26 Dhjetor 2024

A e kemi përnjëmend me kundërshtimin e demarkacionit apo e kemi për interesa personale

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Të gjithë patriotë, të gjithë tradhëtarë: Ramush Haradinaj ishte dhe mbeti kundërshtar i marrëveshjes së Demarkacionit që u nënshkrua nga ish kryeministri dhe tash Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi, ndryshe mik i Papës kuller Françeskut nr.1 dhe Skender Hyseni,  ish ministër për Punë të Brendshme.

I pari ishte i PDK-së kurse i dyti i LDK-së. Këto parti nuk arritën t’i sigurojnë votat për Demarkacion ndonëse kishin numrin e madh të deputetëve, duke ia lënë këtë trashigimi Ramushit që nuk ka vota të sigurta as për të propozuar një meny ditore me specialitetetradicionale  e lëre  më ta shtyjë përpara një proces që është shumë i ndërlikuar dhe shumë i rrezikshëm.

Koalicioni paraprak që dështoi për Demarkacion e prodhoi Murat Mehën kurse koalicioni aktual e hudhi në plehra Muratin dhe komisionin duke e promovuar Shpejtim Bulliqin dhe titistët rreth tij, që pa asnjë dyshim do të përfundojnë në plehra.

Demarkacioni ishte temë e cila, më së paku varej nga ne dhe që ishte rezultat i marrëveshjeve të fshehta kurse ne e kuptuam vetëm kur lindi kjo shëmtirë në trajtën e një marrëveshjeje e cila është dashur të trajtohej në Kuvend dhe vetëm pastaj të nënshkruhej. Realisht, këta që janë në pushtet, një pjesë e tyre as që i ka interesuar toka e Kosovës por toka e tyre, në Kosovë dhe në shtetet e parajsës fiskale he kurrë mos i gëzofshin dhe trashigofshin.

 Demarkacioni, si çështje ështe ( keq ) përdorur për mbajtje të pushtetit apo marrje të pushtetit përmes një rruge të dhunshme dhe me manipulime.

Në vend se të merremi me punë që duhet t’i bëjmë, ende nuk jemi çliruar nga ndjenja e madhështisë se jemi të dërguar nga Zoti të bëjmë punë të mëdha e injorantët asnjëherë nuk mund të bëjnë punë të mëdha përveç se e shpenzojnë energjinë në punë të kota. Realisht, çështja e Demarkacioni ka shkaktuar përçarje edhe brenda familjeve sikur që të gjithë u bëmë ekspertë për çështje kufijsh.

Në emër të Demarkacionit e kemi rrahur Policinë e Kosovës më tepër se një vjet, në shumë raste edhe duke i nënçmuar dhe poshtëruar e në fakt, përmes vandalizmit të shfrenuar e kemi treguar se jemi shumë larg e të bërit shtet.

Kemi bërë dëme materiale ndaj institucioneve dhe pronës private. I kemi quajtur tradhëtarë,  me lehtësi të pafalshme dhe ua kemi sulmuar edhe familjet atyre që i kemi konsideruar si tradhëtarë.  Çështja e Demarkacionit e ka legalizuar linçimin publik, anarkinë dhe dhunën. Po çka fituam ne me këto veprime ?!

Asgjë hiç, si qytetarë. LV fitoi shumë, Nisma gjithashtu, PDK dhe LDK u tkurrën kurse fitues ishte Lista Serbe. Mali i Zi e shtyri kufirin ku janë nënshkrimet e Hashimit dhe Skenderit si dhe kunjat e Muratit, u integrua në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë dhe u bë fuqi ushtarake duke u bërë anëtar i paktit NATO. Mali i Zi këtë situatë mund ta “ durojë” edhe 100 vjet e që nuk është e njëjta gjë me Kosovën.

Kosova nuk fitoi asgjë madje po e mbajnë të izoluar me pretekst se nuk e kemi ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit në kohën kur ky standard apo kushtëzim nuk vlente për Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen, Malin e Zi dhe Serbinë që ende kanë probleme të pazgjidhura rreth caktimit të vijave kufitare.

Po shihet se bashkësia ndërkombëtare po përdorë standarde të dyfishte që, mbështetur në interese politike dhe kapacitet për destabilizim që i kanë shtet e përfshira në këtë proces. Aktualisht nuk ka asnjë mundësi që të bëhen numrat në Kuvendin e Kosovës e që kjo marrëveshje të votohet sikur që nuk mund të shkohet në pafundësi.

Pajtohem me Ramushin se një marrëveshje është e papërfunduar nëse nuk keni pajtimin e dy palëve. E tillë mbetet marrëveshja me Malin e Zi. Mali i Zi nuk dëshiron të rinegocijojë një marrëveshje që e bënë përfituese sikur që as bashkësia ndërkombëtare nuk brengoset shumë rreth kësaj aq më parë që klasa politike në Kosovë, që nga përfundimi i luftës ka qenë kryesisht servile ndaj ndërkombëtarëve dhe, për shumë gjëra të rëndësishme për Kosovën kemi marrë vesh vetëm pasi “ është falur Bajrami “.

Sikur edhe për Demarkacionin. Faktori ndërkombëtar, nga politikanët servilë dhe të kompromituar në të gjitha aspektet nuk ka kërkuar propozime për zgjidhje të problemeve por ka kërkuar zbatim të pakusht të projekteve të tyre. Po të ishte Mali i Zi i sigurt se kjo punë është e pastër atëherë nuk do të kishte asnjë arsye të mos e rinegocionte këtë marrëveshje.

Gjithashtu, po të ishin të sigurtë edhe këta të palës kosovare se çdo gjë është në rregull, nuk do të këmbëngulnin që të ratifikohet si e tillë kur ka shumë kundërshtime dhe kur bisedimet dhe vetë procesi ka qenë tmerrësisht jotransparent.

Po të ishte çdo gjë në rregull, edhe bashkësia ndërkombëtare do të kërkonte miqësisht nga palët që të biedojnë edhe një herë për një afat, ta themi prej tre muajve dhe pastaj kjo marrëveshje e re, ose, nëse vërtetohet kjo e vjetra do të ishte e panegociueshme dhe detyruese për Malin e Zi dhe Kosovën. Realisht, nuk kam asnjë njohuri profesionale për kufij mirëpo kundërshtimin tim e mbështesë kryesisht në intuitën dhe pësimet gjatë historisë ku shqiptarët, në çdo ngjarje që ndërlidhet me territore dhe kufij, gjithmonë janë ndarë si humbës. Po tash, si duhet të veprohet ?

Murta Meha dhe komisioni që e drejtonte e pati, tash janë në lojë Shpejtim Bulliqi dhe komisioni i ri. Marrëveshja për Demarkacion duhet të dërgohet në Kuvend. Nëse kalon e që nuk ka gjasa të kalojë atëherë duhet të shpallet e pavlefshme.

Në këtë rast duhet të ndërmerren masa ligjore ndaj Hashim Thaçit, Skender Hysenit, Edita Tahirit dhe Murat Mehës me gjithë komisionin sepse, nëse vërtetohet se ajo marrëveshje e dëmton dhe rrezikon territorin e Kosovës, nuk është vetëm kundërvajtje por një vepër e rëndë penale, rrezikimi i integritetit territorial të Kosovës ku parashihen dënime kapitale.

Në të kundërtën, nëse dëshmohet se e kanë gabim kundërshtarët e Demarkacionit, atëherë duhet të ndërmerren masa ligjore kundër Albin Kurtit, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Shpejtim Bulliqit  sepse, me këtë kundërshtim që del të jetë manipulativ, përveç dhunës, sponsorë e së cilës janë kundërshtarët e Demarkacionit, kush më pak e kush më shumë, Kosovës i janë bërë shumë dëme politike dhe materiale sikur që kanë ndikuar në proceset integruese.

Në rastin konkret nuk mund të kenë të drejtë të gjithë dhe kjo çështje të përfundojë pa përgjegjësi. Akuzat e kundërshtarëve të Demarkacionit për këta që e përkrahën ishin shumë të rënda prandaj drejtësia duhet të vendoset në përputhje me ligjet e zbatueshme në Kosovë.

Pikërisht kjo çështje e ka detyruar patriotin e madh shqiptar dhe sakrifikuesin për çështje kombëtare, legjendarin Behgjet Pacolli të shkojë në Mal të Zi, të mundohet ta mbrojë diçka që nuk mbrohet dhe e bënë krejt përrallë.

