25 Dhjetor 2024

A fitohen vizat duke i trembur mushkonjat dhe mizat!

Shkruar nga Behxhet Bajgora

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave sikur që asaj i janë kërkuar kritere shtesë e që nuk i janë kërkuar asnjë vendi tjetër, për lëvizje të lirë.

Duket se këto kritere shtesë i kanë ofruar si bonus drejtuesit e bisedimeve në mënyrë që të dëshmohen si vendimmarrës të vendosur, pa iu treguar fare qytetarëve të Kosovës për këtë surprizë që ua kanë bërë burokratëve të Brukselit, të cilët të rruajnë në të thatë, nëse e vërejnë se je një leshko e në anën tjetër t’i rrahin krahët duke të lavdëruar për lidership dhe politikan që merr vendime të guximshme.

Për këtë situatë njeri më të përshtatshëm se Hashim Thaçin nuk kanë mundur ta gjejnë madje as kompjuteri më i fuqishëm nuk ka mund ta nxjerrë një përkryerje të tillë të improvizimit.

Pastaj, Hashimi e ka nxjerrë nga harresa politike Edita Tahirin, një llaskuce ordinere që, çështja e Kosovës i ka interesuar aq sa mua më intereson nëse faraoni Tutankamon ishte bërë synet apo jo.

Me rastin e Kosovës, BE – e ka qenë jashtëzakonisht hipokrite duke e trajtuar shumë më keq se Serbinë sikur që Kosova ishte përgjegjëse për luftërat dhe gjenocidin në hapësirën e ish – Jugosllavisë dhe jo Serbia kriminale e cila, përballë Kosovës ka mbetur e tillë edhe sot, madje, nëse  e kemi parasysh kontekstin e ndryshuar politik, regjimi aktual i Serbisë është më kriminal se ai i Millosheviqit.

Pse e them kështu ? Serbia, si përgjegjëse absolute për të gjitha krimet në këto hapësira, në vend se të dënohet në mënyrë meritore sikur që u dënua Gjermania, Italia dhe Japonia për shkak të përgjegjësisë për viktimat miliona e miliona të vrarë dhe shkatërrimet marramendëse pas përfundimit të luftës së dytë botërore, po kjo Serbi kriminale u shpërblye nga ndërkombëtarët duke e lejuar që të vazhdojë me krime të tjera në Kosovë, tash me mjete tjera. Pas përfundimit të luftës Kosova asnjëherë nuk u trajtua si subjekt i barabartë por në emër të saj flisnin burokratët e Brukselit dhe regjimi kriminal i Serbisë.

Në Serbi nuk ekziston ndjenja e fajësisë apo përgjegjësisë për krimet kundër njerëzimit, deri në përmasa të gjenocidit.

Në Serbi nuk flitet as për përgjegjësinë individuale, si standard i pranuar ndërkombëtar kundër hakmarrjes kolektive, nëse do të kërkohej përgjegjësia kolektive.

Realisht, nëse për një rast mund të thuhet se përgjegjësia e përgjithshme mund të ketë ndodhur, Serbia është shembull konkret për adresimin e kësaj përgjegjësie sepse, për krimet e bëra në Kosovë dhe hapësirat e tjera të ish – Jugosllavisë ishin të përfshira të gjitha strukturat shoqërore të Serbisë, nga Akademia e Shkencës së Serbisë, Kishës Ortodokse serbe, mediet, shoqëria civile, policia, ushtria, paramilitarët dhe përfaqësitë diplomatike të Serbisë nëpër vende të ndryshme të botës.

Kosova bëri luftë mbrojtëse dhe për çlirim dhe u ndëshkua kurse Serbia, përgjegjëse për krime të shumta, përfitoi, politikisht dhe ekonomikisht.

Dënimi ndaj një individi apo shteti nuk bëhet për t’iu hakmarrë por për të parandaluar rastet tjera të ngjashme e në rastin e Serbisë vetëm kanë inkurajuar kriminelët potencialë se mund të bëni krime dhe për këtë, jo që nuk do të ndëshkoheni por do të shpërbleheni.

