A do të përfundoj ndonjëher tranzicioni në Kosovë
“Shërbeju njerëzimit për kënaqësinë e Krijuesit”. Është një thënie kuranore me porosinë më të qartë për atë kohë, por edhe për ditët e sotme, veçanërisht në Kosovë.
Modernizimi i shpejtuar në Kosovë po nxjerr në sipërfaqe një varg të metash të shoqërisë në përgjithësi. Asaj i mungonte edukimi për të kaluar nga faza e jetesës tradicionale për të kaluar në moderne.
Transferimi në mes të dy këtyre kulturave në formë të shpejtuar ka krijuar krizë identiteti. Shoqëria fare leht u çlirua nga identiteti i saj për t’u futur në një batak të thellë.
Shoqëria është larguar nga vlerat e saja të vërteta duke prodhuar krizë shpirtërore e të karakterit e që për pasojë të ketë rënien e besueshmërisë së elitave politike shoqërore.
Modernizimi është e vërtetë që si model të ketë zhvillimin e individit por jo edhe harmoninë e zhvillimit të shoqërisë.
Edhe pse ky modernizim i shpejtuar në Kosovë të ketë si model zhvillimin e njeriut, ai në praktikë, individët i ka bërë të vetmuar me problemet e veta.
Sot sikur më parë munguan solidariteti dhe bashkëpunimi, mungon rruga e organizimit publik rreth veprave të mira të të gjithë njerëzimit si humanizmi, drejtësia, toleranca që dikur e karakterizon këtë popull.
Është krijuar atmosferë e pakuptimtë e konfliktit në mes individëve e shoqërisë si tërësi në vend të mbizotërimit të dialogut dhe demokracisë së diskutimeve.
Kosova si asnjëherë më parë e ka nevojën e nxjerrjes në pah si elitë të njerëzve të virtytshëm, të cilët me modestinë, respektin dhe punën e tyre i rikthehen ndërthurjes dialoguese të krijimit të urës së kapërcimit gradual në mes tradicionale e modernes.
Qytetërimi modern në përgjithësi, por edhe ai i shpejtuari në Kosovë ndjehet i etur për një model të tillë të njeriut, i cili zhvillohet në mes të bashkëpunimit të tradicionales me modernen.
Njeriut i cili edukohet dhe edukon në këtë frymë. Praktikës bashkëkohore dhe traditës kombëtare po i mungon ndërlidhja zhvilluese dhe e tillë si është, është shndërruar në një imazh të së keqes.
Në gjithë këtë mes të zhvillimeve të shoqërisë, përkatësisht transformimit të shpejtë të saj, si zgjedhje mendoj të jetë pikëpamja e synimit për të ndërtuar e modernizuar shtetin social, duke u ndërlidhur edhe me konceptin e shoqërisë për të qenë shprehje e qytetarisë sociale.
Rishpërndarja e të mirave publike që ofron shteti duke përfshirë edhe rishpërndarjen sa më të drejtë të të ardhurave padyshim që është detyra parësore e këtij njeriu apo grupimi.
Kështu në këtë mënyrë krijohen baza për të pasur një qytetari të përbashkët me të drejta dhe përgjegjësi nga të gjithë dhe për të gjithë. Kështu zhvillohet shoqëria por edhe krijohet stabiliteti i saj, duke e përfshirë edhe stabilitetin politikë.
Është koha që ky modernizim i kapitalizmit të shpejtuar të humanizohet para se gjithash në vlerat tradicionale.
Është koha që në Kosovë të bëhet kapërcimi i skepticizmit dhe mosbesimit të qytetarëve lidhur me veprimtarinë qeveritare dhe të politikës në përgjithësi.
Shoqëria në Kosovë duhet të i rikthehet origjinës së saj, për të ecur më pas gradualisht dhe krahas edukimit drejt modernes.
Politikanët e sotëm duhet të jenë modest e jo arrogant duke dëshmuar se pozita që kanë, por edhe pasuria e dituria janë gjëra që i rrisin ne sy të popullit, por nuk do të duhej të ndryshojnë në karakterin e tyre.