23 Dhjetor 2024

A ishte ky diversion ndaj Vjosës

Shkruar nga Ali Mehmeti

Mundësia është reale që të krijohet një qeverie e “re” me personazhe të vjetra, që do ta zhyt Kosovën në mjerim edhe më të thellë.

Tanimë është e qartë se gjasat janë minimale, mos të them se nuk ekzistojnë fare, që të ndodh koalicioni paszgjedhor ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje!

Ky dyshim ishte i pranishëm edhe gjatë bisedimeve për koalicion parazgjedhor dhe në fund u tregua sikur i arsyeshëm.

Madje dyshimi për koalicionin parazgjedhor bazohej në hamendje, duke pasur parasysh labilitetin politik të LDK-së, por duke shpresuar në ndryshime që mund të ndodhin në kuvendin zgjedhor të LDK-së.

Kurse dyshimi për koalicionin paszgjedhor ka mbështetje më racionale të bazuar mbi rezultatet e kuvendit zgjedhor dhe mbi deklarimet e shefit të shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri dhe sidomos mbi deklarimet e kandidatit për kryeministër znj. Vjosa Osmani.

Deri sa shefi i shtabit barazoi Albin Kurti me personazhin e njohur komik Mr. Bean, që e luan aktori i njohur anglez Rowan Atkinson, znj. Osmani shkoi edhe një hap më larg duke krahasuar Albin Kurti me diktatorin e vdekur të Venezuelës Hugo Chavez.

Për t’i kuptuar më lehtë këto krahasime disa nga votuesit e LDK-së, ndoshta ka qenë më mirë që Luta ta përdor personazhin e Ukës, që e luan aktori gjakovar Sevdai Radogoshi-Qumili kurse Vjosa personazhin e “shokut Tito”.

Por, ndoshta Luta ka pasur frikë mos votuesit e tyre do ta ngatërrojnë Ukën e Qumilit me Ukë Rugovën, kurse Vjosa është e re dhe ndoshta mësuesit e saj politik nuk mendojnë se Titoja ka qenë diktator?!

Për krahasimin e Lutës as që duhet diskutuar, kurse Vjosa krahason një president shteti që instaloi dhe udhëhoqi një diktaturë dhe pas vdekjes ia la në trashëgim Venezuellës diktatorin tjetër Nicolas Maduro, me një opozitar siç është Albin Kurti që ende asnjë ditë të vetme nuk ishte në pushtet.

Përkundrazi, ishte viktimë e diktaturës së partisë së Vjosës dhe partisë së Hashim Thaqit duke i kaluar nëpër burgjet e regjimit të tyre rreth 18 muaj, për të vetmin faj që mbronte interesat e Kosovës dhe kushtetutshmërinë e saj.

Dhe nëse Vjosa nuk di shumë për Titon, nuk duhet dyshuar se ajo di shumë mirë se krahasimi me Hugo Chavezin nuk shkon fare. Dhe të gjitha këto u thanë ende pa filluar zyrtarisht fushata.

Pse e bënë atëherë? Pse e bëri Luta, është e qartë. Për të hapur luftë me LVV-në dhe për të rrënuar çdo urë bashkëpunimi që pastaj do të pamundësoj koalicionin paszgjedhor me LVV-në dhe do hapte rrugë për ndonjë PAN2.

Por, pse e bëri Vjosa, nëse i besojmë fjalëve të saja “kur me PDK-në”? Ndoshta nga frika, sepse deshi t’i bashkëngjitet Lutës në kritikat e tij ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit, për ta ruajtur kështu përkrahjen e shtabit zgjedhor në krye me Lutën, të cilit as vet nuk i beson?!

Apo ndoshta sepse edhe ajo vet ka pranuar strategjinë e “gardës së vjetër” të LDK-së, të zhytur në keqpërdorime të ndryshme, të cilëve në asnjë mënyrë nuk ju përshtatet krijimi i qeverisë me dike që ka duart e pastra dhe që dëshiron të vendos rend dhe ligj?!

Cila do çoftë arsyeja, si duket, nuk e ka kuptuar se i është bërë një diversion që do ta kushtoj me humbje votash.

Prandaj, sa më shpejt që do i kundërvihet strategjisë së Lutës, aq më mirë për të, për LDK-në dhe për Kosovën. Ndoshta ende nuk është vonë, sepse ... Albin Kurti në fjalimin e tij në hapjen e fushatës zgjedhore në Mitrovicë, nuk e pranoj luftën e hapur nga Luta, dhe mirë bëri.

Të vetmin aludim (nëse ishte i tillë) që e bëri ishte fjalia që “nuk e kemi ditur që paniku nuk e paska zënë vetëm PANin, por edhe dike tjetër”.

Për këto arsye, Levizjes Vtëvendosje! i duhet një fitore e thellë, shumë e thellë.

Aq e thellë sa që të mbyll çdo shteg dhe çdo deriçkë, mundësisë për krijimin e një qeverie të “re” me personazhe të vjetra, që do ta zhyt Kosovën në mjerim edhe më të thellë.

Ose më saktë, kjo thellësi e fitores ju duhet Juve, Qytetar të nderuar! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)