24 Dhjetor 2024

A dështoi edhe një herë ndarja e Kosovës

Shkruar nga Gani Qarri

A shpëtoi edhe një herë Kosova nga ndarja, apo opinioni i brendshëm dhe trysnitë e forta të miqve ndërkombëtar,bënë që Hashim Thaçi të thyej "Besën" e dhënë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në flirt-takimet e tyre të shpeshta, e sidomos atij në Alpbach të Austrisë , ku duket se Thaçi i kishte garantuar Vuçiqit (edhe me një marrëveshje private dhe nënshkrimin e tij personal) marrjen e Veriut të Kosovës dhe premtuar se (pas vizatimit të disa shenjave për ridizajnime kufitare në veri) Serbia që tani, ende pa ndryshuar kufijtë shtetëror , mund të fillonte me investimet e veta të gjera dhe shtrirjen e projekteve të saj të mëdha kapitale që në UJMAN (“Gazivodë").

Ndaj presidenti Vuçiq, nuk pati forcë ta kapërdijë “tradhtinë” e "madhe", të cilën papritmas i bëri homologu shumëvjeçar, dhe me gjithë udhëtimin në Bruksel, pranojë të takohej "vetëm" me zonjën Mogherini por jo edhe me bashkë-ortakun e tij, për ndarjen e Kosovës, Hashim Thaçin.

Kjo edhe për shkakun se dështoi edhe një nismë grandioze hegjemoniste e vet Aleksandër Vuçiqiti,i cili sipas mediave të Beogradit, në vizitën që planifikon ti bëjë Kosovës, kishte paraparë të merrte me vete dhjetëra apo edhe qindra investitor nga e gjithë treva serbishtfolëse, nëse jo edhe nga Rusia, duke përjashtuar kësaj radhe vetëm shtetin kinez, që të shihnin vendet ku duhej të investonin, duke nisur pikësëpari me Investimet Kapitale pikërisht në UJMANIN tonë, për tu shtrirë pastaj, nga Mitrovica veriore deri në katër minierat e Albanikut, në fund të kufijve aktual të shtetit të Kosovës të njohur dhe pranuar edhe ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve anëtare të OKB-s.

Ndaj i vetmi argument që në këto momente mund të na lehtësoj të paktën përkohësisht frymëmarrjen, mbetet shpresa se vërtetë, këtë herë, as pas kulisave, nuk pati takim konspirativ, vetëm ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Kjo edhe për faktin se me gjithë që opozita fillimisht dërgojë sinjale të “forta” se është e bashkuar, i ka të siguruar votat e nevojshme dhe mbetet e vendosur që të mos tërhiqet nga qëndrimi i saj për nxjerrjen e një rezolute, e cila do t`ia ndalonte Hashim Thaçit pazaret e mëtejshme për shitjen e territoreve të Kosovës, ajo sërish jo vetëm se u turpërua keq,por dëshpëroi të gjithë shqiptarët dhe mbi të gjitha dështoi vet, më thellë se sa mund ta ketë pritur.

Interesat e ndryshme politike pozitë-opozitë, bënë që sërish të mos arrihet marrëveshje dhe të dështoi e ri-dështoi, disa herë me radhë edhe Kuvendi i Kosovës, për të arritur një qëndrim të unifikuar politik dhe ndaluar presidentin e Kosovës që të negociojë kokë më vete, si dhe bëjë pazare misterioze mbi territorin e vendit tonë, me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. 

Për fat të mirë, përkundër dështimit të turpshëm të partive politike, reagimet e shumta nga të gjitha anët, brenda dhe jashtë vendit, bënë që Hashim Thaçi të tërhiqet qoftë edhe pjesërisht nga tendencat e tij aventureske, dhe ndryshojë përsëri taktikën e veprimit, megjithëse përderisa Thaçi të mos shkarkohet nga të gjitha pozitat në pushtet, rritet droja, se ndarjen e Kosovës ai do të përpiqet sërish ta realizojë përmes demarkimit mashtrues të kufirit, e që në fakt, është i njëjti paketim por vetëm i ambalazhuar pak më ndryshe, që në emër të demarkacionit të kufirit me Serbinë, gjithsesi ta arrijë, ndarjen e shtetit të Kosovës.

Hashim Thaçi, me qëndrimet e tij groteske, veprimet dhe deklaratat e përditshme të frikshme mbi të ardhmen e shtetit tonë të brishtë, po dëshmon hapur, se njëjtë siç ia fali Malit të Zi mbi 8300 hektarë tokë, ai do t`ia “fale” po ashtu edhe Serbisë 1/3 e territorit të Kosovës, pa dashur t`ia dijë as për ndalimin që i bën Kushtetuta e Republikës ndarjes së vendit, as për Kodin Penal që përjashton çfarëdo lloj diskutimi mbi ndarjen e territorit të shtetit tonë sovran dhe të pavarur, në kufijtë që tanimë na kanë njohur dhe pranuar, shtet të pavarur mese 116 vende të botës.

Megjithëse, pazaret për tregtimin e territoreve të Kosovës, si gjithnjë deri më tani, vazhdimisht Thaçi i bënë në mënyrë sekrete, larg syve të opinionit, me mashtrime dhe pa asnjë lloj transparence ,direkt me Aleksandër Vuqiqin e Serbisë,çuditë fakti se si as pas dështimit për miratimin e rezolutës së premtuar, deputetet e Kuvendit nuk kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese dhe drejtësia sado e gjymtë kosovare, që të paktën ato,të hetojnë veprimet e presidentit aventurier, përderisa ka aq argumente të bollshme për shkeljet e tij flagrante që në vazhdimësi dhe pandalshëm ai është duke i bërë në dëm të Kosovës.  

Për aq më tepër edhe vet opozita, përkundër faktit që sheh çdo ditë se si po sillet kreu i shtetit, i frikësuar nga Gjykata Speciale, nuk po arrin të dalë me asnjë zgjidhje dhe ndërmarrë veprime ligjore e kushtetuese që do ta ndalonin Thaçin në aventurat e tij, kur dihet se ai mund të zmbrapset vetëm nëse konfrontohet edhe praktikisht me rrezikun nga padia e kallëzimit penal, për tradhti kombëtare ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

Madje opozita e çakorduar, ka mbetur duke shtyrë kohën, me ëndrrën se në fillim të sesionit vjeshtor, përmes bllokadës së punës së kuvendit, do të arrijë ta thellojë krizën institucionale, sa që të imponojë rrëzimin e qeverisë, ndoshta për të bërë kështu edhe ndërprerjen e bisedimeve, dhe dyryro zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që për momentin mbetet pikëpyetje, për faktin e ditur botërisht, se një pjesë e opozitarëve janë thellësisht të shantazhuar nga SHIK-u dhe vet presidenti Thaçi. 

Kështu që, duke shfrytëzuar mungesën e konsensusit politik, për ndalimin e tij, Hashim Thaçi është hedhur edhe një herë me hov dhe tërë qenien e tij në aventurën më të re, për copëtimin e Kosovës, nën përkujdesjen e bashkëpunëtorit të Stanishiqit dhe BIA-s, si dhe zëdhënësit të vet, Baton Haxhiu, me "ëmbëlsimin" UDB-asho-stalinist, të ndarjes në TV-në e Shkëlqim Devollit, të cilit Thaçi prej momentit kur e mori pushtetin qendror ua dhuroi qindra miliona euro, përmes monopolit kriminal të homologimit, licencave të pafundme, faljen e MVNO-së, Z-MOBILE e shumë çka tjetër kriminale në favor të kompanisë më të kriminalizuar në vend, të vëllezërve Devolli. 

Ndaj, përderisa Hashim Thaçi nuk jep asnjë detaj se çka, në të vërtetë është duke u marrë vesh në prapaskenë dhe fshehurazi me Vuçiqin, këtë po e bën në mënyrë të rafinuar dhe pjesë-pjesë, zëdhënësi dhe arkitekti i tij mediatik Baton Haxhiu, i cili tanimë ka zhveshur tërësisht maskën e spiunit të Serbisë dhe propagon hapur projektin serb, për ndarjen e Kosovës, pas së cilës nuk fshihet më vetëm "djalli", por vet marrëveshja konspirative për shitjen dhe tjetërsimin e territoreve të Kosovës, të arritur kohë më parë, fshehurazi në mes të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit me ndërmjetësimin e Edvin Kristaq Ramës dhe agjentit të UDB-s, Baton Haxhiut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)