10 gabime për 10 muaj
Shkruar nga Lulzim Beqiri
Nuk janë vetëm 10 gabime, të cilat kanë lënë gjurmë në ekonominë e Kosovës, tash e 10 muaj të qeverisë aktuale e cila ka një kabinet që rrallë në rruzullin taksorë mund të haset, një qeveri me 21 ministra 80 zëvendësministra, qindra këshilltar, një batalion militantësh të punësuar si premtim i sigurimit të votës, ani s’ka lidhje që Republika e Kosovës ka vetëm 1.8 milionë banorë, andaj 10 gabime janë “luksi” më i madh i qytetarëve edhe pse janë miliona euro që dalin nga djersa e ballit e tyre në diell e shi, ky popull meriton të merr çmim nobel për durim.
Opinioni publik kosovar vazhdon të ruajë tendencën e fortë të optimizmit, optimist në ekonomi, punësim, luftim të korrupsionit, luftë ndaj nepotizmit, integrimeve euroatlantike, edhe pse ndodhin 1001 probleme tjera ne prapë jemi optimist, por përballja me realitetin çdo ditë e më shumë po dëshmon se jemi larg përmirësimit të situatës aktuale.
Gabimi numër 1: Ndarja nga buxheti i shtetit të 1 milionë eurove për të paguar shpenzimin e energjisë elektrike komunitetit serb i cili as që e njeh shtetin e pavarur të Kosovës, madje neve edhe i përqafojmë, vetëm e vetëm të rrinë në qeveri në mënyrë që pushteti të mbahet qoftë edhe një ditë. Janë një milionë euro sa 1 milionë halle të qytetarëve, sa veterani i luftës është i pabukë i pa veshur, pa kulm mbi kokë, mos vallë luftuam që të paguajmë energjinë elektrike të kriminelëve serb të cilët dorën në zemër vetë ju kemi përgatit teren të shtrin rrënjë aty ku janë, janë më shumë se 20 mijë gra që janë dhunua nga ata kriminel, e ne ende ju themi “dobordan”.
Me 1 milionë euro 40 shtëpi të veteranëve ishin ndërtuar, ose ishin blerë 20 makina për bartjen e pacientëve me dializë, apo ishin ndihmuar 270 mijë qytetar në asistencë sociale, pra mos ju falni para, ato janë taksat tona, taksat e atyre që me gjakun e tyre ujiten këtë tokë e tash neve po marrim frymë lirshëm.
Gabimi numër 2: Ndarja e një fondi prej 290 mijë eurosh për ish luftëtarët dhe familjet e tyre në rastin e Kumanovës ka ngjallur reagime nga shumë kush në Kosovë përderisa Kosova ka ligje të rrepta që sanksionojnë çdo veprim që nxit një qytetar të luftoj jashtë vendit, personalisht mendoj se ata luftëtar janë ra pre e mashtrimeve dhe mendoj se janë krenaria e vendit, mirëpo pse ka nevojë Qeveria të ndaj mjete për ta përderisa ata konfliktin e kishin jashtë territorit të Kosovës, kjo mund të nxisë edhe reagime nga ana e Maqedonisë dhe aktualisht më shumë se kurrë kemi nevojë për fqinjësi të mirë pa dashtë të hyje se a kanë pas të drejt trimat e Kosovës a jo.
Gabimi numër 3: Qeveria Haradinaj aprovoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90. Sipas Projektligjit, secili qytetar i Kosovës i cili ka së paku një vit përvojë pune në arsimin paralel gjatë viteve të okupimit ka të drejtë të marr pension mujorë.
Sipas Institutit GAP dhe i konfirmuar edhe nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës kostoja vjetore e këtij ligji do të shkoj deri në 25 milionë euro në vit. Në 30 vitet e ardhshme, për zbatimin e këtij ligji do të nevojiten së paku 650 milionë euro.
Gabimi numër 4: Rritja e pagave për kabinetin e kryeministrit. Kostoja e pagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat. Ky ndikim mund ta rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund ta vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik.
Nga ana tjetër, rritja e pagës (për vetveten dhe vartësit e tij) nga Kryeministri i Kosovës ka ngjallë reagime nga shoqëria civile, qytetarët dhe deputetet e Kuvendit, madje për pasojë kemi edhe një vendim nga Agjencia Kundër Korrupsionit, që rekomandon shfuqizimin e vendimit.
