Zgjatet afati për aplikim për subvencione
Prishtinë, 19 mars - Afati për dorëzimin e aplikacioneve për subvencione për grurë, misër, luledielli dhe farë gruri është zgjatur deri më datën 28 mars të këtij viti.
Kjo zgjatje e periudhës për aplikim, e cila ishte planifikuar të përfundonte më 18 mars, ka ardhur për shkak të kërkesave të shumta të fermerëve dhe Drejtorive Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. E me shtyrjen e këtij afati po ju krijohen mundësitë për aplikim edhe atyre fermerëve, të cilët nuk kanë aplikuar deri më tash.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se shtyrja e afatit për dhjetë ditë, do tju mundësojë kultivuesve të këtyre kulturave bujqësore që të aplikojnë për mbështetjen financiare të kësaj ministrie.
Pasi që kërkesat e fermerëve dhe Drejtorive Komunale për Bujqësi kanë qenë të shumta për shtyrjen e afatit për aplikim për subvencione për grurë, misër, luledielli dhe farë gruri, Ministria e Bujqësisë e ka parë të domosdoshme që periudhën për aplikim ta shtyjë deri më 28 mars të këtij viti. Në këtë mënyrë, të gjithë fermerët, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kanë arritur të aplikojnë deri më 18 mars, këtë mund ta bëjnë tani gjatë kësaj periudhe dhjetë ditore, ka thënë Behramaj.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sivjet kultivuesit e grurit do ti mbështes me 125 euro për hektarë, kultivuesit e misrit me 100 euro për hektarë, kultivuesit e lulediellit me 100 euro për hektarë dhe kultivuesit e farës së grurit me 225 euro për hektarë.