23 Dhjetor 2024

2013, vit i Bashkimit Kombëtar, punës, shpresës dhe reflektimit

Shkruar nga Faik Krasniqi

Viti 2012 u karakterizua me shumë ngjarje skandaloze. Fillimi i bisedimeve me Serbinë, ku pati ndërprerje disa herë të këtyre bisedimeve dhe nënshkrimi i shumë marrëveshjeve në dëm të Kosovës, si p.sh. doganat etj.

Aktakuza e ngritur dhe arrestimi nga ana e EULEXI-it për gjoja krime lufte ndaj heroit të luftës dhe deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj. Skandali i pasaportave biometrike - të përfshirë disa persona, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët në bashkëpunim me shtetasen gjermane Natalije Velija (e cila vazhdon akoma të mbahet në burg) kishin vjedhur 1.4 milion euro.

Një ndër skandalet më të turpshme që tronditën mbarë opinionin shqiptar, ishte ai i përgjimeve nga ana e EULEXI-it në të cilën ishin të përfshirë zyrtarët e PDK-së, Kryeministri Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Vlora Çitaku, Kadri Veseli dhe Sami Lushtaku. Objekt i sharjeve, ofendimeve dhe talljeve ishte kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Pas gjithë këtyre skandaleve që ndodhën gjatë vitit 2012 nga politikanët tanë të kriminalizuar, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe aventurier, ne qytetarët e stërlodhur të Kosovës duam sa më shpejt të harrojmë vitin që po e lëmë pas dhe të shpresojmë se viti 2013 do të jetë shumë më i mirë se ky vit.

Ka ardhur koha e duhur që të reflektojmë dhe t’i tregojmë Evropës dhe gjithë Botës se Bashkimi Kombëtar nuk bëhet në dëm të ndokujt. Bashkimi bëhet për interes të shqiptarëve dhe është punë që duhet të përkrahet. Bashkimi është çështje natyrale, shoqërore, fisnike, e mirë, pozitive dhe është në favor të Ballkanit dhe Evropës.

Bashkimi i shqiptarëve si e drejtë natyrale do të ndodhë dhe duhet të ndodhë sa më parë. Kemi një gjuhë, një flamur, një gjak dhe një emër, jemi një!

Shqiptarët e të gjitha trojeve etnike shqiptare duhet të bashkohen dhe të kenë një shtet, një qeveri, një parlament, një president, një kryeministër, një ushtri, një ligë, një kombëtare dhe si përfundim, shqiptarët do të quhen shqiptarë dhe jo më \'\'kosovarë\'\', \'\'maqedonas\'\' e tetovarë, \'\'çamë\'\', \'\'malazezë\'\' etj. Pra, të gjithë do prezantohen në botë si \'\'albanian people\'\' (komb shqiptar).

Bashkimi është një gjë e cila do të ndodhë patjetër. Është vetëm pyetje kohe, edhe pse mendoj se do të kaloj një kohë pak si e gjatë! Shqipëria duhet të kthehet në formën e saj natyrale, prandaj edhe është natyrale që do të vijë bashkimi!

Ribashkimi i trojeve etnike shqiptare duhet të arrihet edhe me diplomaci, që për fat të keq na mungon si shtet dhe qeveri. Po nuk u ribashkuan Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore, Arbëria (Maqedonia), Malësia (Mali i Zi) dhe Çamëria, shqiptarët në Ballkan s\'kanë për të përparuar. Ribashkimi i Shqipërisë është e vetmja alternativë...!

Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm. Lufta kundër korrupsionit kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore.

Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë ndihma që duhet dhënë për t\'ju kthyer njerëzit tokës, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve.

Te sistemi i shkollimit duhet të bëhen investimet më të mëdha ngase aty është zhvillimi. Duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të dërguar vendin përpara.

Të bëjmë që ky vit që po vjen të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha, vit i kthesës së madhe, vit që do i jep fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë, të shikojmë përpara të marrim guximin të vejmë në lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qëllim ta bëjmë Shqipërinë natyrale, atdheun tonë, vend ku do mund të jetojmë me dinjitet!

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të \'\'ALEANCA KUQ E ZI\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)