7 shtator i njëjtë, në vite të ndryshme
Shkruar nga Arsim Bajrami dhe Florent Muçaj
Të gjithë mund të pyesin për nga kureshtja fillestare për titullin e kësaj kolumne! Natyrisht që titulli duket paska interesant, por ka në vete një simbolikë historike: lidhet me dy momente kyçe të shtetëkrijimit të Republikës së Kosovës. Do të thoshim fillimin dhe fundin e kompletimit të shtetit dhe shtetësisë të Kosovës.
Momenti i parë, 7 shtatori 1990. Sigurisht gjeneratave të kohës i kujtohet kjo ditë historike, në të cilën Kosova e asaj kohe përplasej për të ruajtur identitetin kombëtar e shtetëror; ditë kur Kosova përjetonte efektet e shprehjes së famshme të jesh apo të mos jesh... Është kjo data historike kur edhe u miratua Kushtetuta e parë e Kosovës në historinë e ekzistimit të shtetit dhe njëherësh momenti kur filloi të ndërtohej shteti të cilin e gëzojmë sot.
Dikur, me 7 shtator, shteti të cilin sot e kemi, për shumëkënd është dukur një fantom, një diçka inekzistente dhe e paarritshme, një diçka që mund të shihej vetëm në ëndërr dhe askund tjetër. Por, ku jemi sot?
Sot jemi me shtet të krijuar, shtet që po zhvillohet e po rritet çdo ditë e më shumë. 7 shtatori 1990, përveç kësaj shumëkujt i kujton skenat e shtetrrethimit, dhunës e agresionit serb ndaj shqiptarëve. I kujton ndjenjën e tmerrit dhe frikës nga terrori, e shumë gjëra të tjera!
Në kohën kur Jugosllavia përpëlitej për ta shpëtuar kokën në një luftë gladiatorësh, luftë kjo që po e shndërronte Kosovën në betejën kryesore të saj, disa burra dhe gra në Kaçanik ndërmorën hapin jetik për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej: identitetin e kombit dhe shtetit. Ky veprim dikujt mund ti duket jo fort i rëndësishëm, por ata që e kanë ndjerë e dinë me së miri si e kanë përjetuar. Vetëm të kujtojmë vargjet e këngës: Kaçanikut i raft pika nuk e diti çka është frika.
Ky moment në aspektin juridik dhe politik mund të cilësohet si momenti i parë serioz që shënonte nisjen drejt vënies së themeleve të shtetit, drejt krijimit dhe mbrojtjes së identitetit dhe vullnetit për të vetëvendosur. Vështruar nga perspektiva se si duket sot, të gjithë burrat dhe gratë që miratuan e hartuan këtë akt historik që mban vulën e 7 shtatorit, meritojnë falënderim dhe mirënjohje të veçantë. Sepse,l të parët nisën vënien e themelit të fortë juridik, për një shtet po aq të fortë.
Kushtetuta e Kaçanikut ishte shprehja e vullnetit të delegatëve që votuan për ripozicionim në kuadër të ish-Jugosllavisë; ishte kjo kërkesa më e nevojshme dhe më e arsyeshme që mund të bëhej në atë moment. Kjo u bë, por në kushte të sakrificës, nën përballjen e dhunës dhe presionit të atyre që nuk dëshironin që kjo të bëhej. Kryevepra e nisjes së vendosjes së gur themelit të parë Juridik të shtetit të Kosovës u shoqërua dhe u bë një ogur i fuqishëm drejt vazhdimit të rrugës për të krijuar e ndërtuar shtetin.
Nga ky veprim pastaj rezultojë krijimi i Republikës dhe i Institucioneve të shtetit të Kosovës të viteve të 90. Shtrohet pyetja: çfarë ishte 7 shtatori 1990? Natyrisht një 7 shtator i fitores, edhe pse nuk dukej kështu; një 7 shtator i festës edhe pse nuk përngjante në festë, por në diçka tjetër! Një arsye tjetër që ky 7 shtator të quhet festiv është edhe fakti se i njëjti u bë udhërrëfyes në rrugën që Kosova ishte nisur dhe nuk mund të mohohet fakti se kjo datë ishte një kthesë vendimtare në kontekstin e krijimit të shtetit dhe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e krijimit të shtetit (gjurmë këto që po na përcjellin edhe sot).
