Zelanda e Re heton qumështin "Fonterra" për sigurinë ushqimore
Wellington, 7 gusht - Qeveria e Zelandës së Re ka nisur një hetim zyrtar ndaj kompanisë "Fonterra", për skandalin e produkteve të ndotura të qumështit në Kinë.
Hetimet do të përfshijnë ndër të tjera arsyen përse "Fonterra" priti më shumë se 48 orë për publikimin e informacionit lidhur me një ndotje të mundshme të këtyre produkteve.
Edhe "Fonterra" e ka konfirmuar se Ministria e Industrive Parësore e Zelandës së Re po studion të dhënat lidhur me rrezikun e ndotjes. Kompania bën të ditur se ndotja ka ardhur për shkak të një tubi që nuk ishte pastruar sa duhet.
"Fonterra" njoftoi se disa prej produkteve të saj përmbanin baktere që mund të shkaktojnë botulizëm, një nga llojet më të rënda të helmimit nga ushqimi. Pas njoftimit, kompania nisi tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu.