9 Maji, dita e fitores kundër fashizmit
Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje!
Sot është 9 Maji, dita e Evropës. Që nga pavarësimi i Kosovës kjo ditë është zyrtarizuar si festë edhe në Kosovë, si dita e Evropës.
Më 9 Maj të vitit 1950 ish ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalli për herë të parë idenë e tij të bashkimit të industrive të thëngjillit dhe çelikut në mes të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës, gjë që dërgoi në themelimin e Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut.
Ky ishte institucioni i parë i asaj që më vonë mori formën e Komunitetit Ekonomik Evropian, që evoluoi pastaj në Bashkimin Evropian.
Por kjo ditë e ka edhe një rëndësi tjetër, atë të fitores mbi fashizmin në Evropë. Është dita e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist, dhe dita e çlirimit të popujve të Evropës nga shtypja fashiste e militariste e Boshtit. Evropa e shteteve të pavarura e sovrane nuk do të kishte qenë e mundur pa këtë fitore mbi fashizmin. E pa këtë fitore nuk do të kishte qenë i mundur as Bashkimi Evropian si bashkim i lirë dhe i vullnetshëm shtetesh.
Pra 9 Maji për Evropën është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër. 9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër perandorisë e imponimit nga jashtë.
Por kjo nuk ndodhi në tërë Evropën. Përkundër kësaj fitoreje mbi fashizmin, gjysma e shqiptarëve u ballafaquan me një pushtim tjetër, atë të Serbisë dhe Jugosllavisë të veshura tash me petkun e ri.
Ky fashizëm dhe pushtim na ndoqi në forma dhe përmasa të ndryshme deri në fund të shekullit dhe vazhdon të na ndjek edhe sot.
Pushtimi mbi shqiptarët dhe përcaktimi politik për ta vazhduar këtë edhe sot në një formë të re e bën Serbinë dhe klikën politike të saj një model i ri fashizmit, që e synon territorin dhe planifikon zhdukjen e popullatës shumicë në të.
Sikur që prapa krimeve të Hitlerit fshihet dëshira për më shumë hapësirë dhe resurse për kombin superior gjerman, ashtu edhe prapa politikës së ekspansionit territorial dhe tash të kontrollit politik të udhëhequr nga Serbia, fshihet dëshira për kontroll më të madh të resurseve ekonomike dhe territorit, pa njerëzit që jetojnë në to. Pra është politikë e shtypjes dhe eksploatimit.
Ky 9 maj e gjen Serbinë të udhëhequr nga koalicioni fashist i vitit 1999, me status të kandidatit dhe para fitimit të datës së negociatave për integrim në BE, ndërsa Kosovën, si viktimë të këtij fashizmi e gjen të izoluar në geto, me gjysmë procese të integrimit. Prandaj mesazhi i 9 majit nuk e gjen zbatimin e vetë në Kosovë.
Fitorja kundër fashizmit duhet të jetë e plotë. Pa fitoren përfundimtare kundër tij, fashizmi, mbase edhe i reformuar, do të kthehet, në dëm të paqes, lirisë, barazisë e progresit. Nuk ka liri universale pa aplikim të saj universalisht, pa qenë secili popull i lirë.
Nuk ka barazi universale pa qenë secila shoqëri e barabartë, mes vete dhe me të tjerët. Jehona e 9 Majit, sikur ajo e fitores kundër fashizmit, por edhe ajo e bashkëpunimit mes të barabartëve, e komunitetit, duhet të jetë e dëgjuar në formën e vet të kulluar e jo e shtrembëruar siç po e shohim sot në disa raste.
Dialogu si vlerë që po na shitet sot në Evropë në raport me Serbinë, nuk ka qenë e menduar e as e zbatuar kurrë më parë në formën kësaj që po aplikohet në Kosovë, si dialog mes të pabarabartëve, si dialog me pushtuesin, dhe si mjet për koncesione ndaj pushtuesit, drejt apetiteve të tij eksploatuese.
Më 9 Maj, Schuman nuk tha që do tia japim nën kontroll resurset tona Gjermanisë, apo se duam ti marrim nën kontroll resurset e saj.
Njohja e pranimi reciprok si dhe fundi i çfarëdo aspirate hegjemoniste ishin tashmë aty, prandaj vetëm më pas Schuman tha që duam të bashkëpunojmë si të barabartë, vullnet lirë dhe në interes të të dyja palëve.
Më 9 Maj 1945, i konfirmuar pastaj më 9 Maj 1950, parimi politik ishte i qartë: Evropa do të jetë Evropë e barazisë ose nuk do të jetë.