Po të zbatohej një drejtësi qoftë edhe e pjesshme, Serbia do të pëprjashtohej nga çdo prani në Kosovë për së paku 30 vite dhe për atë kohë do të arrihej një stabilizim i situatës kurse serbët e Kosovës shumë më lehtë do të integroheshin duke u bërë pjesë konstruktive e zgjidhjes së problemit dhe duke shërbyer si urë lidhëse për normalizimin e marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë !

Koha më e mirë për njohje të pavarësisë së Kosovës ka qenë qershori i vitit 1999 kur Serbia ishte në një defansivë të plotë kurse gjendja në terren në Kosovë ishte e tmerrshme.

Ndërkombëtarët duket se kishin të tjera plane, e bënë Serbinë partner në vendimmarrje për çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës ndërsa, ne informoheshim nga mediet se çka kanë biseduar dhe për çka kanë vendosur ndërkombëtarët dhe Serbia.

 Të papërgjegjshmit, kriminelët dhe horrat shqiptarë merreshin me uzurpimin e pronave të serbëve, vrasjen e ndonjë plake apo plaku serb për t’iu grabitur pronat, plaçkitjen e çdo gjëje  që kishte vlerë si dhe luftën e pamëshirshme për pushtet, në kohën kur nuk kishte shtet, midis shqiptarëve, duke vrarë dhe zhdukur kundërshtarë që ua rrezikonin fitimet gjithnjë duke e maskuar me qëllime politike dhe kombëtare  e që nuk ishte fare e vërtetë.

Në atë kohë lindi dhe filloi të forcohet struktura e kriminalizuar e një krahu të luftës si dhe të një krahu të rezistencës paqësore.

Askush nuk e ktheu një markë të vetme nga fondet Vendlindja Thërret dhe Fondi i 3%. Pikërisht eksponenetët (një pjesë e tyre) e këtyre fondeve u bënë milionerë të rinj.

Të gjitha këto zhvillime ndodhën para syve dhe në prani të ndërkombëtarëve të cilët vetëm regjistronin të gjitha, që nga grabitjet e deri te vrasjet por nuk intervenoni dhe pastaj, këto i përdornin si mjet shantazhi ndaj strukturave të caktuara politike.

OSBE organizonte zgjedhje të Serbisë në Kosovë, në emër të një roli lehtësues dhe në mungesë të kapaciteteve vendore.

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur, si e drejtë elementare e njeriut e cila ishte dhe është e drejtë e  pamohueshme bëhej për t’u forcuar prania e serbëve në Kosovë duke krijuar hapësira etnikisht serbe dhe një zingjiri të pandërprerë, nga veriu i Kosovës, përmes Dukagjinit dhe Kosovës qendrore, deri te Anamorava, që kufizohet ne Serbinë. Ky ishte plani i Serbisë e që përkrahej nga ndërkombëtarët që merreshin me çështjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur.  

Askush nuk merrej me çështjen e personave të zhdukur apo ndjekjen e kriminelëve të luftës sepse luhej një lojë e ndytë politike ku Serbia favorizohej kurse ne ishim lojtarë të dorës së tretë.  

Veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës u pastrua dhunshëm në prani dhe me përkrahje të ndërkombëtarëve, nga shqiptarët të cilëve kurrë nuk iu lejua kthimi në pronat e tyre, duke u bërë refugjatë në vendin e vet.

Në emër të një decentralizimi u formuan komuna të pastra etnike në kohën kur na teshnin dhe ende na teshin prapanicën me një Kosovë multietnike.

Ngjarjet e marsit u keqpërdorën duke vrarë dhe shpërngulur dhunshëm serbë dhe romë, pas së cilave ndarja në baza etnike vetëm sa u fuqizua.

Kërkohej përgjegjësi vetëm për ata që kanë vrarë serbë por jo edhe ata që kanë vrarë shqiptarë ndonësi numri i shqiptarëve të vrarë ishte dyfish më shumë se i serbëve.