Rruga e nisur me 7 shtator 1990 vazhdoi, por vetëm me një ndërrim rolesh dhe aktorësh. Në këtë rrugë që qoi në krijimin e shtetit, nuk mund të harrohet ideatori i parë i Republikës së Kosovës, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova; në këtë rrugë nuk mund të harrohet simboli i shtetit dhe kombit, Komandanti Legjendar Adem Jashari; nuk mund të harrohen bijtë dhe bijat e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës; bijtë dhe bijat që u flijuan për lirinë e vendit! Të gjithë këtyre populli dhe kombi u ka borxh, për faktin që vazhduan luftën për të krijuar shtetin. Shikuar nga pozicioni si duket sot, një falënderim për rolin e veçantë i takon edhe bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, që e shndërruan Kosovën në një tregim të suksesit dhe që atë që e kishin ëndërruar breza të tërë, ndihmuan ta bënim realitet.
Ku jemi sot më 7 shtator?
Si për koincidencë në këtë datë, por në një vit tjetër, ne po festojmë, por në një mënyrë tjetër, jo ashtu siç kemi festuar me 7 shtator1990. Kjo sështë fort me rëndësi, se të dyja janë ditë feste! Derisa atëherë po festonim përpjekjet për të krijuar embrionet e shtetit, sot po festojmë kompletimin e shtetit.
Pikërisht sot, me 7 shtator 2012, Kosova gjendet në vigjilje të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Pra, gjendet në finalizim të shtetkrijimit që ishte nisur atëherë. Pikërisht sot votohen ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë një përfundim të tillë të pavarësisë, përderisa atëherë votohej Kushtetuta dhe amendamentet e saj për krijimin e një shteti në rrethana të tjera. Jo më kot e thamë më lartë së njëra nga këto data paraqet fillimin, kurse tjetri fundin e shtetëkrijimit, sidomos në aspektin juridik e kushtetues.
Siç dihet, shpallja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008, ishte rezultat i përpjekjeve historike. Por, Kosova pas katër viteve të ekzistimit, si shtetet i pavarur dhe sovran, u shndërrua në një faktor stabiliteti dhe paqeje në Ballkan e më gjerë. Natyrisht, rruga e ndërtimit të shtetit nuk ishte edhe aq e lehtë. Për këtë u deshën dekada, e një gjë të tillë e dëshmojnë diferencat 7 shtator 1990 dhe 7 shtator 2012!
E rëndësishme është që Kosova sot po feston përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, faktor ky që e kishte lënë Kosovën si një shtet ekzistent, por me nevoja për përkujdesje. Interesant të analizohet ky proces ciklik: dikur luftonim për të bërë një shtet, pastaj bëmë shtetin, që mbeti nën përkujdesjen e faktorëve ndërkombëtare, dhe tani po e bëjmë shtetin e plotë pa nevojë që dikush të kujdeset për të.
Natyrisht se kjo datë duhet të shënohet si festë e madhe dhe si një kthesë, sikur ishte 7 shtatori dikur, sepse Republika e Kosovës për një kohë kaq të shkurtër po i dëshmon faktorit ndërkombëtar që është e aftë të kujdeset për vetveten dhe nuk ka nevojë për mbikëqyrje të askujt. Sot po festojmë fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, siç kemi festuar dikur me 7 shtator dikur.
Pavarësisht kësaj, ne, në vend të festës dhe euforisë, duhet të jemi koshient për rrugën që e pret Republikën e Kosovës në të ardhmen; për sfidat që e presin në këtë rrugë, drejt zhvillimit për një të ardhme sa më të sigurt për qytetarët e saj. Këtë datë të rëndësishme përveçse po e festojmë me dy motive, po e festojmë me një motiv më të veçantë: po e festojmë në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Kjo edhe njëherë dëshmon rezultatin e përpjekjeve për synimet epokale për të krijuar e ndërtuar shtet dhe për këtë të gjithë duhet të jemi krenar.
Urime të gjithë popullit të Kosovës 7 shtatorin, ditën e Kushtetutës së Kaçanikut. Urime të gjithë popullit të Kosovës përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Urime shtetas të Republikës së Kosovës për këtë fitore të madhe. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
/Prof. Dr. Arsim Bajrami është njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut dhe udhëheqës i reformës kushtetuese dhe ligjore për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtarë të pavarësisë. Ma. sc. Florent Muçaj është pjesëmarrës në reformën kushtetuese dhe ligjore për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë/