23 Dhjetor 2024

A është vetëm plani i Ahtisarit e vetmja zgjidhje

Shkruar nga Lutfi Haziri


Asnjë Qeveri a koalicion nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën pa e prishur ekuilibrin e brishtë që garanton të drejta maksimale. Asnjë Qeveri e vetme nuk ka mundësi që e vetmuar t’i zgjidhë këto probleme të hapura. Është koha edhe për një hap që duhet ta bëjmë së bashku.

Problemet  ndëretnike në tri komunat e veriut të Kosovës, dëshmojnë më së miri se ajo pjesë e Kosovës vazhdon të mbetet vatër krizash dhe konfliktesh.

Kriza 12- vjeçare në kufirin verior, që është pjesë dominante e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, dëshmon qartë se Kosova nuk mund ta integrojë veriun me veprime ad-hoc dhe me plane për çdo vit, të cilat më shumë janë “lojëra” qeveritarësh.

Për Veriun, Plani Ahtisaari garanton stabilitet dhe integrim. Një qytet me dy komuna dhe të drejta asimetrike, është oferta kryesore për integrim. Kosova ofron autonomi të plotë kulturore, vetëqeverisje të zgjeruar lokale dhe asimetrike.

Kur filloi zbatimi i reciprocitetit tregtar me Serbinë me aksion policor dhe atë me elitën policore, me qëllim që Kushtetuta dhe sovraniteti i Kosovës të zbatohen në veri, derisa ngjarjet e fundit në vend që ta shkrijnë konfliktin, këtë të fundit vetëm se e ndërkombëtarizuan si problem që kërkon zgjidhje të re dhe që në fakt çdo ditë e më shumë po përmenden nga të gjitha palët jashtë Kosovës, si Brukseli, DC, Beogradi e të tjerë.

Përkundër rikonfirmimit që zgjidhja e vetme është Kushtetuta e Kosovës, ne po vazhdojmë me disejnimin e planeve të përvitshme, si dhe me hapje zyrash e objektesh të reja si në Lagjen e Boshnjakëve, pastaj në pjesën veriore të lumit Ibër në komunën e Mitrovicës, e cila nuk qeveriset nga institucionet e Kosovës.  

Pasi kanë dështuar që ta bindin Perëndimin për shkëputjen e veriut, aktualisht Serbia po kërkon përkrahje ndërkombëtare për planin e ri që na dërgon te një autonomi politike territoriale për serbët e veriut të Kosovës. Ky është edhe plani i vjetër i Serbisë i prezentuar në bisedimet e Vjenës.

Një ndarje e brendshme e Kosovës me korridore lidhëse drejtë qendrës së Kosovës, e cila përfundon me dalje në Anamoravë dhe në dy krahë që depërtojnë deri në Istog e Kamenicë.

Plani “Y” kombinohet edhe me enklava që prentendohen të ndërtohen në komuna të reja dhe Kosova jo vetëm që de facto do të përballet me ndarjen e brendshme, por edhe me skemën e “lëkurës së leopardit”, që kur kombinohet me zonat e mbrojtura të kishave ortodokse në Kosovë, atëherë ne shqiptarëve të Kosovës na mbetet shumë pak vend për ta prezentuar vendin tonë si vend ku mund të jetohet, sepse do të jenë dy Kosova; njëra republikë për shqiptarët, derisa të tjerët e pranojnë si pjesë të pandashme nga Serbia.

Ahtisaari Plus bazohet në pesë parime

Problemi kryesor me këto plane mbetet paraqitja si zgjidhje pa shkëmbime territoriale, që e ruan parimin e mosndryshimit të kufirit të vitit 1974. Ky plan tashmë i njohur si Ahtisaari Plus, është diskutuar si model para shpalljes së pavarësisë në Vjenë, si dhe është refuzuar atëherë nga Rusia dhe nga shtetet tjera brenda Grupit të Kontaktit, me shpresë se Serbia do ta mbante edhe veriun, edhe Kosovën.

Ahtisaari Plus bazohet pak a shumë në pesë parime: 1. Në të drejtën e serbëve në veri të Kosovës përtej Pakos së Ahtisaarit, duke krijuar një entitet politik autonom me sistem doganor, policor, gjyqësor dhe ligjor të ndarë nga ai i Kosovës,

2. Trajtimin e zonave të mbrojtura përreth manastireve si zona ekstraterritoriale jashtë sovranitetit të Kosovës,

3. Në krijimin edhe të së paku 7 komunave të reja dhe me lidhshmëri territoriale e politike me veriun,

4.  Rajoni autonom formalisht do të mbetej brenda Kosovës, ndërsa praktikisht do të qeverisej nga Beogradi si vazhdim territorial i Serbisë, ku prania ndërkombëtare më shumë se garanci për serbët e veriut, do të kthehej në urë të Beogradit dhe jo të Kosovës dhe

5. Beogradi do të ofrojë asistencë teknike e financiare deri në krijimin e kushteve, që vet serbët e Kosovës të qeverisin. A mbetet ky i vetmi opsion i Serbisë? Natyrisht që jo!

Plani tjetër është ndarja territoriale dhe politike që përfshinë edhe shpërnguljen humanitare të Kosovës me Serbinë. Zatën ideja është e vjetër dhe rrënjët i ka te Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, derisa vetëm kryeministri i vrarë Gjingjiç ishte ai që besonte në Beograd se ndarja do të dërgonte drejtë pajtimit historik të serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.

Ka të ngjarë që kjo edhe i kushtoi ish-kryeministrit serb, por edhe neve në Kosovë, pasi  nuk pati guxim as të “lexohet” e lëre më të flitet për të. Pasardhësi i tij Tadiç, asnjëherë nuk pati guxim që në Serbi të shpaloste këtë propozim.

Ishte vetëm lideri socialist Daqiç, ai që e përmendi ndarjen e Kosovës si opsion, por në funksion të deformimit të shtetit të Kosovës, por jo edhe të zgjidhjes reale apo të pajtimit historik midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

Vendosja e parimit sipas rregullimit administrativ të vitit 1956

Në fakt, ajo që unë besoj është vendosja e parimit të rregullimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë sipas rregullimit administrativ të vitit 1956 e jo parimin tashmë të vendosur të vitit 1974, kur Kosovës  për të drejta politike në kuadër të ish-RSFJ-së iu cungua territori, që si kompensim iu dha Serbisë dhe Maqedonisë. Ku qëndron argumenti im?

1. Ende nuk kemi pajtim për kufirin midis Kosovës dhe Serbisë,

2. Të tjerët e quajnë kufi administrativ,

3. Nuk kemi ratifikim, sepse nuk kemi marrëveshje, madje as që shihet gjëkundi se së shpejti mund të kemi demarkim të kufirit,

4. Kjo çështje duhet të zgjidhet me dialog politik midis Kosovës dhe Serbisë dhe me ndermjetësim ndërkombëtar,

5. Mbi 100 mijë banorë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të trajtohen njëjtë si banorë të Kosovës dhe e drejta e tyre duhet të garantohet si atyre në Leposaviç e Zubin Potok,

6. Përveç kufirit, duhet të zgjidhet edhe çështja e pronave, siç është ajo e liqenit, pastaj autostradës dhe hekurudhës, si dhe një formë më e avancuar e bashkëpunimit ndërkufitar në të ardhmen, por edhe shumë çështje të tjera që lidhen me dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar popullit të Kosovës.

Argumenti kryesor se pse duhet të ndodhë kjo është se Serbia de facto po bën spastrim të heshtur etnik në Veri dhe në Lindje të Kosovës, derisa në Veri të lumit Ibër tashmë e ka ndërruar realitetin me ndikim dhe financim të vazhdueshëm.

Derisa ne po organizojmë mbrëmje donatorësh për të grumbulluar ndihma për qytetarët tanë, në Lindje të Kosovës, si në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, popullata shqiptare po dëbohet duke e futur në Gjilan, Prishtinë e Fushë-Kosovë.

Po ashtu tashmë kemi edhe një atmosferë kërcënimi e burgosjesh të luftëtarëve të lirisë dhe së fundmi edhe të veprimtarëve politikë dhe përfaqësues të organizateve të tjera.

Ata tashmë jetojnë pa te drejta politike atje, ndërsa në Kosovë pa të drejta civile dhe kështu këta banorë janë të detyruar që t’i kenë nga dy shtëpi, por që nuk e kanë asnjë shtet amë.

Personalisht nuk e pëlqej termin “Luginë”, sepse është term ushtarak, por që vërtetë po e bëjmë “Luginë të tmerrit për shqiptarët”, sepse ata po mbeten pa atdhe.

Argumenti ynë është shumë më i pranueshëm, sepse mbronë dhe kërkon të drejta për njerëzit, ndërsa “argument” i Serbisë “faktohet” në të drejtat e territorit.

Serbisë nuk i duhen serbët e Kosovës, por territori i Kosovës, ndërsa Kosova duhet të angazhohet për njerëzit e Kosovës. Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kanë mbetur të vetmuar dhe pa asnjë kujdes.

Edhe “argumenti” tjetër i Serbisë është se veriu është ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, pasi përbën vazhdim territorial të Republikës së Serbisë që meriton rregullim të posaçëm.

Po a nuk permban vazhdim territorial të Kosovës deri në Nasalcë të Bujanocit e Medvegjë, apo edhe në fshatrat Bugarin e Qukarkë të Preshevës?

Atëherë ky argument ekziston vetëm atëherë nëse vazhdimësia gjeografike përbën premisë për autonomi. Presheva, Bujanoci e Medvegja janë aty ku kufiri ynë duhet te vendoset, pra pikërisht aty!

Asnjë Qeveri a koalicion nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën pa e prishur ekuilibrin e brishtë që garanton të drejta maksimale.

Asnjë Qeveri e vetme nuk ka mundësi që e vetmuar t’i zgjidhë këto probleme të hapura, por që nuk ka të drejtë as të injorojë dhe as të frikësohet nga zgjidhjet e përhershme dhe të drejta. Është koha edhe për një hap që duhet ta bëjmë bashkë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)