Tre fëmijë shqiptarë të mbytur me dhunë në fshatin Çabër (lumin Ibër), si pasojë e ndjekjes me qen nga serbët lokalë u harruan sepse, sipas formulimit idiotesk të ndërkombëtarëve nuk po mund të gjindet qeni.

Ndërkombëtarët i liruan nga burgu i Mitrovicës 22 serbë dhe romë të dyshuar për krime ndaj shqiptarëve duke inskenuar situatën se paskan ikur dhe kurrë nuk kërkuan nga Serbia që ata të ekstradohen.

Sigurisht se ata ishin në Mitrovicë për t’i vazhduar krimet ndaj shqiptarëve të mbetur në atë pjesë të Kosovës së okupuar.

Në këtë kohë Kosovës iu shtua edhe një klasë e analfabetëve intelektualë që u pajisën me tituj shkencorë dhe akademikë, për t’u sistemuar pastaj në të gjitha pikat kyqe, nga Akademia e deri te shitësit e kondomëve.

Filluan bisedimet në Vjenë ku Kosova përfaqësohej kryesisht nga lakmitarët për para dhe jesmenët. Pastaj nobelisti i ardhshëm, krimineli kushtetues, Mati Ahtisari të cilin Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu e përmendnin më shumë se baballarët e tyre biologjik, i bëri serbët e Kosovës “ nebeski narod “ (populli qiellor), duke e realizuar kështu synimin e parealizuar të kriminelit Sllobodan Millosheviq për serbët, si “ nebeski narod “.

Serbët e Kosovës 100% i shërbenin Serbisë dhe 100% punonin kundër Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare kërkonte për ta më shumë se që ua ofron këto të drejta pakicave kombëtare në shtetet e tyre.

Përkundër se kjo çështje është shumë mirë e rregulluar me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e që është shndërruar në standard ndërkombëtar, ndërkombëtarët kërkonin nga ne edhe më shumë, Ahtisari + (shtet brenda një shteti jofunksional).

Gjatë procesit të Demarkacionit me Maqedoninë. sipas traditës historike Maqedonia i mori një kafshatë të territorit të Kosovës por se nuk u bë shumë e madhe sepse Kosova ishte në fazën e shtetndërtimit.

Me Malin e Zi ky tregim u përsërit në një formë më të vrazhdë, me kushtëzim se nëse nuk pranohet ky Demarkacion, nuk do të ketë liberalizim të vizave.

Kjo u keqpërdorë skajshmërisht nga ata që donin ta ruanin pushtetin apo ta merrnin pushtetin, gjithsesi interpretimi ishte nga këndi i interesit të tyre.

Hashim Thaçi e bëri një marrëveshje me Vujanoviqin kinse për korigjim të kufirit, nëse ka ndodhur ndonjë gabim e që me gjuhë të popullit do të thotë se po lahet m.. me sh.... Hashimi, si nënshkrues i marrëveshjes, me endacaken e Brukselit, Edita Tahirin nuk ka mundur të veprojë ndryshe.

Me këtë manipulim të ndyrë dhe me presion ndaj deputetëve të partisë ku ishte i siguroi votat për kalim të Demarkacionit duke i krijuar një arsyetim edhe Ramush Haradinajt të lëvizë nga pozicionet e forta që i kishte më parë. Realisht, Hashimi ia la këmbët e arushës në dorë Ramushit.

PDK –në,  ia la në duar Kadrisë i cili e pati dhe e ka vështirë të transformohet nga një lider i një shërbimi informativ në një  lider politik, aq më parë që komunikimi i një lideri të shërbimit informativ dallon nga një komunikim që e bënë një lider politik.

Ky transicion Kadrisë po i shkakton problem aq më parë që Hashimi, edhe tash llogaritet Zeus i PDK –së sepse aty ka lënë çimka që e informojnë për çdo gjë dhe i binden për çdo gjë.

Për Kadrinë është shumë më mirë që në zgjedhjet e ardhshme të dalë si kandidat i pavarur apo me një parti të re se të vazhdojë ta mbajë në duar orën e kurdisur me shpërthyes, pilotin e të cilit e mbanë ende Hashim Thaçi.