 Pse Duhet legjendari Behgjet Pacolli t’i hajë qershitë që i kanë pëshurrur Hashim Thaçi, Skender Hyseni dhe Murat Meha kurse për desert ka qenë përgjegjëse Edita Tahiri me të njëjtin kontribut si këta që i përmenda më lart ?! Për arsye se Begjës thjesht nuk i intereson interesi personal dhe se të gjitha këto poshtërime i duron dhe i përjeton si detyrë madhore për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët,  anekënd botës ku jetojnë!

Pacolli po sakrijohet deri në vetflijim dhe tash po del se kërkesa e tij për sa më shumë ministri dhe sa më shumë pushtet ishte e drejtë dhe e arsyeshme ngase ishte dhe mbeti partizan i vendosur në mbrojtje të themeleve të Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarisë. Hajt Begji hajt, mos i dëgjo gojëkqinjtë sepse prapa teje është historia, në ballë të së cilës je si një profet i dërguar nga ....? Nuk kam përgjigje për këtë.

Edi Rama, viktimë e Demarkacionit: Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe jam i sigurt se është kryeministri më i mirë dhe më kombëtar që ka pasur atdheu i shqiptarëve, deri sot. Shqipëria do të duhej të ishte Piemonti i të gjithë shqiptarëve apo mullari dhe boshti rreth së cilës do të bashkoheshin të gjithë shqiptarët.

Për fat të keq nuk është e tillë prandaj, të gjithë shqiptarët, politikaj, atdhetarë, intelektualë, analfabetë funksionalë politik dhe të tjerë kërkonin që, Edi Rama të bëhet kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe në këtë kontekst të flasë gjithashtu, në emër të gjithë shqiptarëve.

Më kujtohet se këtë kërkesë e patën kundërshtuar fuqishëm, intelektuali dhe publicisti, patrioti dhe sakrifikuesi i madh, Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu dhe disa mbetje titiste në Kosovë që nuk janë se nuk iu shkonë zëri.

Madje, disa komandantë të shquar dhe heroikë të UÇK-së, të shndërruar në politikaj krejtësisht impotentë, injotrantë dhe të pa koqe,  përjetojnë orgazëm  kur në fytyrën e celularëve dalin numrat e ndonjërit prej tyre që Shqipëria i ka pajisur me pasaporta diplomatike.

Po edhe në Shqipëri ka këso mbeturina dhe plehra të intelektualëve të rremë dhe patriotëve. Këta të Kosovës kanë traditë familjare t’i shërbejnë çdo okupatori e që e kanë dëshmuar kur me devotshmëri i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë kurse, sigurisht edhe sot janë në shërbim të tyre, tash si patriotë kosovarë dhe shqiptarë.

Kur Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, gjatë takimit me Ramushin u deklarua për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, në formën siç është, u përballë me shumë kundërshtime, që nga Ramushi, Albini, Bilalli dhe Jakupi dhe miliona e miliona shqiptarë të tjerë, që nga Kosova e deri në Kinë.

 Reagimi më i ashpër ishte nga Albini i cili, përveç se i tha Ramës ta mbyllë gojën, ia dhe edhe notë ngelëse për mospërmbushjen e detyrave që kanë dalë nga mbledhja e fundit e  dy qeverive, kohë më parë duke ia listuar të gjitha pikat e marrëveshjes e që nuk janë përmbushur.

E kemi një situatë ku Albini, ende pa fuqi ekzekutive (është vetëm deputetë i Kuvendit të Kosovës) po bënë përpjekje që të zhvendosë Edi Ramën nga pozita e ktryeministrit për të gjithë shqiptarë dhe në vend të Ramës të vendoset Albini. Ambicie kjo e ligjshme por e vështirë e realizueshme aq më parë që në Shqipëri, Albini nuk ka mbështetje përveç disa anarkistëve që demolojnë mendërisht në Shqipëri dhe materialisht në Kosovë, nën siglën e LV.

Edi Rama, me dy fjali iu përgjigj Albinit si dhe glorifikuesve të dikurshëm por tash ka hyrë në probleme të mëdha kur, për çështjet e shqiptarëve në Kosovë por edhe kosovarëve, si prodhim i një bastardimi etnik, duhet të marrë leje të veçantë kur duhet të flasë dhe çka duhet të flasë.

