limaj është një kokë turku në ndonjë rast, e në ndonjë tjetër si ky, një monedhë shkëmbimi, një mall shkëmbyes, një monedhë kusuritjeje në relacionet Eulex-Serbi. Ndërgjegja e tyre e din mirë këtë.

Ata po ashtu e dinë se njëherë këto gjykata të Eulex-it e zhbënë rastin e Kleçkës dhe pavarësisht se do të fusin në lojë ekip të ri gjyqtarësh, e dinë se nuk kanë asnjë bazë të vetme as për të mbajtë rast të hapur, se lerë më për të shkuar në shqyrtim të ri gjyqësor.

Një nga arsyet është se dëshmitarin e vetëm nga naiviteti i të cilit i cili u trillua tërë rasti Kleçka nga këta hetues e prokurorë, thjesht, nuk jeton më, ndërsa në emër të tij kanë shkarravitur fraza në atë ditar të famshëm, të cilat i hodhi poshtë ekspertiza, dhe do t’i hedhë prapë për sa kohë që ka shkencë grafologjie jashtë duarve të prokurorëve evropianë.

Por, pse nuk jeton ai dëshmitar? Sepse e vrau Eulex-i pasi e shfrytëzoi mirë, pasi ia shkatërroi jetën dhe pasi gjatë hetimeve ai tha se ai vetë ka qenë drejtor burgu.

Nëse asgjë tjetër, së paku vdekja e tij, vetëvrasja sipas shtetit gjerman, dhe jetimët, sikurse e veja e tij, fati i tyre, fatkeqësia nga përlyerja me “drejtësinë” e Eulex-it, do ta ndjek atë prokuror deri në varr dhe në botën e përtejme. Por, jo vetëm atë. Edhe gjithë këta hetues e prokurorë e gjyqtarë të huaj, por edhe këta çulla vendorë të drejtësisë e politikës që nuk qenë të bindshëm në refuzimin e këso lloj drejtësie që as vetë raportet evropiane nuk po e miratojnë.

Të hënën janë ngjallë deklaratat e politikanëve dhe vetë ministri i drejtësisë ka dhënë garancionet e nevojshme për Limajn, duke qenë i gatshëm t’i japë edhe për ata tjerët. Këto janë gjëra të mira për një shtet normal. Nuk ka dyshim se zoti Marnak ua ka lënë kopilin në derë nga pazarllëqet e tij me drejtësinë. Por, opinioni publik don vepra konkrete dhe fund të këtyre praktikave të drejtësisë dhe fund të përshpejtuar të vetë misionit të Eulex-it. E ka tepru e stërtepru, ndërkohë që Kosova po dërrmohet nga strukturat e Serbisë dhe të krimit anembanë, në aleancë me Eulex-in. Nuk i beson as vetvetes ky mision.

Kryeministri Thaçi ka thënë fjalët më të forta që i ka thënë ndonjëherë në raport me drejtësinë e huaj. Me të vërtetë nderimi i emrit të Ismet Jasharit-Kumanovës këdo duhet ta bëjë që të ndihet keq kur shoku i tij më i ngushtë i luftës, Fatmir Limaj, rrëmbehet dhe mbahet i ngujuar në emër të gjoja drejtësisë. Kjo burgosje do të ketë pasoja shumë të rënda, ndoshta edhe të pariparueshme ndonjëherë. Kryeparlamentarit iu desh bukur do kohë për ta gjetur një term për rastin Limaj. Masakër e drejtësisë, tha ai. Kjo është e vërtetë në sytë e opinionit. Por, kështu është dashtë t’i thuhet Marnakut atë ditë para se t’i rrëmbehet liria Fatmir Limajt. S’po shkoj më tej me deklaratat e tjerëve.

 Këta katër njerëz: Limaj, Thaçi, Kuçi e Krasniqi janë kokat e partisë dhe qeverisjes për vite me radhë, dosta. Edhe të luftës. Unë dua t’u besoj në këto që po i thonë. Por, opinion duhet të shoh rezultate konkrete, e nëse nuk ka rezultate sot, e martë, personalisht jam kurreshtar të shoh se çfarë po jep nga vetja secili prej tyre, që nga pasdita e tutje, për këtë që iu bë drejtësisë e Kosovës, sipas deklaratave të tyre. Thaçi, Kuçi e Krasniqi, diçka mund të bëjnë nëse u besojnë fjalëve të veta!

Nëse do të sundojë arsyeja, ndërgjegja dhe pak moral, Limaj duhet të dale nga qelia, dhe jo vetëm ai. Nëse do të sundojë arsyeja, ndërgjegja dhe pak moral, dhe Limaj ngelet në qeli, dikush duhet të thotë se nuk u beson fjalëve të veta dhe jep dorëheqjen e nderit. Hajde pra të shohim kush e ka për drejtësi e kush e ka për t’ua ngul shokëve para e prapa me fjalë të forta e deklarata patriotike! A ka burra në këtë vend?

(Gazeta Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)