8 Marsi - Dita Ndërkombëtare e Gruas
Shkruar nga Bahri Curri
Prej gjërave, me të cilat muslimanët sot po u përgjasojnë jomuslimanëve është edhe caktimi i festave të reja, të cilat mund ti nënshtrohen ndryshimit në çdo çast.
Është e qartë, ngase ato janë të vendosura nga njerëzit, e jo nga Allahu, dhe kjo sipas shijes së çdo vendi e nganjëherë edhe me marrëveshje ndërkombëtare.
Disa shtete caktojnë data si festë me rastin e revolucioneve apo pavarësimit. Pas ndërrimit të pushtetit ndërrohen edhe këto festa, për shkak të revolucionit të ri apo pushtetit të ri dhe në histori e fusin një datë tjetër festive duke e anuluar të vjetrën.
Kjo shkakton që edhe ti humb vlera e festave, për arsye se për çdo send caktojnë festa sa edhe njerëzit janë mërzitur prej tyre, e aq më tepër kur kjo bëhet vetëm nga interesi i një grupi të caktuar.
Për këtë dhe dallojnë festat prej një vendi në një vend tjetër duke pasur parasysh bindjet dhe ideologjitë e tyre.
Disa prej tyre janë zyrtare, sa dhe është ditë pushimi nëpër punë, shkolla, administratë etj., e disa të tjera jo. Disa kanë të bëjnë me grupe a komunitete të caktuara.
Prej këtyre festave kemi: 8 Marsin-Dita Ndërkombëtare e Gruas, 1 Majin-Dita e Punëtorëve, 14 Shkurtin-(Shën Valentini) Dita e të Dashuruarve, Dita e Fitores, Dita e Çlirimit, Dita e Diturisë, Dita e Studentit, Dita e Partisë, Dita e Kushtetutës etj. Gati të gjitha vendet e kanë një festë të ngjashme, e ajo është Dita e Pavarësisë dhe Festat Kombëtare.
Disave prej këtyre festave u jepet rëndësi e veçantë sa dhe botohen e filmohen derisa njerëzit të mësohen me to. Mos të flasim për vendet joislame, të cilat kanë përplotë festa të këtilla, por fatkeqësisht një dukuri e tillë ka filluar të hetohet edhe në vendet islame apo në mjediset ku banojnë muslimanët.
Ne e dimë se në Islam kanë bazë vetëm dy festa brenda vitit: Festa e Fitër Bajramit dhe Festa e Kurban Bajramit, duke ia shtuar edhe festën javore: Ditën e xhumasë (e premte). Atëherë kush i shpiku të tjerat?! Allahu thotë:
A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?! (Shura: 21)
Ska dyshim se të gjitha këto festa dhe format e tyre nuk kanë bazë në Islam, por janë pjellë e mendjes njerëzore!
Prej këtyre festave siç e cekëm edhe më lart është edhe 8 marsi. Çfarë është dhe si lindi ideja për këtë ditë?
Ideja e Ditës Ndërkombëtare të Gruas e ka zanafillën më 8 mars 1857, kur disa gra punonin në fabrikat e tekstilit në Nju Jork, në SHBA, bënë një protestë kundër kushteve jonjerëzore të punës dhe pagave të ulëta.
Më 8 mars 1908, 15000 gra marshuan në Nju Jork duke kërkuar më pak orë pune, pagë më të mirë, të drejtë vote dhe fundin e punës fëmijërore.
Më 8 mars në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër në vitin 1911 u shënua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Në dhjetor të viti 1977, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara adoptoi një rezolutë për ta shpallur 8 marsin si Dita e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Gruas dhe për Paqen Ndërkombëtare.
Por, a jetojnë me të vërtetë sot gratë e botës në paqe dhe a i gëzojnë të drejtat e tyre? A ka mbetur diçka nga idealizmi i atyre ditëve? Nëse jo, siç na tregon realiteti i kohës, përse vallë shërben një ditë e tillë?
Apo vetëm të mashtrohen me nga një lule, e më pas të vazhdojë avazi i vjetër i maltretimit dhe përbuzjes së tyre? Apo ndoshta për të organizuar tubime e konferenca me fjalë boshe ku shpesh akuzohet edhe feja si pengesë e zhvillimit të gruas.
Në Islam një ditë e tillë nuk festohet, as miratohet, pasi Zoti i Madhëruar ka vendosur drejtësinë e duhur mes gjinive, siç përmendet edhe në Kuran:
Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe obligimet e përgjegjësitë, sipas asaj që është e drejtë! (Bekare: 228)