A ishte ky, vërtet rast i vetëm
Shkruar nga Gani Qarri
Ka kohë që përpjekja e një përfaqësueseje të "popullit" për mashtrim në kuvend, është vënë në qendër të vëmendjes dhe diskutimit shoqëror.
Nga rastet e panumërta të njohura dhe të panjohura për opinionin për të cilat, thuaja se përditë flitet dhe shkruhet në media, shqiptari nuk di më se në ç'vend në mes të heroizmit dhe tradhtisë, qëndrojnë aktet e tilla.
Shprehja e njohur se qëllimi justifikon mjetin, për akte si këto,vërtetë është absurd në vete,nëse edhe një deputete bie në pozita të tilla sa ta mashtroj institucionin kryesor të vendit, për të vjedhë shtetin dhe dëmtuar buxhetin e vogël të tij.
Shembull më të keq nuk mund të jap një përfaqësuese e popullit, në asnjë mënyrë! Kurse,pamjet si këto janë një proces i dhimbshëm për të gjithë varfanjakët e shumtë të Kosovës të cilët bukur gjatë presin që në vend të hajnisë dhe mashtrimit, deputetët e këtij vendi, më në fund të paraqiten me një ofertë më të ndershme për ta dhe fëmijët e tyre.
Korrupsioni kjo sëmundje infektive,ka kohë që është bërë modë në Kosovë, kurse deputetët e saj,thellojnë edhe më tepër klimën e frikës dhe mosbesimit tek të gjithë ata të cilët të paktën një herë në vit mendojnë se në duar të kujt kanë mbetur ligjet dhe institucionet e vendit.
Mjerisht,me gjeste si këto, ata nuk vjedhin vetëm mëditjet e pa-fituara por edhe të ardhmen e shqiptarëve, duke shuar edhe atë pak fije shprese në sytë e tyre, të cilët të rënë në siklet, për vite të tëra ,përfaqësuesit e tillë i shohin si mishërimi më i madh i së keqes në vend....
Kleptomania dhe mashtrimi në parlament,nuk janë akte revolucionare as heroizma patriotik, në të cilat përkundër të gjithave,ata përditë e më tepër,më kot përbetohen.
Sjellja si kjo qofte edhe vetëm e një personi, tradhton rëndë "përfaqësimin" zyrtar si deputete të cilin shihet qartë se pa të drejtë e mban. Ky akt nuk i përshtatet aspak institucionit ku keni zgjedhur të vidhni, kurse akti juaj është i dënueshëm dhe ofendim i rëndë për popullin dhe Kuvendin e Kosovës.
Para sa kohësh tregoi se di të ftoi me dëshirë kolegët serb në parlament,për të goditur deputetët e Vetëvendosjes duke hequr edhe këpucën për gjuajtje drejt tyre, kurse me provën për mashtrim, dëshmoi se deputetët tanë janë të gatshme ti mbushin grushtet dhe xhepat, sa herë u epet mundësia për ta vjedhur këtë vend. A donë koment një gjest i tillë i pamoralshëm?!
Ndaj,përpjekjet si kjo është e pamundur të kalohen pa ndëshkim nga ana e Kuvendit dhe moralisht është e palejueshme që të "zgjedhura" të tilla edhe në të ardhmen të mbeten deputete të këtij Parlamenti.
Për aq më keq, para këtyre provave, zëdhënësi i popullit nuk mund të flas më për ligj dhe ndershmëri. Ai ka rënë keq nga provimi dhe duhet të shkoj e tu liroj rrugën të tjerëve, atyre burrave dhe grave të cilët prioritet kanë interesat e vendit dhe jo mirëqenien e tyre personale,mashtrimin dhe hajnin edhe në vendin i cili do duhej të konsiderohej tempull i shenjt për bërjen dhe respektimin e ligjit.
Shembuj si ky i kanë hequr këtij populli të pafat, tërë entuziazmin dhe patriotizmin, të cilit i vije, sëmundja,varfëria dhe vdekja nga sy të tillë që shohin vetëm për vete, deputet që shfrytëzojnë pozitën për mbushjen e pangopësisë së tyre duke vjedhë e mashtruar.
Siç është e njohur për të gjithë, për vite të tëra,qëllimi i bashkëkombësve kudo,ishte çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe krijimi i shtetit të tyre të lirë.
Por të zhgënjyer nga gjendja e rëndë,korrupsioni dhe varfëria, shkaktuar nga akte si këto e tjera edhe më të këqija, shqiptarët vërtetë nuk mund ti bësh më fajtor, pse ata sot kërkojnë shpëtim edhe nën çadra e ura të Evropës duke marrë rrugë të vështira dhe ikur sa më larg atdheut me atmosferë të traumatizuar për tu arratisur në një botë tjetër më humane dhe njerëzore, ku nuk kanë pushtet të "zgjedhur" të tillë.