Besoj se Edi Rama është shumë më patriotë se shumë politikaj të pozitës dhe opozitës në Kosovë, se ka shumë më tepër informacione se që i kanë këta, se i dinë shumë mirë mundësitë e Shqipërisë dhe sidomos Kosovës për të ndikuar në këto procese prandaj edhe flet dhe vepron në kuadër të këtyre mundësive.

Në Kosovë, radikalizmi oratorik dhe veprues tash është zëvendësuar me kollare moderne, veshje firmato dhe jetë në stilin dolçe vita. Po tash kujt t’i besohet, këtyre që u shpallën luftë të gjithëve ditën kurse ua luajnë kokën si pranim, natën.

Unë, si idealist që jam besoj në bashkimin kombëtar si proces, jam i sigurt se do të ndodhë prandaj i besoj Shqipërisë dhe Edi Ramës sot. Idealistët llogariten si budallenj, në këtë kohë të globalizmit dhe mbase mund edhe të gabojnë. As unë nuk bëjë përjashtim!

Vazhdimi i fushatës apo fillimi i mashtrimeve të reja: Fushat po vazhdon sikur të ishte në kohën e zgjedhjeve të fundit. Premtimet janë të mëdha dhe të pabesueshme sepse janë të prealizueshme.

Ka një ndryshim kur Albini e ka shpërfaqur një talent për të cilin nuk kam pasur informacione se e ka, ate të shkrimit të rimuar si haiki apo tekste për reperë por tani në shërbim të votave dhe të partisë.

Nëse Bob Dilani e ka fituar shpërblimin Nobel për poezi të shërbim të muzikës, pse Albini nuk do ta fitonte këtë çmim për poezi në shërbim të politikës. Duke shkruar romane Ismail Kadresë nuk i ndezi ta fitojë këtë çmim.

Recitimet politike të Albinit janë risi e këtyre zgjedhjeve dhe pranohen për vesh, sidomos për ata që duan të jenë ata që nuk janë e që është lajt motiv i vjershave politike të Albinit. Mua, kjo mënyrë e komunikimit me votues më pëlqen dhe dallon nga përsëritjet e ashtëzuara të liderëve tjerë që nuk kanë kreativitet dhe imagjinatë. Me një fjalë, nuk kanë shpirt poetik.

Albini i ka përgjithësuar dhe përditësuar  vlerat poetike dhe intelektuale të Majakovskit, Pablo Nerudës dhe Gabriel Garsia Lorkës që përmes poezisë politike – erotike, të mbledhë sa më shumë vota për partinë që e udhëheq.

Besoj se do të ketë sukses. Edhe për veshin, më të pavesh, ky fjalor është më i këndshëm dhe më i pranueshëm se fjalori që e përdorën disa dhunues të fjalës dhe të artit në LV. Ta shohim se sa do të zgjasë ky ndryshim revolucionar i ndryshimit të fjalorit!

Vetëm një politikani i besoj për ofertën që e ka bërë: Të gjithë politikanët po dalin me oferta të stërpërsëritura, të ricikluara. Vetëm njëri ka dalë me një ofertë konkrete, shumë konkrete drejtuar një dhëndrri të Kosovës.

Oferta e Zafirit për dhëndrrin e Kosovës ishte që ky i fundit t’ia bëjë një shërbim të natyrës zbukuruese e që bëhen në sallonet e zbukurimeve kurse përpara, në kohën e Ali Bungut ishin bërë në rrojtore, t’ia bëjë depilimin (rruarjen) e disa pjesëve të trupit.

Zafiri ështi sikur Neroni i cili për frymëzim poetik i vuri flakën Romës kurse Zafa për mirëmbajtje të higjienës trupore dhe estetikës bënë oferta konkret. Nuk është kjo ofertë dhe  premtim sa për të fituar por se Zafa e ka zbatuar në praktikë parimin e reciproritetit.

A i bënë ende 70: Të mençurit thonë e të pamençurit nuk besojnë se askujt asgjë nuk i mbetet për atë botë, parajsë apo ferr qoftë. Shpendi me kompaninë politike ia dorëzoi në prokurori 70 dosje kundër Isa Mustafës. Tash po i kthehet Shpendit si bumerang nga PDK. Athua sa u bënë, 70-të apo  më tepër ?! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)