09 Maj 2024

A jemi mediokër

Shkruar nga Faik Krasniqi

Të bësh një jetë të thjeshtë, të shijosh ëmbëlsinë që jeta të servir në qoshen tënde të paqshme të kësaj bote të ngatërruar, duke u ndjerë vërtetë i lumtur…, nuk besoj se ky është mediokritet.

Njeriu nuk ka ardhur në botë domsdoshmërisht për të bërë gjëra të mëdha. E madhërishmja shpesh gjendet edhe në vepra fare të vogla, të cilat na kalojnë pa u vënë re, por që bartin mjaft njerëzi në vetvete dhe dëshmojnë për thesaret që ne ruajmë në thellësi të shpirtit.

Mjaft njerëz “të mëdhenj” ia dedikojnë famës veprat e tyre dhe për mua ky është një megamediokritet. Ashtu siç edhe mjaft njerëz kanë ndarë me të afërmin e tyre edhe copën e fundit të bukës, dhe kjo për mua është largpamësi e pa krahasueshme.

Sepse nëse mediokriteti ose dritëshkurtësia ka të bëjë me një dritë të brendshme, dritën intelektuale, atëherë ky veprim fisnik, i këtij njeriu është edhe më i ndriçuar, sepse ai ndriçohet nga një dritë që buron nga një pjesë edhe më e thellë e vetes, nga shpirti. Me sytë e shpirtit ai sheh mjaft larg.

Dhe nuk do të isha dakord për sa përket popullit tonë. Të mos kesh mundësi, prej rrethanave nga më të ndryshme historike, gjeografike, politike…., për të zhvilluar shkencat, artet, etj., kjo nuk vjen nga mediokriteti.

Unë mund të them se populli ynë ka ruajtur thesare, në folklor, në tradita, në kulturën popullore, dhe kjo duke u ruajtur me fanatizëm, pa ndihmën e shkollave, akademive, madje pa pasur edhe një gjuhë të shkruar, aq më tepër i nën një presion të egër, shekullor asimilues nga fqinjët e tij.

Një identitet dhe kulturë e trashëguar prej shekujsh, e mbijetuar dhe e ruajtur hermetikisht në ashpërsinë dhe strehën e maleve shqiptare. Kjo dëshmon për një vitalitet të jashtëzakonshëm. besoj se ka mjaft gjëra për t’u studiuar tek ky popull i cili pak njihet, së pari nga vetë ne. dhe nëse i shfrytëzojmë këto thesare duke i zhvilluar nën mundësitë reja qytetëruese besoj se do të bëjmë mjaft përpara.


(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ‘’Lajm’’)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)