Gjithashtu lënda është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për ta vërtetuar ligjshmërinë. Nëse i analizojmë mirë pagat e liderëve të rajonit, atëherë Kosova qëndron në maje të pagës më të lartë, përveç Sllovenisë që prinë si shteti me pagën më të lartë për Kryeministrin. Sipas të dhënave në media, këto janë pagat sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Sllovenisë: 4,500 euro, Kryeministri i Kosovës: 2,950 euro, Kryeministri Kroacisë: 2,600 euro, Kryeministri i Shqipërisë: 1,700 euro, Kryeministri i Maqedonisë: 1,300 euro, Kryeministri i Malit të Zi: 1,130 euro, Kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës: 1,070 euro, Kryeministri i Serbisë: 1,000 euro.
Siç shihet, Kosova qëndron e dyta për nivelin e pagës më të lartë në rajon, përderisa papunësia është mbi 35%, dhe – si pasojë e kushteve të rënda për jetesë – synim kryesor i çdo të riu është ta lërë vendin për një jetë më të mirë.
Vitin e kaluar Agjencia e Statistikave e Republikës së Kosovë e publikoi nivelin e pagës mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve nga viti 2012 deri në viti 2016. Sipas këtyre të dhënave, sektori privat mbetet më i diskriminuari ndër sektorët në Kosovë. Në vitin 2012 paga neto mesatare në sektorin privat ishte 333 euro dhe për 5 vite kishte një rritje prej vetëm 0.80 euro cent në vit, gjë që nuk do koment: ky sektor ka mbetur në mëshirën e fatit. Vetëm në vitin 2017 në sektorin privat jetën e kanë humbur në vendin e punës mbi 17 punëtorë, pa gëzuar as edhe ndihmën elementare nga shteti.
Gabimi numër 5: Gjuajtja me armë nga ana e Ministrave dhe mbështetja e Kryeministrit tregon për një mos pjekuri të tij, shumë qartë e ka përcaktuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës lidhur me posedimin e armeve, andaj edhe ka dhënë një mesazh negativ për rinin e vendit, kjo rini ka nevojë që t’i flitet për bashkëjetesë, për mos shkelje të ligjit, për integrime evropiane, jo për kallash e revole.
Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, thithjen e investimeve të huaja, cilësi në arsim, luftim të nepotizmit, informalitetit, e haraçit, thjesht qytetaret janë ngop me premtime e bërje të Kosovës Zvicër.
Gabimi numër 6: Shteti i Kosovës i dha kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave. 53 milionëshi që ju fal autostradës i barabartë me:
2500 pensione të pensionistëve edhe atë për 10 vjet: 2500x70= 21 milionë,
500 shtëpi për skamnor të mbështetur me nga 20 mijë euro: 500x20,000= 10 milionë,
50 të sëmurë të mbështetur me nga 20 mijë eruo : 50x20,000= 1 milionë
5 shkolla nga 3 milionë euro që është super standard: 5x3,000,000.00= 15 milionë,
120 autoambulanca nga 50 mijë euro secila, pra: 120x50,000= 6 milionë.
Gabimi numër 7: Tallje me buxhetin e tatimpaguesve kosovar, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë 295,809,378 euro mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890,000 euro.
Pse marrin kredi kur nuk i shfrytëzojnë, si pasojë pastaj janë shpenzuar afro 900 mijë euro për tarifat e zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra.
Gabimi numër 8: Dy koordinatorët e zgjedhur muajin e kaluar buxhetit të shtetit do ti kushtojnë hiç më pak se 250 mijë euro për mandatin tre vjeçar, vetëm për pagat e të emëruarve të kryeministrit, shteti shpenzon 106 mijë e 773 euro në muaj.
Për një vit 1 milion e 281 mijë e 276 euro. Për një mandat 5 milionë e 125 mijë e 104 euro.
Gabimi numër 9: Ndarja e miliona eurove nga buxheti i shtetit për kompani të dështuara private dhe Ndërmarrje Publike nuk ndodh në asnjë vend të globit, janë milionë euro që zhvaten për këto kompani dhe Ndërmarrje Publike të cilat fal bordeve politike kanë arrit të sjellin kompanitë e tyre buzë falimentimit, a ne i falim parat e shtetit, çka është ka ndodh more a ka këshilltar ekonomie ky vend a duhet domosdoshmërisht me dëmtu buxhetin e shtetit.
Çka duhet të më interesoj mua si qytetar a falimenton një kompani private a jo, pse duhet unë me u brengos për mos punë, thjesht paraja e shtetit nuk duhet shpenzuar udhë e mbi udhë.
Gabimi numër 10: Politizimi i vazhdueshëm i administratës publike mbetet një shqetësim dhe ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.
Raporti i Progresit 2018.
Ka edhe qindra vendime të cilat kanë irrituar qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtarë, siç ishte rasti i punësimeve në Ministrinë e tregtisë dhe rritjen e pagave, andaj ky popull meriton një qeverisje me efektive, efikase dhe transparente.