23 Dhjetor 2024

100 vjetori i vdekjes së heroit të harruar

Shkruar nga Adrian Kamberi


Pikërisht sot, me 07 maresë 2013, behën 100 vjet nga martirizimi për fe e atdhe i Atë Luigj Palajt, fratit nga Janjeva, i cili shërbeu në Gllogjan të Pejës nga ku u burgos dhe u vra në Janosh të Gjakovës.

Është i çuditshëm fakti, aq sa i çuditshëm edhe i turpshëm, se si kjo figurë emblematike e rezistencës së shqiptarëve gjatë pushtimit serbo-malazias të viteve 1912-13, të zhytet kaq thellë në harresën e institucioneve dhe historianëve.

Apo ndoshta këto “institucione” me bartësit e tyre dhe këta “historian” të materializuar janë të prirë vetëm të ndërtojnë mite dhe të ngritin vetën në kurrizin e pa qenë të tyre. Rezistencës dhe gjaku i Atë Luigjit, në ato vite të tmerrshme të sundimit serbo-malazias benë që të ndërhynë fuqitë e mëdha evropiane në krye me Austro-Hungarinë dhe të ndërprenë gjenocidin që ushtrohej mbi shqiptaret Kosovës.

Shpeshherë për të nderuar veprën e figurave emblematike shqiptare që benë kthesa historike për kombin Shqiptar, duhet vetëm iniciativa vullnetare dhe rrallë herë janë institucionale!

Kush ishte Atë Luigj Palaj:

Shkëpus disa paragrafë nga Monografia ime në dorëshkrim, kushtuar fshatit Gllogjan, po ashtu edhe ky i harruar si Atë Luigji:

Atë Luigj Palaj, i njohur nga populli edhe si Atë Luigji, por edhe si Patër Luzi, ndërsa nga forcat serbo-malazeze si Patër Luigj Paliq, u lind në Janjevë (Kosovë), më 21 shkurt 1878. Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 23 shtator 1896, kur mori emrin Luigj Palaj.

U shugurua në Zym të Hasit, më 20 prill 1903, në Romë kreu studimet pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907 shërbeu famullitar në Ipeshkëvninë e Shkodrës. Më pas kaloi në Gjakovë (1907-1912), ku ishte emëruar rektor i shenjtërorit “Shën Antonit”.

Në fillim të vitit 1911 u caktua për ndihmës në famullinë e Pejës dhe kujdestar për Gllogjan e Zllakuqan. Ndërsa në vjeshtën e vonë e vitit 1911, frati arriti në Gllogjan, si misionar e ideolog kombëtar.

Ardhjen e tij e kishte pritur me entuziazëm të madh e mbarë famullia e Gllogjanit, e cila ishin rreshtuar në kolona për ta pritur këtë “atë të shenjte”, duke e trajtuar atë si shpëtimtar, e sepse dhuna dhe keqtrajtimi ndaj shqiptarëve s’kishin të ndalur. E gjithë famullia e Gllogjanit dhe e fshatrat përreth ishin bërë sy e veshë para fjalimit të tij...

Ditët kalonin, kurse Atë Luigji po zgjeronte veprimtarinë dhe po fillonte arsimin e popullatës së Lugut të Baranit, në tërësi, pa dallime fetare ose çfarëdo qofshin ato.

Ai, vërtet ishte i përkushtuar në punën e tij dhe një kundërshtar i madh i forcave serbo-malazeze. Shpeshherë banorët e Gllogjanit i kishin sugjeruar të largohej nga Gllogjani se po i kanosej një rrezik i madh, por ai ngulte këmbë çdo herë se nuk do të largohet i gjallë nga Gllogjani.

Përveç në arsimimi, dha një kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve e ngatërresave, duke mos e kursyer veten në asnjë moment, gjithnjë duke i dhënë rëndësi të madhe idealit kombëtar dhe fetar.

Pasi gjatë këtyre kohëve në Kosovë mbretëronte një situatë shumë e vështirë. Krahas luftës së shpërthyer në Ballkan, në këmbë ishin edhe xhandarët e Krajl Nikollës, të cilët kishin okupuar Kosovën dhe po mundoheshin me çdo mënyrë të shfarosnin popullin shqiptar, duke e përdorur thuajse metodën turke qe ishte aplikuar shumë vite më parë kundër shqiptareve.

Ishin këto mjete të ndryshme të dhunës, nga më brutalet, siç dinin t’i përdornin forcat serbomëdha dhe ato malaziase për shkombëtarizimin dhe serbizimin e viseve shqiptare.

Ato benë çmos për të detyruara popullsinë shqiptare të linte fenë myslimane dhe katolike dhe të përqafonin fenë ortodokse e të lidheshin me Kishën ortodokse serbe.

Atë Luigji që tash ishte bërë një person “non grata” për xhandarët, ai shpeshherë arrestohej e keqtrajtohej, por asnjëherë nuk zbehej qëndrimi dhe vizioni ti kombëtar dhe fetar shqiptar.
Më 5 mars të vitit 1913 nga Gllogjani niset në drejtim të Gjakovës.

Gjersa po udhëtonte për në Gjakove, ndalet nga xhandarët dhe burgoset serish, mbahet dy ditë i lidhur me rreth 300 persona të tjerë,  të cilët kishin kundërshtuar të konvertoheshin në fenë e pushtuesit. Pas dy ditësh qëndrim në atë burg, ku ishte rrahur e maltretuar në mënyrat më mizore, duke i kërkuar të konvertohej në fenë ortodokse, gjë që e kundërshtonte në çdo mënyrë, më 7 marsit të vitit 1913, Atë Luigji, së bashku me 80 persona që ishin në burg, i marrin dhe i nisin për në burgun e Pejës të lidhur dy nga dy.

Atë Luigji ishte i lidhur me Rexhep Sylën, (shqiptar i besimit mysliman). Rrugës duke ecur të zhveshur të zbathur, nëpër acar të madh, xhandarët i rrihnin pa mëshirë dhe kërkonin prej tyre të pranonin fenë ortodokse, nëse dëshirojnë t’i lirojnë! Atë Luigji kundërshtonte në çdo mënyrë dhe kërkonte nga të gjithë të burgosurit që të mos pranojnë një gjë të tillë, duke u thënë:

“O vllazen shyptarë, gjith ni dit kem me dek, pranaj mos ti bim moh fes se tpareve!\".Sa herë përsëriste këto fjale, Atë Luigji goditej me kamxhik nga xhandarët që po e shoqëronin.
Ata e godisni edhe me fort, por Atë Luigji nuk trembej e as nuk thyhej, duke refuzuar çdoherë.

Më pas tortura ndaj tij shkon deri në atë masë, saqë i prenë gishtërinjtë e dorës së djathtë, që të mos mund të kryqëzohej, siç kryqëzohen besimtarët katolikë, por siç kryqëzohen besimtarët ortodoks  me tre gishtërinj.

Pasi i prenë gishtërinjtë, kërkuan nga ai që t’i bindë besimtarët e burgosur me të që të pranojnë konvertimin, por edhe këtë e refuzoi.

Kur arrijnë në fshatin Janosh, ai i lodhur rrëzohet, ndërsa pranë Kronit të Janoshit sheh disa vajza, nga të cilat kërkon pak ujë.

Njëra nga vajzat merr guximin dhe i dërgon ujin. Xhandarët posa e shohin, i derdhin ujin dhe godasin vajzën me kamxhik dhe fillojnë ta tundojnë sërish fratin. Pastaj jo larg metra nga Kroi i Janoshti, xhandarët serbo-malazez ndajnë fratin nga turma e njerëzve dhe më pas dëgjohen të shtëna armësh.

Xhandarët kthehen dhe vazhdojnë të dërgojnë të burgosurit drejt burgut të Pejës. Ndërsa fratin e fusin në dhe, disa metra më poshtë dhe varrin ai mbulojnë me dushk, që të mos e gjejë askush. Përveç tyre, askush nuk dinte gjë për fatin e fratit. Më vonë, fjala merr dheun. Populli vihet në zi. Ishte kjo një vrasje që tronditi jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithë Evropën.

Emrin e Atë Luigjit, forcat serbo-malazeze kishin filluar ta njollosnin me anë të propagandës, kinse ai dëshironte të çojë popullin në kryengritje dhe po kundërshtonte vazhdimisht urdhrat e Krajl Nikollës, madje ata thoshin se atë ditë ka provuar të ikte, prandaj është vrarë! Me këto dhe shumë intriga e fjalë të tjera, të cilat nuk përkonin me realitetin, u munduan ta njollosnin emrin e tij dhe ta fshihnin krimin e tyre, edhe të vërtetën për Atë Luigj Palajn.

Ky lajm u përhap shpejt në qarqet diplomatike dhe kishte zënë vend në krye të faqeve të shtypit austriak, gjerman, italian dhe anglez.

Për zbardhjen e kësaj vrasjeje, në Gllogjan ishin bashkuar 12 shokë, bashkëpunëtorë, persona që ishin në burg me Atë Luigjin. Ata dëshmuan në Kishën e Gllogjanit që duke u betuar në Krisht e në Ungjill, për të treguar të vërtetën se çfarë kishte ndodhur. Po të njëjtit burra, këto dëshmi i kanë përsëritur edhe në vitin 1929 pra Imzot Lazër Mjedës, Atë Shtjefën Gjeçovit dhe para shumë priftërinjve dhe konsujve tjerë.

Marrëdhëniet ndërmjet faktorit ndërkombëtar, në veçanti Italisë dhe të Ausotro-Hungarisë me Malin e Zi u përkeqësuan dukshëm. Masat represive të organeve malazeze kundër shqiptarëve, shpërngulja me dhunë në Shqipëri e në Turqi, ndërkombëtarizuan ndjeshëm çështjen e konvertimit të fesë dhe në një mënyrë e komprometuan politikën malaziase të mbretit Nikollë në viset e pushtuara.

Ishte pikërisht vrasja e këtij frati dhe propaganda e madhe që bëri Imzot Lazër Mjeda, për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, sa qe pas shteti malazias, përkatësisht mbreti Nikollë u ndie gjithnjë e me i izoluar nga faktori ndërkombëtar. Ai shpalli proklamatën, sipas të cilës të gjithë individët gëzonin të drejtën e besimit dhe të konvertuarit mund të ktheheshin lirisht në besimet e tyre.

Por forcat malaziase serish ishin munduar ta mohojnë vrasjen e Atë Luigjit, duke dhenë shumë variante të ndryshme, vetëm e vetëm për ti ikur të vërtetës e cila po e fundoste ketë xhandarmeri.  Por fuqitë e mëdha kishin “ngulur këmbë” ne vendimet e tyre, shqiptaret do të ktheheshin në fenë e tyre.

Duke e kundruar veprën e tij të madhe fetare dhe kombëtare, humanizmin dhe shërbimin e tij ndaj njerëzve dhe Krishtit të ringjallur, në selinë e shenjtë në Itali ka filluar procesi i lumturimit të Atë Luigjit dhe pritet që shumë shpejt të merret vendimi për këtë martir të fesë dhe të kombit.

Ndërsa më 12 qershor 2012, për nder të Ditës së Lirisë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori vendim për të dekoruar një numër personalitetesh të vendit dhe ndërkombëtarë. Në mesin e tyre ishte edhe Atë Luigj Palaj, i cili dekorohet me dekoratën URDHRI I LIRISË për kontributin e lartë për liri të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)