Tash, bashkësia ndërkombëtare po insiston që sa më parë të formohet Asociacioni i Serbisë në Kosovë (komunat me shumicë absolute serbe) si kusht për t’u integruar të rrotë të së ëmës.  

Hashimi pati thënë se ky Asociacion do të jetë një OJQ siç janë mbi 8000 në Kosovë dhe për të e kanë nënshkruar një marrëveshje në Bruksel.

Me sa e di unë, e kam përvojë të gjatë në këtë fushë, për herë të parë po ndodhë që një OJQ e Kosovës të regjistrohet në Bruksel.

Qartazi, Hashimi i madh po luan koqe me hashimët e vegjël ! Edhe ndërkombëtarët po kërkojnë që ky Asociacion të formohet sipas ligjeve të Kosovës por të ketë disa kompetenca ekzekutive.

Çfarë hipokrizie dhe çfarë poshtërsie ! Intereset e qytetarëve, pa dallime i mbronë ligji dhe shteti dhe jo Asociacioni.

Ma gjeni një vend në botë ku Asociacioni ka kompetenca sikur ky në Kosovë. Nuk mund ta gjeni sepse asnjë vend normal nuk e lejon këtë. Edhe për Asociacionin  do të gjindet një formulim sikur për Demarkacionin, larje e m.. me sh..!

Ndërkombëtarët e formuan Gjykatën Speciale, jo për të ndarë drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët por për të bërë shantazh mbi politikanët që të bëjnë lëshime politike.

Kjo Gjykatë është politike dhe si e tillë do të dështojë 100% sikur edhe ajo e Hagës, e UNMIK-ut  dhe EULESH-it. Këta që po frikohen nga kjo Gjykatë po a bajnë tutën për së rëndi dhe kot.

Gjykata do të përdoret për arritjen e një marrëveshjeje politike me Serbinë ku Kosova do të ndahet e lagur dhe pas kësaj, pasi të hapen letrat dhe t’i shohim zhvillimet në terren, Kosova do të hyjë në një krizë të vërtetë.

Pikërisht për këtë arsye nuk po lejohet formimi i ushtrisë së Kosovës sepse me 10,000 policë profesinistë dhe të motivuar, me 8-10,000 ushtarë dhe me 100.000 vullnetarë, Serbia vështirë do t’i hyjë aventurës së një lufte të re.

Serbia po bënë përpjekje që në planin afatgjatë ta mbajë Kosovën nën presion duke mos e investuar asnjë cent të vetëm por duke e shfrytëzuar buxhetin e Kosovës dhe serbët e instrumentalizuar kurse përkrahje të plotë po i jep një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe një pjesë e politikanëve kosovarë, lakmitarë dhe injorantë.

Bashkëdyzimi i injorancës dhe lakmisë është shkatërruese edhe për shtetet më të fuqishme  e lëre më për Kosovën e lodhur dhe të dhunuar nga hamshorë të pashpirtë dhe intelektual të tredhur! Në këtë drejtim po insistohet që të vazhdohen bisedimet me Serbinë për të arritur një marrëveshje detyruese (kryesisht vetëm për Kosovën) ku peshku apo  mashtruesi  shumë më i madh, Aleksandar Vuçiq do ta hajë mashtruesin apo peshkun më të vogël, Hashim Thaçin.

Është një luftë krejtësisht e pabarabartë ku dominon Vuçiq, një ish – paramilitar i veshur me petkun e një demokrati, të cilit, për arsye politike i beson faktori ndërkombëtar ndaj një ish – ushtari të UÇK-së, të cilit për arsye, gjithashtu politike nuk i beson aspak faktori ndërkombëtar kurse duket se në Kosovë, përveç meje nuk i beson askush.

Qofsha i gabuar 100% mirëpo jam i sigurt se marrëveshja Vuçiq – Thaçi është në sirtar dhe njëherë nuk bëhet publike për t’i fashitur dhimbjet të cilat nuk do të përfundojnë me formimin e Asociacionit  !

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)