21 vjet ankth
Shkurar nga Endrit Binakaj
(Masakra e Belegut 29 mars 1999)
Ishte fundi i marsit të vitit 1999, kur Kosova po përjetonte ngjarjet më të tmerrshme që i kishin ndodhur njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Bota e civilizuar tashmë po shkelte në Mileniumin e Ri, një etapë që po hapte varre të reja në Ballkan, regjion gjeografikisht dhe historikisht arenë luftimi i fuqive dhe perandorive të mëdha të kohës.
Si një fëmijë i lindur i viteve 90’ kisha fatin e keq dhe ndoshta edhe të “mirë” të përjetoja këtë katrahurë luftrash, torturash e vrasjesh.
Fati i keq i çdo fëmije të lindur në këtë përiudhë është se askush nuk e dëshiron një luftë apo masakër t’i regjistrohet në shirtitin e memories për gjithë jetën, e për fatin e mirë, kështu kushtimisht ta quaj, ngase secili nga ne tashmë brezave që vijnë do ua transmetojmë vlerën e lirisë, ajo mund të lexohet vetëm si fjalë por kurrë nuk mund ta ndjesh nga brenda konceptin liri, pa qenë, i vrarë, i masakruar i robëruar dhe i torturuar.
E hëna e 29 marsit 1999 (atëbotë isha vetëm 9 vjeçar), do jetojë përjetësisht në memorien dhe qënien time dhe familjarëve të mi dhe gjithë atyre që kishin përjetuar këtë ferr të vërtetë në Beleg, vendin tim të lindjes.
Ishte një ofensivë e pa mëshirë e njësiteve çetnike dhe paramilitare serbe, nuk po kursenin asgjë që iu dilte përpara. Ishin futur brenda shtëpive në pjesën e poshtme të fshatit Beleg, ku ekzekutuan para familjarëve Naim Vishaj, Daut Aliçkaj dhe Nezir Vishaj.
Kjo torturë vrasjesh zgjati gjatë gjithë ditës dhe natës së 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ditën kur edhe përfundimisht ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për tu ekzektuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.
Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin më veti për bijtë e tyre që nuk do i takonin më kurrë.
Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesije, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterrur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.
Ky është një përshkrim i vogël i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.
Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur.
Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakrër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.
Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.
Sot, 21 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra.
Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për ti qajtur, se per ti vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.
Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur mbi 1600 persona, shteti serb e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike, bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që ti bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.
Të mos ketë asnjë lloj marrëveshje me shtetin serb pa u zgjidhur njëherë e përgjithmonë fati i të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë.
Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëhërë nuk do te jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.
Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 21 vjet.
Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.
Të rënët në Masakrën e Belegut
Në masakrën e Belegut janë vrarë 46 civilë shqiptarë. Deri më tani, kur kanë kaluar plotë dy dekada nga momenti i këtij akti barbar i kryer nga forcat paramilitare serbe, janë të identifikuar këta persona:
SHAQË (Curr) BINAKAJ
HYSNI (Curr) BINAKAJ
NEZIR (Ibish)VISHAJ
NAIM (Daut) VISHAJ
DAUT (Murat) ALIÇKAJ
GËZIM (Selmon) VISHAJ
JETMIR (Arif) MAZREKAJ
QAZIM (Osë) HULAJ
SADRI (Adem) ZUKAJ
SHEFQET (Curr) BELEGU
SHABAN (Haxhi) KADRIAJ
ALI (Haxhi) KADRIAJ
ende nuk dihet se KU JANË:
ZYMER (Miftar) BINAKAJ
BRAHIM (Adem) ZUKAJ)
HAMID (Dervish) ZUKAJ
REXHEP (Lum) NEZIRAJ
FATON (Hasan) VISHAJ
FATMIR (Halil) VISHAJ
RAMË (Shaban) KILAJ
SADRI (Hajdar) VISHAJ
MUJË (Isuf) VISHAJ
MALË (Isuf) VISHAJ
ZENEL (Ukë) VISHAJ
HAZIR (Himë) ZUKAJ
SHABAN (Ramë) NITAJ
NEKË (Halil) BINAKAJ
HAJDAR (Hamëz) MAZREKAJ
ALI (Avdyl) MAZREKAJ
BASHKIM (Lush) HADERGJONAJ
AFRIM (Lush) HADERGJONAJ
XHEVDET (Bajram) HADERGJONAJ
MUHAMET (Bajram) HADERGJONAJ
MEHMET (Halil) TOLAJ
XHEVAT (Ukë) TOLAJ
MISIN (Hajdin) TOLAJ
ARIF (Haxhi) MAZREKAJ
ISA (Tahir) TOLAJ
SAHIT (Bekë) MAZREKAJ
Hasan (Sahit) MAZREKAJ
Sundim (Sahit) MAZREKAJ
Naim (Hysen) TOLAJ
Ragip (Osmon) MORINA
Beqir (Idriz) DERVISHAJ
Tafë (Bekë) DINAJ
Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
Haxhi (Shaban) KADRIAJ
(Autori është i mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)